Jorge Debravo
TI ARRITE NË SHPIRTIN TIM…
Ti arrite në shpirtin tim,
kur ai kish harruar veten.
Porta të shkulura,
karrige në kanale,
perdet rrëzuar, shtrati pa rrënjë.
Trishtimi kujdesej për të
si për një vazo lulesh.
Me duart e tua prej gruaje punëtore
vendose gjithçka në rend:
Vështrimin në vendin e vet,
në vendin e vet trëndafili,
në vendin e vet jetën,
në vendin e vet qilimin.
Lave muret me një leckë njomur
në gëzimin tënd të pastër,
në freskinë tënde të ëmbël.
I gjete valët e humbura radios.
Pastrove dhomat nga gjaku e mbeturinat.
Rendite gjithë librat e shpërndarë,
e shtrive shtratin nën vështrimin tënd pafund.
Ndeze të gjorat llamba të shuara
e ndriçove të drunjtën dysheme të ngrënë.
Ishe befasi e pamatë,
e gjerë, e fuqishme,
e fortë.
Djersitur nga lodhja e madhe
duke larë teshat e vjetra.
Kuptove që në shpirtin tim më parë ishte vdekja.
E shkule, e hodhe në kopsht me copat e thyera të pasqyrës.
(Në shqip Rielna Paja)