Luan Rama

VENDI IM

Vendi im është një rrëfenjë

e vjetër sa bota,

është një shpat që zbret poshtë

në krahë të thyer shqiponje,

është një lumë lotësh

që derdhet në një det hidhërimi,

është një pranverë e hidhur dhe e mardhur.

Vendi im është ofshama ime që çpon qiejtë

është një tokë e thatë, e lënë djerrë,

një shpirt i mpiksur nga ngashërimi

në dritë qiriri,

është gjethja e ullirit që tundet fillikate në erë

mbi varret e vjetër, me gurët pa emër,

vendi im është një fshat i braktisur

me puse të heshtur dhe dyer të kyçur.

Vendi im është një poemë e pambaruar.

Eshtë bujtina në rrugën malore

e zbrazët, e verbët, pa njeri,

është vreshta e shkretuar, pylli i prerë rrafsh,

dhe kobi i tokës së braktisur,

është një emigrant me letrën e nënës

mbetur në xhep me fjalë premtimi,

është një kthim i vonuar nën një diell të verbuar.

Mjerisht vendi im është kthyer në plaçkë tregu

i atyre që duan aq shumë pushtetin

që zgjohen e ngrysen me të në shtrat,

është një orgji politikanësh pa skrupull

që dinë veç të premtojnë parajsën.

Por vendi im është dhe një lojë fëmijësh

që kapërcejnë litarin në rrugët e shpresës,

është dhe një ëndër e dielltë

që shkon ngadalë në hapat e një vajze të re

me një gjoks të njelmët, të kërcyer,

është puthja e ëmbël e fqinjes së dashuruar

dhe dasma që do të bëhet në vjeshtë,

vendi im është dhe mbetet gjithnjë rrëfenjë

që më mban të robëruar gjithnjë…

Leave a Reply

Your email address will not be published.