Midis nesh
ARTISTI NË ROLIN E XHINGLA-MINGLAVE ZBUKURUESE TË PUSHTETIT!
Historia njeh shumë momente kur artistët dhe intelektualët janë përkulur para dëshirës së pushtetit për të qeverisur sa më lirshëm dhe sa më gjatë! Në këtë rast, artistët dhe intelektualët kanë shërbyer vetëm si zbukurime të pushtetit me ç’rast ka ardhur deri te mbyllja e fokusit të pushtetit për ta pasur ndër prioritetet edhe botën e tyre! Kur artisti dhe intelektuali marrin rolin e xhingla-minglave zbukuruese të pushtetit, shoqëria ngelë pa shpirt!
Nuk ka pushtet që nuk e do “qetësinë”, që nuk e do drejtimin e shoqërisë pa probleme, pa debate e pa zhurma. Heshtjen, qoftë edhe të dhunshme, të intelektualëve dhe të artistëve e do dhe e justifikon me arsyen se nuk mund të financohen “zhurmaxhinjët” dhe “rrënuesit” e rendit shoqëror! Acarimi, madje edhe egërsimi, i politikanit në raport me artistin apo intelektualin, merr konotacion “filozofik” duke u interpretuar si refuzim të sjelljes e cila mëton prishjen e shijes, të sjelljes dhe të ligjërimit të bukur mbi çështjet e ndryshme për të cilat “zgjidhjet i ka” politika!
Megjithatë, kohëve të fundit, në shumë shtete evropiane po dëshmohet se, janë jo produktive të gjitha ato politika që nuk gjenerohen nga debatet e politikanit me artistin dhe intelektualin (e profileve të ndryshëm)! Artisti dhe intelektuali gjithnjë kanë qenë, janë dhe do të jenë asete kombëtare, ndërsa politikanët “kalldrëm” në rrugën e sigurisë dhe mirëqenies të shoqërive të ndryshme.
Politika nuk mund të jetë produktive me artistë e intelektualë të heshtur e të nënshtruar! Madje, vetë politikanët duhet ta ngacmojnë pakënaqësinë e artistit dhe të intelektuali, kundërshtimin e tyre, rebelimin e tyre, sepse kjo do t’i mbante zgjuar politikanët! Me përgjumje nuk mund të drejtohet kah suksesi i përgjithshëm as shoqëria dhe as shteti!
Zënkat e politikanëve, fyerjet, “grushtimet”, sharjet, ofendimet – e gjitha bëhet për të siguruar elektorat për “rendin ri”, i cili, çfarëdo qoftë ai, artistin dhe intelektualin e koncepton vetëm si ikebana me lule plastike! Artistët dhe intelektualët e mirëfilltë nuk joshen asnjëherë nga rehatia që ta siguron administrata e pushtetit, ata ndjehen rehat vetëm kur ta shohin zgjuar pushtetin dhe në të njëjtën linjë me interesat e përgjithshme të shoqërisë./HEJZA/