Alma Zenellari

NJË DALLËNDYSH, PRES!

Të pash dallëndyshja ime kur erdhe,

Vrapova mallshëm dritares

për të shijuar fluturimin tënd.

Ti erdhe me cicërimë, zhurmuese.

Me flatra të gjalla vallëzove nën folezë.

Oh sa e bukur ardhja jote!

U vonove pak sa malli mu bë syth,

Sa malli trazoi këngën e erës dhe resë,

Me fije të brishta bari në buzë, ti cicërite,

Eja dallëndysh! Çele një syth, çele një gjeth

Se ardhja jote është ngazëllim i ajrit,

është limfa që lëvrin trupit ,

drerët e pemëve nisin vrapin

nga një tufë e kaltëreme resh .

Harlisin brirët, përqafen

sytë u ndrijnë nga lumturia.

Eja dallëndysh, se ardhja jote thërret agimet,

Thërret bletët,fluturat në dritare,

Se ardhja jote më çel në zemër zambakun e bardhë të paqes ,

një lulëkuqe ngre kyet në fushë

dhe unë ndizem prush.

Eja dallëndysh !

Me gishta blerosh një verore dy ngjyrëshe

e lë varur mbi degë pemësh për ty. Merre !

Me sqepin e brishtē bëje hark ylberi ,

mbaje syve këtë hark ngjyrash,

këtë hark drite,

Ngazëllema stinën e luleve me bisqe cicërimash!

* **

Në zemrën time

zgjohet çdo pranverë

një dallëndysh!

SELVITË

Bien selvitë nji nga nji

Qindra zogj përloten në rënie,

Fole dhe flatra thyhen në mes

Një sqep i përgjakur

thellë zemrës bëhet dhimbje .

Bashkë me cicërimat

dhe kënga ime vdes!

Qan prilli me lot dudish

Përse bien këto selvi,

me shpirtin dhe sytë drejt qiellit?

Ato që supeve mbajnë lindjet,

muzgjet, perëndimet e diellit…

Selvi të mbushura me dritë ,

Strehë e stinëve të bardha,

Strehë e këngëve të mia!

Qan e s’gjen ngushëllim.

Çahet nga malli

mes degëve, dudia

GRA TË GJELBRA

Po ç’është kjo grua,

që mbledh zogj në kraharor

që dritë të gjelbër

mbledh në sy ?

Ç’janë këto nuse, ç’janë këto gra?

Si u shfaqën aty ?

Si gjelbëruan kaq papritur,

kaq nxituar ?

Hap e mbyll krahë,

hap e mbyll duar,

Ëndrra dhe yje , fole dhe flatra,

I bëjnë bashkë çdo stinë.

Ato të bukurat si nusërojnë kështu?

Lodhje nuk njohin

Lodhje nuk dinë…

ANATOMIA E NJË BURRI

…Shkëndi që ndez zjarre

burim i pasosur,

horizont ku zgjohen mëngjeset

dhe flenë perëndimet.

Lot i heshtur,

trokitje, mërmërimë,

dëshirë e çmendur.

Çarku i buzëve të mia

kurth i ëndrrave të marra.

Ortek,

Lindje,

Perëndim.

TË DISH…

Të dish ç’është një pritje!

Për këtë duhet të ndjesh

si dridhet duarve të mia, një lule,

si bien mbi trotuar

petalet e saj gjithë dhimbje.

Duhet të kuptosh

pse mërmërijnë dy buzë,

pse mblidhen retë brenda syve të mi,

Pse rrudhet dielli pas shpine,

(bulëza djerse rëndojnë flokëve )

Pse zogut në duart e mia i përflaken krahët…

Por kur ti vjen,

Çdo gjë pëŕreth ndryshon papritmas,

Retë ndryshojnë formë,

Pemët ngjajne me kaproj të hutuar,

(çuditèrisht të bukur)

Zërat ndryshojnë ngjyrë,

Në stacion hapa njerëzish ndjekin ritmin

e një valsi të munguar…

Zogu në duart e mia kaltëron

dhe unë e lë

të hap një udhë në qiell…

Me ardhjen tënde pra,

u ndez një dritë,

u çel një udhë

Dy sy u bënë buzëqeshje,

Një zog vetveten gjeti në fluturim.

Mbi fletë trëndafili,

dhe zemra ime befas u çel!

NDONJËHERË!

Më ndodh ndonjëherë të të pres,

atëherë kur frymën ma zë malli,

në kafazin e hapur të dritares,

hyn ajri dhe më prek me gishtat e tu,

çdo gjë përreth më sheh me sytë e tu

dhe unë drithëroj…

Bien nji nga nji gjethe padurimi

dita bëhet e bardhë

ardhja jote gjithashtu…

Më ndodh ndonjëherë të të krijoj

(prej mallit sigurisht),

ndonjëherë prej erës,

ndonjëherë prej shiut,

ndonjëherë prej dritës,

dhe ti kthehesh arsye e zjarrmit dhe gëzimit,

e ankthit dhe frikës

Trembem mos më ikën…

Më ndodh ndonjëherë të të them

është koha të vish,

është koha të kthehesh

se dita nuk mbushet me ajër, me dritë

se dita ankohet nga pritjet e gjata,

se nata po fiket në duart e mia,

dhe loti dhe ylli ngadalë vdes

pa ty , nga kjo mungesë…

Më ndodh, më ndodh ndonjëherë

Që malli frymën ma merr !

Leave a Reply

Your email address will not be published.