Hamit Aliaj

DRURËT FLENË JASHTË NË NATËN E BOTËS

Askush s’e di dramën e drurëve të pagojë,

Ata janë kalendarë:

Çdo vit që ka shkuar është një rreth në trupin e tyre,

Drurët kanë ankth:

S’e dinë çfarë i bën njeriu, ndaj grinden ndërveti,

Njëri jeton ankthin se do të bëhet kryq,

O për kryqëzime të reja, o kryq te kryet e një vorri,

Tjetri pret të bëhet derë,

Krevat ku shfryhen epshet e botës,

Trishtohen drurët që do të bëhen karrige

Ku ulen tiranët që pjellin krime

Drurët jetojnë dilemen e madhe të kohës kur do bëhen zjarr:

Flaka e tyre njeriun do të ngrohë, a do djegë qytetërime?

Lumturohen ngapak drurët që do të bëhen letër

Ku do të shkruhen lirika dashurie,

Po prap i zë ankthi i shkronjës së shpikur nga njeriu,

Dyshimi i madh, se në cilën letër të dalë nga drurët

Do të nënshkruhen shpallje lufte a urdhra pushkatimi,

Drurët trishtohen nëpër qytete

Kur i mbjellin në rresht e ngjajnë si ushtarë

Drurët vetëm për një gjë i tuten vdekjes:

Se vdekja e drurëve është mërgatë e pakthim e zogjve

Drurët flenë jashtë në natën e botës

Leave a Reply

Your email address will not be published.