Agim Spahiu
UNË, I ZAKONSHMI YT
Shpesh shpërthej e dal prej gjoksit tim
si Drini në vjeshtë,
shpesh, sa shpesh!
Ki durim! Jam në mrekullinë e krijimit.
Nga shtegtim’ i vrullshëm shpejt do kthej
te i zakonshmi yt i drojtur. Ki durim!
Asgjë e ligë s’del prej gjoksit tim.
Ki durim dhe besim,
edhe pse je e lodhur më ofro fisnikëri e mirësi
(Pak, oh sa pak!)
Dhe shih: kur të jem qetësuar një mal do të jap…
Dora jote mbi ballë,
një përkëdhelje dridhëse, e dashura ime,
një shëtitje dashamirëse e gishtërinjve
mbi vullkanin tim në shpërthim,
një fjalë e mirë… Heshtje, heshtje e mençur.
Dhe shih,
nga çasti solemn i krijimit do të kthejë
i mrekulluar e i çliruar dhjetëfish,
i drojturi, i treturi, i zakonshmi yt.