Teki Dërvishi
LETRA E DYTË E NJË PËRPILUESI
1.
Nganjëherë e pyes veten pse jam
kaq i vetmuar
A jam i lënë, apo unë gjithmonë
kam ikur
Pse dera e shtëpisë sime rri vazhdimisht e mbyllur
Për shkak se askush nuk vjen aty
Apo kur bie zilja në derë
Unë nuk ngrihem ta hap derën
Të gjithë më kanë dashur
Si mund të vijnë tek unë ata që më duan
Njerëzit asnjëherë nuk kanë arritur atë që duan
Nëse s’e hap derën për mysafirë
Si t’u them
Se ajo që preket si ushqimi
Nuk është higjienike
Ajo që preket sikur kur e prek lulen
Është e destinuar të vyshket
Unë dua të vdes vetëm
Se vetëm vdesin vetëm elefantët dhe njerëzit.
2.
Do të vijë së shpejti një kohë
Kur mua dhe ty do të na pushojnë të gjitha dhembjet e shpirtit
Do të rrimë së bashku diku
Në një kafene Parisi
Pranë nesh do të kalojnë
Qindra njerëz që nuk do t’i shohim
Por çdo të bëjmë?
Prapë si sot do të heshtim
Se fjalët tona kaherë më janë shumë të varfra
T’i shprehim ato më bukur se heshtja
3.
Frederiku ka thënë
Aty ku ka varre ka ringjallje
Unë di të them
Të gjitha vuajtjet e mia kanë mbaruar
Mund të më ndodh vetëm vdekja
Assesi ringjallja
Derisa jetoj buzë varri
Çka do të bëj unë pa Ty
Pa Ty që sot të fillon jeta
4.
Një ditë unë dhe ti
Do t’i paketojmë gjërat nëpër valixhe
Dhe do të dalim në oborr përballë njëri-tjetrit
Duke e pyetur njëri-tjetrin me sy
Ku do të nisemi tash
Kur askush askund nuk na pret
Me rraqet tona
Ne do të nisemi diku
Do të nisem unë e para më the ti
Që të ketë kush të të pret Ty
5.
Jo nuk po dua të dal
I kam zbathur këpucët
Edhe pak e do të më zë gjumi
Jo nuk po dua të dal
I kam shkelur të gjitha rrugët e botës
Dhe derisa erdha këtu
Askund nuk të gjeta
Jo nuk po dua të dal
Pasi që nuk do të mund të të gjej askund
Ti je vetëm në ndonjë rast
Troket dera ime e banesës
(10 shkurt 2008)