Ardita Jatru

NATURA MORTA

Mbi tavolinë

gota me pak ujë në fund

sa për të kapërcyer muzgun

e ngjitur në qiellzë

Pjatat, me mbeturina fjalësh të sajuara në çast,

qeshje të fshira, hedhur shpërfillshëm

shuk para syve tanë,

macet të përgjumura

që herë pas here lëpijnë me gjuhë

avujt e një lumturie të pashpjegueshme

që u ndrit nëpër gëzof,

pulti i televizorit memorie e rënë përmbys,

telefoni me thirrje të humbura

dhe në listë ende tre emra të vdekur

që zilja u bie atëbotë, ndonjëherë

kur i marr nëpër mend,

lëvozhgat e një dielli të thartë dhe farat

e hedhura mbi faturat e papaguara.

Një qiri me krenari të kotë

që shuhet e ndizet në raste vizitash

për të shtuar zhurmën.

Ne të shtrirë,

në dy brinjët e këndit.

Nuk mendojmë asgjë,

nuk kemi ndërmend të bëjmë asgjë

para kësaj natyre të vdekur

gatuar nga unë.

ZEMRA IME

Zemra ime

ka ndërruar banesë.

Tani

banon në majë të gishtërinjve.

Më bien nga duart kupat

dhe zemra qelqet në panik i mbledh

përpjetë hidhet

nga doza e lartë e kafeinës

dhe e zbus

duke i hedhur tre lugë sheqer

dhe pak qumësht.

Zemra ime

me thonj të ngrënë

zgjeron vrimën.

GJAKIM

Dalëngadalë ikën dielli

bashkë me dritën humbas dhe unë

naiviteti im

dhe lufta.

O mami,

mami!

Sa e sigurt brenda teje isha,

falas merrja gjithçka

ndonjëherë më shkundte dhe ndonjë shkulm.

Më humbi pafajësia,

më hëngri vetja

ç’u gënjeva!

QERSHITË

Bleva qershi në pazarin e të shtunës.

Pjesën tënde e lashë mbi tavolinë.

Iku e diela,

e marta

dhe erdh’ e shtuna tjetër.

Qershitë aty,

mbi tavolinë

të heshtura

dhe mungesa jote

bërthamë

në stomakun tim.

XAMJE

Jam pa atdhe.

Ësht’ e xanun toka.

Ësht’ i xanun qielli.

Vështrimin ku do ta shëtit?

Pater Jakov,

lëre ndezur atë qiri

se s’dihet ku na perëndojnë sytë

e të na gjejnë fëmijët

tani që është xanun dhe koha!

PARA SE TË BËHEJ ENGJËLL

Nuk hante

as pinte,

ishte e ngopur gjithnjë.

-a ke hungër Non?

-po shpirti jem

– a ke pi diçka Non?

-po dashni!

-por buka është në pjatë,

uji është në kanë.

-Shuj, mos ta ndin kush.

Nona asht afër qillit

s’ban me rëndu krahët

e prej thymjes m’u tut!

Një grusht kocka njeri

iku ashtu siç desh,

pupël.

PASKA ARDHUR NONA DJE NATËN

Paska ardhur Nona dje natën.

I paska rënë derës.

Kam dalë unë ta hap

dhe paskam thirr’ nga frika

kur kam parë Nonën në prag

teksa mbante në shkëmb në krahë.

Ti ke vdes,

i paskam thënë,

pse ke ardh!

Por Nona paska qesh me të madhe

dhe nga goja i ka shpërthyer një ujëvarë

më paskan ra ca pika fytyrës,

e m’i paska tharë me frymë,

pastaj më paska thënë me zërin e saj të butë,

“Ani çiko,

m’bane me kjesh.

Ty veç desha me t’thanë

se dhimbta asht gjall’.

Po e marr Nona ma t’madhen pjesë,

e tash po ik,

tek deka

tuj kjesh me ty,

veç mos i thuj Fatit që erdha”.

Po lëre shkëmbin,

shkëmbin me vete

pse e merr,

i paskam thënë.

dhe Nona s’paska fol

ka kthyer kurrizin

është ngritur në ajër

me peshën e dhimbtë në krahë

si pendë

e më paska lënë të tronditur për vdekje

në derë.

Pastaj paskam rënë në shtrat

e më paska zënë një gjumë i thellë

si rrenë

pa peshë

pa dhimbje.  

Leave a Reply

Your email address will not be published.