POEZI
Arjola ZADRIMA
GRATË
A i keni pa ndonjiherë gratë në sy?
Mrenda pupilave të zvogelueme
prej dhimbës,
ndër qerpikë të hollë,
në të bardhën e ngjyeme me qiell?
Çka keni mendue me gjetë aty?
Aty ku perënditë gjunjezohen,
edhe fortesat ma të nalta
dorëzohen lehtë?
Aty ku ka qiell flakërues andrrash,
Ku gjen pasqyra të kjarta,
tallaze t’ashpra,
a det të qetë,
lumenj të rrëmbyem
që shkulin rranjë të egra prej viteve.
A e keni mendu ndonjiherë
se mrenda atyne syve
ka
edhe jetë?!
ATIJ
Unë nuk e di
ç’pamje merr ftyra e tij
kur fle i qetë,
por mbyll sytë
dhe imagjinoj një livadh me lavandë
në perëndim kur dielli
i jep nuancë dashunie
qiellit…
dhe aroma hapërdahet tuj dehë shpirtin.
Atëherë mbushem me frymë.
***
Kam frikë me të dashtë
ti vjedh prej meje arsyen, qetësinë
e s’guxoj,
kam frikë me të ndeshë diku
në ndonjë hap,
mendimet m’i fryjnë zemrës
e shkojmë larg,
pllambë për pllambë
si zemra mbi zemër,
s’guxoj,
kam frikë me t’pa ngultas n’sy,
drue se gjehesh aty,
i brishtë, i heshtun, i dehun,
s’guxoj,
kam frikë mrenda vedit me të kërku,
edhe në terr ba me ma grish shpirtin
je ti, thellë, thellë në mu
o dashni e pa thanun,
s’guxoj me ta rrëfy
çka andrroj
këto net që shkojnë
pa Ty…
KËTË VIT
Këtë vit mësova
se zemra thyhet,
në copëza të vogla
dhe sado i ngjitë nuk e bajnë të gjithën.
Këtë vit mësova të kem durim,
Të çirrem në vetvete,
Të shoh shpirtin në pasqyrë.
Këtë vit mësova se njerëzit vetëm hijen
e kanë të gjatë.
Dhe fjalën e thonë ashtu siç ju vjen.
Këtë vit mësova me qenë e vërtetë,
me ikë prej stuhive
me u largu prej njerëzve të rremë.
Këtë vit mësova se me qenë gru e mrekullueshme
duhet të jesh si unë.
Këtë vit mësova me gjet guximin dhe sfidave me ju shku në fund.
Këtë vit kuptova se jeta ka disa rrugëtime
që duhet t’i përshkosh
e vetme.
Nëpër terr, a nëpër dritë
tuj u rrëzu e tuj u ngritë
a tuj qa.
Se gratë qajnë
britin aq fort sa të dhemb shpirti
prej gjamës tyne.
Gratë heshtin e me qerpik të vrasin
nëse i prek.
Se gratë ja dalin
zgjohen,
çohen,
gëzojnë edhe falin
veç me u ndje lehtë.
Këtë vit kam mësu
me kenë
me gëzu
me qeshë e me flakëru.
Këtë vit kam mësu me jetu
ani edhe tuj kenë
Grue!
ME FALË
Duhet me i falë njerëzit
mrenda nesh
mandej jashtë nesh.
Përbotshëm a përjetshëm, sido kjofshin,
duhet me falë edhe vedin,
tuj ba paqe në shpirt
e tuj hapë kufijtë në zemër.
Duhet në mramje vonë
me mbyllë sytë e qetë
që të nesërmen me u zgju dikush tjetër.
Me falë duhet!
NETËVE KUR RIGON SHI
Netëve kur rigon shi,
e askush nuk flet,
asgja nuk ndihet
vetëm sonata e butë e pikave të brishta
në xhama të avullt dritare.
Po të ishe këtu
do m’i kishe mbulu supet,
sa herë mbart male të thepisun,
por gjithsesi dimni fryn,
e prej borës në borë
pushon veç një mendim.
Shoh përtej
dritat, ngjyrat, koha
gjithçka rend drejt fundit,
edhe kjo melankoli
që m’i veshë sytë
ka me shkue.
Ti e din,
jam shumë krenare me të kërku,
ndaj po e la me u largue
edhe këtë natë të lagësht
tuj e përtypë një “të du”
si bulëz e heshtun shiu.
Po e la, po e la me shku