Artisti shqiptar nuk ka respekt për vetveten, nuk di ta çmojnë profesionin e vet dhe, fatkeqësisht, në të shumtën e rasteve dëshmon se është qenie adaptabile që i përshtatet kushteve që i dikton pushteti, ndaj dhe nuk proteston, jo se nuk di por, nuk do dhe nuk guxon
Nga Avni HALIMI
Artistët e Teatrit të Tetovës, i cili po funksionon tash e gati dy dekada, këto ditë u ankuan se me Programin vjetor për kulturë të Ministrisë përkatëse edhe sivjet po ndjehen të diskriminuar. Tre milionë e dyqind mijë denarë, apo rreth 50 mijë euro të planifikuara për tri premiera si dhe nja 800 mijë denarë për Festivalin ndërkombëtar të Teatrit të Tetovës – Edicioni X! Kaq para për një vit teatrot maqedonase shpenzojnë për letra tualeti dhe për preparate higjienike!
Sa kushton dinjiteti i artistit
Pra, për dy dekada rresht avazi i njëjtë për sa i përket këtij Teatri si dhe institucioneve të tjera kulturore shqiptare në Maqedoni! Nuk është ky i vetmi problem i këtij Teatri! Artistët e këtij institucioni nacional ankohen edhe për faktin që, që nga themelimi e deri më sot, ambienti ku ushtrojnë dhe ku performojnë gjatë dimrit është akull e gjatë verës të vlojnë trutë! Pa dyshim, kjo dukuri duhet të interpretohet si një eksperiment që sjell te dy definicione:
a) artistët shqiptarë duhet të kuptojnë se edhe me kaq “shteti maqedonas” po tregohet shumë i mëshirshëm me ta dhe se, tashmë këta artistë duhet të mësohen me këto kushte, dhe
b) artistët shqiptar nuk kanë respekt për vetveten, nuk dinë ta çmojnë profesionin e tyre dhe, po dëshmojnë se janë qenie adaptabile që i përshtaten kushteve që i dikton pushteti, ndaj dhe nuk protestojnë, jo se nuk dinë por, nuk duan dhe nuk guxojnë.
Artistët shqiptar në Maqedoninë e Veriut e kanë keqkuptuar lojalitetin politik, e kanë keqkuptuar mirësinë në raport me “tani nuk është koha”, pra, artistët shqiptarë mendojnë se duhet të piqen në durimin e tyre deri sa t’u vije koha e forcimit qind për qind të partive politike të cilat, një ditë, për hirë të këtyre artistëve, do ta dridhin edhe shtetin! Artistët duhet të jenë e vetmja “zonë sesmiologjike” e identitetit kulturor kombëtar që duhet të dridh partitë politike të pushtetit apo të opozitës. Nuk duhet të ketë kushte të volitshme as për shtetin, as për pushtetin dhe as për partitë nëse nuk ka për artistët. Artistët janë pasqyra e identitetit kulturor. Nëse artisti nuk di ta çmojë vetveten, nëse nuk angazhohet për dinjitet personal e profesional, nëse artisti nuk kërkon me ngulm respekt të përkorë nga subjektet e tjera të shoqërisë, atëherë me keqardhje vijmë te konstatimi se artisti është pa identitet kulturor, është një “robot artistik” që mund të performojë pavarësisht nga kushtet në të cilat kurdiset të veprojë!
Deri më sot, në Maqedoninë e Veriut janë të vargëzuar qindra raste që flasin për diskriminim kulturor si dhe për sjellje nonshalante të subjekteve tona politike në raport me kulturën shqiptare, ndërsa nuk kemi qoftë edhe një iniciativë të dështuar për protesta deri në sensibilizim të subjekteve të cilët përpiqen që shqiptarët t’i mësojnë të veprojnë në pajtueshmëri me kushtet që i ofrohen! Shqiptari edhe me një copë kocke duhet të kënaqet e të performojë “artistikisht”! Në shoqëritë ku diskriminimi kulturor llogaritet si “politikë humane” artistit i bie hise që t’i emancipojë, pastaj t’i kulturojë dhe fort t’i ndërgjegjësojë subjektet politike kombëtare, të cilat duhet të kuptojnë njëherë e mirë se, pa kulturë pushteti është vetëm një iluzion i kobshëm. Tetova seli e subjekteve politike kombëtare, Tetova e dy universiteteve, Tetova e Fakultetit të Arteve, Tetova vatër e artistëve kombëtar të cilët detyrohen (apo kështu u pëlqen!) të lumturohen nga fakti që e kaluan edhe një dimër duke e ushtruar profesionin nën përjetimin e të ftohtit të acartë. Viktimizimi nuk e shton respektin, angazhimi për dinjitet të bën të respektueshëm! Nuk është kurrfarë e arriture artistike që t’ia hedhësh edhe një dimri, sukses është që t’ia bëshë dimër pushtetit që ta projekton të ardhmen artistike prej akulli!
Tezga e certifikatave të “kritikëve letrar”
Mungesa e kritikës së mirëfilltë letrare tashmë është ngritur në nivelin e alarmit të kuq kombëtar! Kurse, nga ana tjetër, hala nuk po ndjehet asnjë shqetësim nga institucionet gjegjëse shtetërore për këtë deficit alarmant! Shumë shpejt do të kuptojmë se kjo përgjumje institucionale do të na kushtojë tepër shtrenjtë dhe do të ndjehemi të mbërthyer nga një “virus” nga i cili për kohë të gjatë (mbase shumë dekada) nuk do ta marrim veten! Në ndërkohë, po na vlojnë “botimet” të pacertifikuara nga kritika e mirëfilltë, po na vlojnë botimet e përshtypjeve që po na shiten si “kritikë letrare”, po na mbijnë pseudo-kritikët si kërpudhat pas shiut. Sot, epiteti “kritik letrar” po merret ngjashëm siç merren (blihen) në qoshk tiketat e lotarive. “Kritikë” të tillë mund të llogariten mijëra nxënës të shkollave të mesme, të cilët, për notë kaluese në lëndën e gjuhës shqipe obligohen që të përshkruajnë subjektin e ndonjë vepre letrare! Pikërisht këtë po bëjnë “kritikët letrarë” të sotshëm, të cilët po ia dalin të botojnë nëpër fb-ët e vet, nëpër portale, në ndonjë gazetë që hala vazhdon të shtypet, por po na dalin edhe me libra që përmbajnë “kritika letrare”! Ata që shprehin impresionet e tyre personale, pa ofruar kurrfarë analize të thelluar dhe të argumentuar, përkrahësit e pasionuar të letërsisë, por që nuk janë profesionistë në kritikën letrare, impresionistët që ofrojnë përshtypje dhe mendime të thjeshta, që letërsinë e shohin përmes një lente personale, pa e zbërthyer atë në një mënyrë më të strukturuar dhe kritike, ata që publikojnë përshtypjet e veta në forma blogu, nëpër faqe të mediave sociale, pa pasur një njohuri të thellë të kritikës letrare ose pa përdorur metoda të qarta analitike, ata që bëjnë një përshkrim të veprës duke shprehur emocionet personale pa ndonjë vlerësim të mirëfilltë letrar, ata që të shkruajnë eventualisht ndonjë “recension” të thjeshta pa një strukturë analitike të thelluar dhe pa përdorur metoda teorike për të mbështetur gjykimet e tyre, ata që po dinë mirë të navigojnë në google dhe të kompilojnë “tekste autoriale” – të gjithë këta kanë një emërtim të përbashkët: pseudo-kritikë të destinuar për t’u harruar shpejt!
Një kritikë letrare e mirëfilltë është një analizë e thellë, e argumentuar, dhe e mbështetur në teoritë dhe teknikat letrare. Ajo përpiqet të shpjegojë mesazhin, ndikimin dhe vlerën e veprës në një mënyrë të qartë dhe të strukturuar, duke shkuar përtej një përshkrimi të thjeshtë ose një përshtypje subjektive. Pa dyshim, kritika e mirëfilltë është një proces intelektual që kërkon një kuptim të thellë dhe një vlerësim të hollësishëm të elementeve të veprës. Ajo duhet të ofrojë një sintezë të analizës dhe të sjellë një perspektivë të qartë mbi rëndësinë dhe vlerën e veprës. Një kritik letrar i mirëfilltë në të shumtën e rasteve ka një formim akademik të thellë në fushën e letërsisë, kritikës letrare, apo fushave të tjera të lidhura, si filozofia, historia e artit, apo studimet kulturore; ka një eksperiencë profesionale në hulumtim dhe analizë letrare. Një kritik i mirëfilltë ka njohuri të gjërë mbi teoritë letrare dhe metodologjitë e ndryshme, si strukturalizmi, post-strukturalizmi, modernizmi, etj. dhe përdorë këto kuadër teorik për të interpretuar dhe vlerësuar veprat. Shkurt, për të marrë statusin e kritikut letrare individi duhet të njihet nga komuniteti profesional. Kjo njohje duhet të vijë nga botimet e kritikave të tij/të saj në revista të njohura, pjesëmarrja në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, apo lidhjet profesionale me autorë dhe studiues të tjerë. Ky proces do të thotë që kritiku ka fituar besimin e kolegëve të tij dhe është pranuar si një autoritet në fushën e kritikës letrare. Edhe pseudo-kritikët publikojnë, botojnë, madje organizojnë promovime të botimeve ku me plotë tangërllik na ekspozohen si “kritikë letrar”, i japin vetes kurajo të debatojnë, të lexojnë ndonjë komunikatë në “konferencat” e tyre promovuese të cilat i organizojnë për “komunitetin” e vet dhe për ata që shpresojnë ndonjë qasje nga këta “ekspertë letrarë” për veprat e tyre të ardhshme. Ky soj kritikësh, fatkeqësisht, po dominojnë për momentin dhe emrat e tyre i has gjithandej nëpër “botime” si recensentë, si redaktorë, si shkronjës të parathënieve etj. Fatmirësisht, rrugëtimi i tyre ka vetëm një kahe – drejt harresës. Kritikët e mirëfilltë letrarë janë të përkushtuar përt të ndihmuar shoqërinë për të kuptuar më mirë veprat letrare dhe për të vlerësuar artin e shkrimit. Për të qenë një kritik letrar i mirëfilltë dhe për t’u trajtuar si i tillë, nuk mjafton vetëm të japësh mendime ose të shprehësh impresione pas leximit të një vepre. Vlerësimi dhe certifikimi i kritikëve letrarë është një proces që mund të përfshijë disa aspekte, si ato akademike, profesionale, dhe kulturore. Nëpër këtë proces nuk mund të kalojnë kurrë pseudo-kritikët!
Profesor influenceri
Në një debat të improvizuar, zhvilluar në një pseudo-studio, disa “intelektualë” diskutonin se kush ka më shumë ndikim në popull: influenceri apo intelektuali? Ajo që doli në pah ishte se ndikimi i influencerit është më i madh, pasi ai arrin një audiencë shumë më të gjerë, duke e pasur mundësinë të reklamojë produkte dhe të ndikojë në blerjet e njerëzve, pa dallim shtrese. Nga ana tjetër, intelektuali adresohet në një rreth më të kufizuar, ai shtjellon teza, diskuton probleme dhe ofron rrugëdalje për zhvillim intelektual dhe kombëtar. Në këtë kuadër, influenceri perceptohet si populist, ndërsa intelektuali si elitist.
Por a ka intelektualë që e kanë “qejf” rolin e influencerit? Për fat të keq, këta intelektualë janë bërë të pranishëm në numër gjithnjë e më të madh, me bollëk të bezdisshëm, sidomos ata që merren me shkrimtarinë dhe janë gjithashtu profesorë universitarë. Intelektuali i këtij kalibri nuk ngurron të publikojë një poezi në Facebook-un e vet, dhe brenda disa orësh do të mbushet me “like”-t nga ndjekësit e tij. Ndër ta, studentët janë grupi më i madh i “konsumatorëve” të këtij lloj produkti intelektual. Ata që janë më aktivë në përhapjen e “pëlqimeve” për “prodhimet” e tij, janë gjithashtu ata që, pa dyshim, do të mbahen më mend dhe do të kalojnë provimet më lehtë. Ky fenomen ka krijuar një marrëdhënie të dyshimtë mes profesorit dhe studentëve, ku “kujdesi” i studentëve për të bërë “like” e “shpërndarë” publikimet e profesorit-influencer është një mënyrë për të siguruar kalimin e provimeve dhe kalimin në shkallë akademike. Kjo, natyrisht, nuk ka asnjë lidhje me një zhvillim të vërtetë intelektual apo me vlerat akademike, por më shumë me një lloj “transaksioni” të thjeshtë dhe të ndyrë.
Po ashtu, kandidatët për master dhe doktoratura janë gjithashtu pjesë e kësaj loje. Ata bëhen “kritikë letrarë” përmes shkrimeve dhe kritikave për librat e profesorëve influencer, që është më shumë një mënyrë për të arritur gradat akademike, sesa një vlerësim i sinqertë dhe profesional. Ky lloj “kriticizmi” që ka më shumë lidhje me “lidhjet” personale sesa me aftësitë e vërteta letrare, ka çuar në një fenomen të paprecedentë, ku puna intelektuale nuk matet më me vlera akademike dhe përmbajtjen e saj, por me sa “like” mund të marrë. Nëse një poezi apo një intervistë e një profesori-influencer botohet në një portal apo faqe elektronike letrare, është e mundur që të marrë vetëm disa “like” dhe disa qindra komente kritike, sharje, përbuzje e ofendime. Editorëve do t’ju duhet që të gdhinë dy-tri net duke fshirë e hequr komente negative në respekt të “intelektualit” influencer! Ky është një shembull i qartë i ngërçit të krijuar nga ky lloj influencimi: njerëzit që kanë kuptim për vlerat e vërteta letrare, profesorin influencer e konsiderojnë si të pasinqertë dhe të pavlerë, ndërsa ndjekësit që janë më të interesuar për “prizën” e popullaritetit dhe statusit janë ata që e mbështesin këtë lloj “konsumimi” intelektual. Përkundër kësaj, të njëjtit intelektualë-influencerë janë gjithashtu ata që fokusohen më shumë në fitimin e “like”-eve sesa në ofrimin e kontributeve të vërteta intelektuale, që mund të shërbejnë si platforma për zhvillimin dhe avancimin e kombit. Ajo që është më e rëndësishmja është që ky lloj “intelektuali” e ka të vështirë të krijojë një platformë të qëndrueshme dhe me ndikim kombëtar, sepse ai është i përqendruar në një lojë të shpejtë për përfitim personal dhe në mbajtjen e një statusi të shpejtë, pa asnjë angazhim të thellë dhe të qëndrueshëm për avancimin e dijes dhe kulturës kombëtare.
Pa dyshim, influenceri mund të jetë i popullit, por ai gjithashtu mund të jetë një figurë që kërkon të manipulojë dhe të mashtrojë një audiencë të gjerë përmes marketingut të thjeshtë dhe të shpejtë. Ndërkohë, intelektuali, i cili duhet të kontribuoni në rritjen e shoqërisë dhe zhvillimin e saj të qëndrueshëm, është i lidhur me vlera më të thella dhe me një përgjegjësi më të madhe për kulturën dhe historinë kombëtare. Të dyja këto figura mund të kenë ndikim të gjerë, por ndikimi i influencerit është shumë shpesh i njëanshëm dhe i shkurtër, ndërsa ai i intelektualit mund të jetë i qëndrueshëm dhe i ndjeshëm për ndryshime afatgjata.