Petrit Ruka

PO PËRKTHEJ NJË GRUA

Tërë jetën

përkthejmë shenja në mendje,

hap e mbyll zemrën si një fjalor i pafund,

fillojmë me ujërat në barkun e nënës,

të parin e të fundit det që na tund…

Dhe bëjmë si bëjmë, sa shfaqet një grua,

që kthehet në kryeveprën

e letërsisë botërore,

skulpturë e përsosur gjer në majën e thoit,

lëmuar me puthje e dritëra hyjnore…

Ta dish sa po vuaj, moj grua e vogël,

tek përkthej mendjen tënde

plot dëshira biblike,

format e trupit që kopjohen me dorë,

si me qumësht blete

pas brinjëve nevrike…

Medet, të lexosh shijet e tua për burrin,

fshehur pas turpit,

si në zhguallin e një breshke,

është njësoj si ta shkruash “Iliadën” të tërë

në petalen e bardhë të një pjeshke…

Zoti im, si ta kryej këtë punë manastiresh,

pa e bërë dhi egroshe mendjen

sipër malit?

Kam frikë se do vdes te gjysma e qerpikëve,

te zilkat e kaçurrelave të ballit.

Si përkthehen gjinjtë me gjuhën e gojës,

pa i pirë përmendësh si foshnjë

te sisa e nënës?!

Pastaj vithet e kofshët buzë ndonjë lumi,

shqipëruar në gjuhën e barit e të hënës?!

Ah, hajde të t’i gjesh në fjalorët e rëndë,

ëndrrat sarhoshe

që të fryhen në mbrëmje,

pastaj të të akordosh mbi gjunjë si kitarë,

në re, në sol…

në dhembje!

Je deng i madh papirusesh me dëshira,

biblioteka e botës

në lëkurë të është shkruar.

Nuk di si do t’ia bëj te paragrafi i buzëve,

me fjalorët e Zotit në duar!

Po mbase bëhem një mjeshtër si Noli,

në të përkthyer e sipër

e mësoj mjeshtërinë.

Ndërkohë që të lutem

me fyej pëshpërimash

ma mbaj me iso nga poshtë dashurinë!…

Ej, miq të moçëm sa vera e Krishtit,

them ta lë poezinë ca kohë,

sa të qajë për mua!

Në më pafshi në rrugë të përhënur

mos pyesni!

Sa ua thashë, o njerëz,

po përkthej një grua…

Leave a Reply

Your email address will not be published.