Tregim

NEPSQARËT

Puntorie ZIBA

Nuk do të doja që kjo ditë të zbardhte kurrë. Sot, nëse dikush më pyet se në cilën ditë të javës kam lind, nuk do të jem në gjendje t’ia tregoj as vitin. Radha e burrave që do të mbush oborrin e vogël do të nis prej te pragu, deri te druri i fikut afër avllisë së ulët të ndërtuar me tulla të kuqe. Burrat dhe disa gra vijnë me qëllim kaotik. Të gjithë kanë oreks të pashmangshëm. Duan ta gllabërojnë shtëpizën time. Këtë shtëpizë e shohin si tempull, bile disa prej tyre edhe e mitizojnë.

Ca re të zeza që më rrinë mbi kokë, paralajmërojnë shi. Ndihem e molisur. Edhe zëri i zogjve nuk e ngushëllon shpirtin tim. Gjysmë motra doli nga dera e përgjumur dhe e pakrehur. Dukej e zbehtë dhe pa pikë dëshirë për të dalë nga ëndrra që mbase e kishte shikuar mbrëmë. Dukej e rënë brenda në ekstazë. Gjendja e saj shpirtërore dhe fizike ishte mjaft delikate. Rrinte pupas e mbledhur sa një grusht. Shihej qartazi se nuk i interesonte ajo që do të ndodhte sot në oborrin tonë. Nga lëvizjet që i bënte me figurën e saj, dukej se merrej me dukurinë e halucinacioneve. Sot më duhej gjysmë motra me mend në krye, luftarake për atë që na përket. Dita ime më e trishtuar se kurrë, më gjet krahë-këputur.

I shihja të gjithë me radhë dhe sytë për të shtatën herë më ngecën te trungu me degë të shpeshta matanë gardhit. Kujtoja se pas atij trungu vazhdon ritualin e përditshëm Arturi. Dëshiroja të vinte sa më shpejt, meqë nuk duroja pa i thënë se një copë shtëpizë e nxorët në ankand në mënyrën më të turpshme. Këtë punë të ligë mund ta ndërmarrin një grup burrash të çoroditur, të pacipë… Është e shëmtuar puna kur gjithçka bëhet kundër vullnetit dhe interesit të sovranit.

Arturi i veshur me pelush, erdhi i fundit. Dukej serioz dhe arrogant. I shihte të pranishmit dhe ngrinte vetullën e djathtë lart. Pas Arturit hyri një grua me veshje ekstravagante që dukej si magjistare. Ajo kishte veshur një fustan të mëndafshtë, si fustan ballosh vjenezë me dekolte të hapur. Cicat e saj të mbushura me silikon sa nuk plasnin nga fustani i ngushtë. Pjesëmarrësit në ankand ishin radhitur sikur të gjendeshin në arenë amfiteatri. Ata më të guximshmit qëndronin në rendin e parë, kurse të frikësuarit nga shuma e parave, rrinin mbrapa. Pas avllisë së ndërtuar me stil, ishin varur me duar një numër i madh fëmijësh adoleshentë. Shumica ishin kurioz ta shihnin atë që do të ndodhte në oborr.

-Kjo shtëpi është mishërim i tipareve më të larta, i vlerave më të mira, është frymëzim dhe pikësynim.- tha tregtari.

-Është ëndrra ime.- foli polici dhe preku armën me dorën e djathtë.

– Shtëpi e shenjtëruar nga perëndia. Qoftë risku im!- tha gazetari i njohur.

-Bravo! – brohoritën disa nga të pranishmit.

Për një çast filloi të bjerë

shi rrebesh. Fëmijët të bërë qull, hoqën duart nga tullat e avllisë dhe ia mbathën nëpër shtëpi. Vetëm pjesëmarrësit në ankand rrinin si dordolecë të lagur. Ata nuk lëvizën nga vendi.

-Mund ta vazhdojmë ndonjë ditë tjetër këtë muhabet.- ju thashë unë.

-Jo, u përgjigjen njëzëri të gjithë. Zëri i Arturit u dallua nga timbri i tij i veçantë. E pashë se të gjithë kishin një mendje. Nuk e kisha të qartë përse nguteshin kaq shumë.

Te pragu i derës, me letër të bardhë në dorë doli një djalosh i zeshkët që i kishte kaluar të tridhjetat. Sikurse dukej puna, kishin bërë edhe skenar me pyetjet e nevojshme për të shitur shtëpizën në ankand.

Djaloshi filloi fjalimin e tij me një përshëndetje duke e rregulluar me duar jakën e xhaketës së bërë qull nga shiu: Blerja e kësaj shtëpize është investimi më i madh që mund ta bëni ju, prandaj duhet të informoheni mirë, dhe duhet të jeni vigjilent për këtë që e bleni. Në fillim ju kisha lutur të mos keni emocione. Pronare e shtëpisë është Meri Pocesta dhe gjysmë motra e saj. Kësaj shtëpie i bie dielli njëzet e katër orë, dimër, verë. Në fillim do t’u jap informacione rreth riparimeve. Në këtë shtëpi nuk guxoni të ngulni asnjë gozhdë të vetme, meqë është e mbrojtur me ligj. Ai që e blen dhe merret me riparime, dënohet me burg. Shtëpia ka mure të trasha, themele të forta edhe pse është ndërtuar në vitin 1882. Shtëpizën nuk e shembi as tërmeti i vitit 1963, kur tërmeti e shkatërroi qytetin. Ai nga larg dukej si i bombarduar nga ndonjë bombë atomike. Zhurmë rreth kësaj shtëpie nuk ka. Fqinji i vetëm është Artur Tosku, i cili ndodhet këtu në mesin tonë, meqë është i interesuar ta blejë.

Të gjithë të pranishmit kthyen kokën dhe e shikuan Arturin me kërshëri. Ata nuk bezdiseshin nga pikat e shiut që ju hynin në sy, në hundë e në gojë. Mendjen e kishin te shtëpiza që damarët i lidheshin me Kalanë. Unë dhe gjysmë motra rrinim nën një ombrellë të zezë prej burrash të cilën e mbante në bodrum babai.

Djaloshi i zeshkët i luti të gjithë të heshtnin dhe pa bërë zë t’i përcjellin shifrat, pastaj i luti të pranishmit ta ngrenë dorën po qe se duan të fillojnë të parët.

– Jap një gjysmë milioni, euro.- u dëgjua zëri i Arturit pa iu dridhur qerpiku.

Në oborr u dëgjuan zëra kakofonik. Unë fillova të dridhem nga frika e shumës marramendëse për një shtëpizë njëkatëshe që nuk kishte më shumë se njëqind metro katrorë.

-Jap një milion euro!- u dëgjua zëri i gruas me gjoks të madh prej silikoni.

-Jap dy milion!- tha Arturi pas një pauze që nuk zgjati shumë.

-Dy milion the?- iu drejtua Arturit, gruaja me gjoksin e madh.

-Dy milion dhe nuk e luan topi.

-Ke para të vjedhura.-thanë disa.

-Shet drogë.-tha gruaja ekstravagante.

-Je i korruptuar.- folën njëzëri të gjithë.

-Nuk jepen aq shumë para për një shtëpizë përdhese me një çati të brishtë që mund të rrëzohet nga një furtunë me shi të rrëmbyer.- u dëgjua zëri i ngjirur i djaloshit të zeshkët.

Arturi futi dorën në brez, nxori armën dhe shtiu shtatë herë drejt qiellit. Cicërima e zogjve të trembur m’i mbushi sytë me lot. Ata iknin duke përplasur flatrat. Fqinji im, ju tha të pranishmëve të mos e nënvlerësonin tempullin, vendin për të cilin ka nderim të thellë.

Edhe polici nxori revolen nga brezi dhe e luti Arturin ta fus armën brenda. Ata u panë sy në sy, si dy egërsira që luftojnë për një copë gjah dhe futën armët në brez.

Shiu vazhdoi të bjerë më i rrëmbyer. Para syve të blerësve u zbeh gjithçka. Të gjithë i lëviznin gishtërinjtë sikur donin t’i hanë thonjtë nga inati, meqë dëshirat e tyre po të mbeteshin vetëm iluzione. Pamja e fytyrave të tyre dukej sterrë nga mërzia. Edhe gazetarit që i kishin dalë fjalët se të mbulon me para, iu mjegulluan sytë. Nepsi i tyre mori fund sapo dëgjuan dymilionshin që e përmendi i fundit, Arturi. Ankandi nuk zgjati shumë. Arturi ua mbylli gojën të gjithëve.

Unë dhe gjysmë motra rrinim si pula të lagura. Së pari, nuk e kuptoj Arturin se çka i duhej kjo shtëpizë e ndërtuar para një shekulli. Në atë çast ktheva kokën, pashë frëngjinë nga e cila përcillja rutinën e tij dhe m’u drodh trupi sikur nuk do ta shihja më kurrë. M’u duk se shtëpia luhatej dhe mezi qëndronte në këmbë. Arturi rrinte me kokën e zgjatur lart dhe me një sedër prej një burri vetjak. E di se ai dëshiron të sundon moralisht. Gjatë gjithë jetës, prej kohës kur babai im iku dhe më la vetëm në këtë shtëpi, e dija se çka është sedra e burrit.

  Babai herë e adhuronte e herë nuk e shihte me sy këtë shtëpizë, meqë mërzitej me nënën kur ziheshin. Ajo shpesh i thoshte kollovar. Ky ambient ia gërryente zorrët dhe ia bënte trupin me mornica. Por sapo qetësoheshin, përqafoheshin dhe ndiheshin të lumtur për këtë trashëgimi të veçantë. Unë, kurrë nuk mund t’i shoh burrat ndryshe përveç si sundues, si uzurpues, si gllabërues, si sedër sëmurë, si të korruptuar… Disa prej tyre jetojnë për të sunduar gruan, lagjen, qytetin, fshatin bile edhe tërë botën. Të gjitha këto i kuptoj, por akoma nuk e marr me mend përse Arturi aq shpejt dhe aq shumë e vlerësoi shtëpizën. Ma mori mendja se ai nuk e imagjinon dot jetën ndryshe. Tërë ringjallja e tij shihet te makina luksoze, te shtëpia e madhe me shumë dritare dhe me shumë ballkone, te rrugica e ngushtë dhe e gjatë e kopshtit të zbukuruar me trëndafil e zambak… Sot fqinji i parë, ma turbulloi trurin dhe nuk munda të perceptoj asgjë. E di që disa blerës tjerë bashkë me gruan gjoks madhe e vlerësonin pozitën e saj, damarin e lidhjes me Kalanë, dëshirën për ta pas Arturin fqinj të parë, por nuk e kuptoj, Arturi çka dëshiron. Edhe pallati i tij e ka damarin te Kalaja. Pastaj është i njëjti vend, e njëjta mëhallë. Mendova të çohem e ta turpëroj para të gjithëve për rutinën që bënte çdo ditë të lume, por e dija që mund të ma kthente e të më turpëronte edhe ai mua. Gjithë qyteti mund ta kuptonte si u bëra unë pjesë e rutinës së tij.

– Të nderuar të pranishëm! Nesër te notari i qytetit mund të merrni pjesë të gjithë në ceremoninë e nënshkrimit së kontratës për blerjen e shtëpizës.-foli me zë të lart, Artur Tosku.

Leave a Reply

Your email address will not be published.