Shqiponja Axhami
ATDHEU IM MË SHTIE FRIKË
Mik, atdheu im më shtie frikë;
s’më bëri kurrë të pasur,
por, oh, mik,
kjo s’më bën ta dua më pak:
ia përkëdhel me sy yjet e ftohtë,
kullat e heshtura,
fshatrat e largët,
frutat e egra,
ashtu të rrudhura,
kodrinën ku endet akoma ndonjë tufëz,
detin e çmendur,
palmat që nuk kanë zënë akoma rrënjë,
të ftohtat varre,
qeramikat e muzeve…
Mik, atdheu im më shtie frikë…
S’më bëri kurrë të pasur,
por nuk e di, një si polen lozonjar
me endet nëpër deje,
shpërthen prej kurmit tim
në një, si ta them, shqiponjë,
duke më detyruar të kris vezë
mbi një shkëmb gri imagjinate,
poshtë të cilit, një liman i butë
shpërthejnë fije orizi në lulnajë….
Mik, ndoshta të gjithë Atdhetë
kanë nga pak frikë dhe magji brenda…