Tregim

FLUTURA TË BARDHA

Shazim MEHMETI

Iu ba, sikur i doli, sikur i fluturoi, nji flutur prej goje. Fërkoi sytë,e ngriti shikimin përpjetë, pa vërtet nji flutur të bardhë që lodronte n’tavan.

Si qe ulun, lëvizi mezi, u shtri mirë n’krevat. Ndjeu kërcëllitjen e fundit të eshtnave. Bashkë me kërcëllitjen, ndjeu edhe sikur i doli, sikur i fluturoi nga goja, nji flutur tjetër.

E përqëndroi, disi,shikimin n’tavan, dhe e pa fluturimin e nji fluture të dytë.

U çudit, por pa patun kohë të çuditet mirë, nji flutur e tretë, i doli për goje, iu bashkue dy t’parave.

Ndjeu rrallimin e vërtetë të frymës, dobësimin e shikimit. Mundi ta shohë, edhe shtimin e numrit të fluturave të bardha që lodronin nën tavan.

E ndjeu avitjen e shndërrimit të bukur, i mblodhi piklat e energjisë së fundit, i shndërroi në shikim ato pak pikla të mbetuna, edhe arriti ta shohë vërtetshëm, mbushjen e gjithë dhomës, me flutura të bardha.

Iu ba sikur asht në nji festë. E pa, disi përzier, gjithë atë bukuri bardhane fluturash, gjithë atë festë, dhe u ba, i lumtun, i lumtun, deri sa… iu fik…gjithë shikimi…gjithë fryma…

Leave a Reply

Your email address will not be published.