Jim Morrison

KËNGA FANTAZMË

Zgjohu!

Shkundi ëndrrat nga floknaja jote

vogëlush i dashur, i miri im.

Zgjidhe ditën dhe shenjën e saj,

ajo, hyjnesha ditë,

është gjëja e parë që do të shohësh.

Seç është një plazh i madh dhe i gjerë

ku sipër tij rrëzëllen hëna e ftohtë si stoli,

çiftet garojnë lakuriq aty poshtë qetë-qetë…

Ne ishim fëmijë të ndjeshëm,

paksa çmendarak,

me trurin mbështjellë nga pambuku i foshnjërisë,

me shumë zëra dhe muzikë rreth nesh…

Dalloji ata që keqkuptojnë të Lashtit

koha ka ardhur përsëri,

ata të zgjedhësh, po, ata,

nën dritën vezulluese të hënës

afër një liqeni të lashtë..

Futu më pas në pyllin e ëmbël

shtrihu brenda asaj ëndrre të ngrohtë,

eja me ne pastaj

të vallëzojmë kur gjithçka rreth nesh

shpartallohet.

Indianët janë shpërndarë kudo,

në ag autostrada pikon gjak,

fantazmat vijnë vërdallë vogëlushit

& në mendjen e brishtë të tij futen…

Aty brenda ka një emblemë,

ky është teatër antik, i çmendur,

që bën programimin e jetëve tona

dhe ikën me shpejtësinë e me zhaurimën e dallgëve…

Barnat kanë mbaruar.

Dritaret hapur rrinë,

është vetëm njëri ndër të tjerët

që mund të kërcejë dhe të na shpëtojë.

Duke përqeshur fjalët hyjnore

muzika ndez temperamentin tonë.

O krijues i madh i qenieve,

pa na e dhuro një orë

që ta ushtrojmë artin tonë,

kështu t’i përsosim jetët tona.

Kemi nevojë të bëjmë llogari të mëdha!

Kur mbretërit e vërtetë vriten

xhelatët lirshëm vërdallosen,

janë një mijë magjistarë që lindin,

e pra ku është ajo festa e premtuar?

(Nga albumi An American Prayer, shipëroi: Bujar Meholli)

Leave a Reply

Your email address will not be published.