Sabit B. Bajraktari

TEATRI I ABSURDIT

Ka qenë ditë e rendë

Plumb

Teksa endesha i hutuar nëpër oborr

E baba

Baba u shtri sa gjerë aq gjatë në një gropë

Ajo skenë teatrale ma kujtoi tregimin e tij

Për pusin e vjetër që kishte hapë bashkë me nanën

Diku në vitet shtatëdhjetë

Skena me katër aktor dukej kështu:

Nana gjyshja gjyshi baba një gjel në dorën e tij

Kapur për dy këmbë

Gjeli shikonte qiellin bythëprapë

Hijen e thikës

Teksa trupi i gjelit shkundej si një qese në shi

Prisnin ku do të ndalej

Aty ka ujë

Njeriu është mësuar me flijime

Si në kohën e Keopsit

Si në kohën e Doruntinës

Kësaj here nuk pajtohesha

Ç’i duhej babës një skenë e tillë absurde

Samuel Beckettin kurrë s’e kishte lexuar

Ujë s’kërkonim as Piramidë s’ndërtonim

Urë me tri harqe hiç se hiç

Ç’na duhet ura kur lumi kishte shteruar

Sot e atë ditë nuk e kam kuptuar idenë e tij

Besa s’e di nëse ishte dramë me katër akte

Mbase diçka e stilit të panjohur deri më tani

(Qershor 2024, Itali)

Leave a Reply

Your email address will not be published.