Xhevahir Spahiu

BËJ TË VDES E NUK VDES DOT….

Bëj të vdes nën një ulli,

bëj të vdes e nuk vdes dot

nga malli i së bukurës.

Ajo re që shkon në qiell

m’i bën hije zemrës sime.

Ma zbardh jetën dhe shtëpinë

syri i së bukurës.

Bëj të vdes e nuk vdes dot,

s’më lë gjaku të shoh larg.

O ulli, më merr nën një rrënjë,

bukuri e saj, një gjëmë!

Dhe ulliri degët zgjat

të më fshijë nga sytë gjakun.

Bëj të vdes e nuk vdes dot.

Do të ngrihem të marr shpatën,

do të ngrihem të kap shatën,

të mbjell dhjetë rrënjë ullinj.

siç tha Gjergji, ati ynë.

Dheun unë e ajo biskun,

sikur mban një rreze drite.

Dhe pastaj e diel e dasmës

nëpër gjurmët e ullinjve.

Vallë vjen e diela kurrë?

Ah sikur të më harrojë

vdekja, siç harron ullirin

 …ah, sikur…

Leave a Reply

Your email address will not be published.