Poezi

Nuri Plaku

DIELLI I LYPSARËVE

Sot, dielli në qytetin tim

Lindi nga një kosh plehrash

Dhe ndriçoi fytyrën e djaloshit lypsar,

Që vraponte nëpër ag

Me një trastë hekurishtesh mbi shpinë

Dhe një grepç teli në dorë

Për të puruar dallgët e ditës,

Që i ngulnin dhëmbët e urisë mbi trup.

Pas tij dielli ndriti fytyrën e një plaku të verbër,

Mbledhur galiç pas hirit të vatrës.

Ndriti dhe fytyrën e një plake të gërmuqur

Dhe fytyrën e një nuseje të dobësuar,

Që ushqente foshnjën, mbështetur pas muri.

Sot, dielli lindi nga një kosh plehrash

Dhe ishte thjesht

Një bukë gruri.

KËMBANA

Mbrëmë, tek porta e qytetit

Hingëlliti një kalë i vdekur

Me zë të kobshëm.

Askush nuk e mori vesh nga erdhi

Por thonë se është shenjë e mirë origjine.

Kur hingëllinin kuajt dikur, njerëzit vishnin këpucët e udhëve

Por tashmë udhët e kuajve janë bërë litar pluhuri

E i mbajnë ngjacuar

Në livadhin e përrallave.

Në mëngjes, kali u bë kambanë kishe

Dhe ra fortë, e fortë

Si për ditë pashke.

Njerëzit mbanin këmbët e bënin kryq

Ka kohë që në qytet

Nuk janë dëgjuar kaq shumë kambanat.

Më parë, kur qyteti ishte i vogël

Ato binin për çdo vdekje njeriu,

Ndërsa tashmë

Nuk i ndjekin dot njerëzit që ikin.

Dhe vjen ti përcjellë

Një kalë i vdekur…

DITAR ME VIZATIM

Ajo vizatoi një dritare me kanata të mbyllura

Dhe një fije bari,

Që fëshfërinte mbi xham.

Natën

U zgjat tinëzisht një dorë misterioze

Dhe vrau fijen e brishtë.

Vajza qau dhe vizatoi përsëri dritaren me kanata të mbyllura

Dhe një fije bari të vdekur.

Herën tjetër vizatoi dritaren me kanata të mbyllura

Dhe një flutur të qeshur mbi parvaz.

Natën

U shfaq dora misterioz

Dhe flutura u gdhi e vrarë.

Vajza qau dhe e vizatoi sërish dritaren me kanata të mbyllura

Me një flutur të vdekur pranë.

Pastaj vizatoi një tjetër dritare me kanata të mbyllura

Dhe një zog me pupla cicërime.

Atë natë

Edhe zogu heshti i vrarë.

Vajza qau dhe vizatoi një tjetër dritare me kanata të mbyllura

Dhe një zog të vdekur.

Pastaj i mblodhi të gjitha vizatimet

Dhe ju vuri përsipër

Një titull intim.

I dashur

Qyteti im!

QIRIRI PREJ UJI

Ky lum është një qiri prej uji

Që pret të digjet në altarin e qytetit.

Por askush nuk guxon

Të shkrepi një xixë zjarri.

Ah! U mundova njëherë ta ndizja

Me xixën e një vetëtime

Po Zoti tështiti atë çast

Dhe xixa u shua në dorën time.

Lumi mblodhi 1000 shira

E vërshoi brenda meje me tërbim.

Tashmë

Edhe unë jam një lum

Që pres të digjem

Në altarin e qytetit tim.

ZAMBAKËT ÇELIN ME NGJYRA TË VJEDHURA

Në qytetin tim

Zambakët çelin me ngjyra të vjedhura.

Kur veson nata

Zambakët vjellin mëkatin e ditës

Dhe të nesërmen bëhen ndryshe.

Të jesh ndryshe në këtë qytet, do të thotë të jesh i zi

Kur e zeza digjet bëhesh sërish ndryshe

Atëherë je i bardhë…

I zi, i bardhë

I bardhë, i zi

Kudo kutërbonjnë ngjyra të djegura…

Në qytetin tim

Zambakët çelin

Me ngjyra të vjedhura.

MALLKIMI I QYTETIT

Tri herë më mallkove o qytet

Pa më parë në sy

Dhe mua mu duken

Si tri këngët e një gjeli në mesnatë.

Kurrë se besova mallkimin tënd prej ati

Dhe ndeza tri qirinj në altarin e kishës

Të përcillja te Zoti

Tri lutje për ty.

Tri lutje o qytet

Për tu parë

Sy më sy.

E ti prapë nuk munde…

Në dritën e qiririt të tretë

Mu shfaq emblema jote

Në dhëmbët e një Jude.

PËLLUMBAT E TREMBUR

Mbi sheshin “Nënë Tereza” të qytetit tim

Fluturojnë pëllumba të trembur.

Kalimtarët i ndjellin me ushqime

Por ata çukisin në ajër

Mbi frikën e tyre.

Vetëm hijet përpëliten të qeta mbi shesh

Hijet dhe ca pendë të përgjakura

Si trofe e egër e fitores.

Pëllumbat e trembur në sheshin “Nënë Tereza,”

Ende nuk e njohin,

Paqen e shenjtores!

Leave a Reply

Your email address will not be published.