Albana Toçka
SHELGU I VETMUAR
Një shelg lotues mbi një varkë,
Derdh lotët e dëborës shkrirë.
Buzëqeshur varka gëzon në heshtje,
Çdo lot e pret me padurim.
Të thinjurat degë gjithë hir përkulur,
Ngarkuar borën shkundin lehtë.
E varkën plot përkujdesje hyjnore,
Mbulojnë ngadalë tek çlodhet qetë.
Muzikë të akullt fryn dimri degëve,
Serenatë krijojnë tingujt plot magji.
Varkën dhe shelgun e vetmuar,
I përqafojnë me dhembshuri.
Dikur aty në breg liqenit,
Ishin dy pemë përqafuar.
Por ja i vetëm shelgu tani,
I rrëfen mikes varkë i përmalluar…
Brengosur kujton rininë e vet,
Dikur i vogël me kurmin e njomë,
Tek e përkundte era lehtë,
Dhe një pemë mike e përqafon.
Por ra një ditë në gjumë të thellë,
Mbuluar borë e akull ngrirë.
E nuk kuptoi se si i humbi,
Mikja e tij në të thellën errësirë…
Ndaj që atëherë shelgu loton,
Për miken humbur një natë dimri vonë.
E varka ëmbël vajzërisht e vështron:
“Nuk më njeh vallë?Është melodia jonë…”
Por nuk kupton shelgu i ngratë,
I vrarë nga malli mes tingujsh dimri lëngon.
E përgjithmonë përkulur degët mbi varkë,
Dashurinë e humbur në përjetësi kërkon…