Ramë ORACA

APOKALIPTIKE

secili më i pashpresë se tjetri

udhëtojmë kah e nesërmja

e njëjta stinë na përcjellë

me të vetmen këngë që zor këndohet

nga etja e madhe

tani çdo gjë duket e pakryer

rrëzohesh e qohesh nëpër udhët tua

që tinës ta kthejnë shpinën

dikur e gjen një pikëtakim

të humbur diku në shesh të kryengritjes

përmallshëm të thërret një zë 

sa i ëmbël aq i hidhur

sa i largët aq i afërt

sa i njohur aq i panjohur

sa i ngrohtë aq i ftohët

sa i ulët aq i lartë

sa urdhëror aq paqësor

sa dëgjohet aq largohet

sa i gjallë aq i vdekur

sa zë burri aq zë gruaje

të thërret me krejt zërin që ka

kush e shprushi zjarrin e fshehur

në procesin e mëkatit

për të bukurën e dheut

që mbet përtej urës pa udhë

midis dy etjeve

asnjë udhë nuk na priu deri në fund

krejt bojëgjake rrëzohemi

si gjethe të vyshkura

biem mbi fatin e paemër

edhe sot mbi hirin e plagëve të djegura

fluturojnë zogj me emra tanë

të gdhendur në rrasa shekujsh.

POEZIA

vetëm gjëma e saj gjallëron fjalën

që të marrim udhë me këngën e pafund

ajo vjen si rigë shiu

vjen prej atje ku s`mundi të fluturojë

as zogu i diellit

kushedi sa herë e kemi ëndërruar veten

duke pritur etjen e saj

për një fjalë të pathënë

mijëra këngë e vaje ia përcollëm

e ajo bëhej edhe ma e bukur

larg syve tanë

secili prej nesh e duam për vete

shpesh i vëmë vetes dhe flatra engjëjsh

nga krimbat bëhemi flutura   

e nuk dihet në sa mënyra

shndërrohemi në çfarëdolloj

derisa të dehemi nga mungesa e saj

madje bëhemi dhe të çmendur

veten e pagëzojmë me emra hyjnish

që lindin e vdesin brenda nesh

ajo të gjithëve na e fali zjarrin e dashurisë

që t`i bëjmë dritë fjalës së pathënë

për ta nisur këngën e këputur

përherë etja e saj do të na mbajë zgjuar

me sy kah sythat e dritës

për të arritur deri te kroi i saj

përditë duhet të vdesësh nga pak

e të ringjallesh i etur për një puthje.

DOLLIA E NATËS SË FUNDIT

hape atë perde akulli e dashur

i sheh të huajit si vijnë madhështorë

dhe kërkojnë burime të reja gjaku

për ta emëruar fatin tonë

a jemi të përgjumur a zgjuar

e sheh majën e kodrës së bajrakut

feniksi paska ngre çerdhen e jetës

me cukla të shpirtit tonë

mos më lër kokëvarur në dritare

shkunde më atë tel të ndryshkur kitare

nisma këngën e këputur për të bukurën e dheut

se herët do me të plakë liria

e sheh e dashur fatin e fatit tonë

sa lehtë e valëvit era në pëlhurë të huaj

e ne ruajmë shtegun e urës pa udhë

që është bërë kryq e tërthor

s`di cilën etje ta përpijë

si me çengel diçka më tërheq teposhtë

e ata vijnë që t`na e shpërlajnë ajrin

nga riciklimi i mbeturinave vendore

s`di si u bëmë gati të huaj nën këtë kulm

as puthjet s`janë më puthje

e gjithë kjo shtrëngatë pa stinë

kërkon plumbin e humbur në plagën tona

mos më lër t`më zë gjumi e dashur

sonte do të festojmë bashkë me engjëj

le të gëzohet edhe zoti

sonte do të pimë në emër të dashurisë.

PËR TY

me afshin e frymës për ty

përnatë i gjallëroj fjalët e heshtura

që më rrinë pezull  

në portën e galtinës sime

ti erdhe si zog i trembur nga ëndrra

që fluturon nëpër të tria kohët

e nuk të shteron drita

ti nuk je ajo

që iu shkrumbuan buzët

nga etja në kuvli

kushedi sa herë

i kemi rrëfyer njëri-tjetrit

për fatin e pafat

për frymën e humbur

për ujin e vdekur

për sytë e shpresës

të gdhendur në galinë

ti erdhe andej nga s`vjen njeriu

tejpërtej i çave shtrëngatat

pas mijëra vjetësh

me të njëjtën fytyrë

erdhe që t`i kthehesh vetvetes

në sytë e mi të vyshkur

tani kam drojë të shuhet ky kujtim    

pa e nxjerr ofshamën e fundit

që ta shkund brymën e zemrës

të lidhur për frymën tënde

nuk e di me çka ta shuaj etjen

pa i trembur hijet tona

që duan të hyjnë në njëra-tjetrën.

XHUBLETA

(kostum engjëjsh me emra arbëror)

si kambanë që e tundin shtrëngatat

me një rubë të lëshuar mbi supe

valëzon etshëm me flatra engjëjsh

që frymojnë me emra tanë

fund e krye

si mozaik ngjyrash me copa shajaku

ajo i lidh të gjitha breznitë

që të gjallëroi lirshëm

hijeshia e të bukurës së dheut

me shirita ma t`bardhë se bora

si kandila me pigment ilir

ajo i ndriti të gjitha kohët

që mos t`i mbuloi mortja

damarët e rrënjës sonë

e qëndisur me gajtan mëndafshi

të erëzuar me lule xhamadani

si fije drite

lulëzon në sytë tanë

me kushedi sa pulla sermi

e thurur me liq e shpatë

ajo u bë vello nusërie

për dasmën e madhe

me krushq dardan

në valle me zana mali

ajo i prinë këngës kreshnike

si flamur fushëbetejash

krahëhapur para syve të zotit

valëvitet palë-palë xhubleta jonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.