Profile: Kostandin LELI

AUTORI I RRËFIMEVE TË SINQERTA PËR FËMIJË

Krahas reportazheve e radioreportazheve të vogla nga jeta e gjallë e fëmijëve, skicave dhe tregimeve, letërsisë dokumentare për fëmijë; Kostandin Leli u mor edhe me shënime letrare për librat për fëmijë, edhe me recensionet dhe kritikën letrare

Xhahid BUSHATI

Kostandin Leli, u lind në vitin 1938 në Tërbuq të Gjirokastrës. Hyri si krijues në letërsinë shqipe, me prioritet letërsinë për fëmijë e të rinj, në fillim të viteve ’60. Hyri me botën e një mësuesi, me mbresat e historitë e nxënësve të tij mallakastriotë ku ishte mësues, me tregimet e reportazhet e para, të cilat ishin plot lëng jete. Ky lajtmotiv do të ndiqte pas gjithë krijimtarinë letrare të shkrimtarit Kostandin Leli deri në vitin 1990, kur ndërroi jetë.

Kostandini (ne, miqtë e thërrisnin: Kosta…) kishte mbaruar shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan. Në vitin 1964 nisi punën si redaktor i emisionit të fëmijëve në Radio Tirana. Jeta prej redaktori e gazetari të palodhur dhe këmbëngulës i shërbyen Kostës për të pasuruar përvojën jetësore e më pas artistike me materiale, mbresa, ngjarje e personazhe, që i skaliti aq bukur. Libri i tij i parë me titull “Përsëri me ne” (tregime, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë) u botua në vitin 1969. Më pas botoi përmbledhjet: “Gëzim për të gjithë” (skica e tregime, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1971), “Vështrim nga malet” (skica e tregime, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1974), “Fëmijët e një nëne” (novelë, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1975), “Punët e të gjithëve” (dramë, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1976), “Rrofshin partizanët” (tregime, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1979), “Zogjtë e shkëmbinjve” (roman, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1979), “Trimëresha e maleve” (tregim i ilustruar, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1982). Shkroi disa monografi të shkurtra letrare për rreth 60 pionierë që ranë me armë në dorë për lirinë e Atdheut, në serinë me një titull të përbashkët “Trima  e të vendosur” (në vëllimet 2, 3, 4 e 6, Sh. B. “Nëntori”, Tiranë, 1981, 1984, 1986).

Në kujtim të ikjes së Kostës, në moshën 52-vjeçare nga kjo botë, shkrimtari i shquar për fëmijë e të rinj, Odhise K. Grillo, do të shkruante: “Sa herë të hapen frontespicet e shumë e shumë librave për fëmijë, lexuesit e vegjël e studiuesit, do të gjejnë patjetër edhe këtë shënim: KOSTANDIN LELI. Dhe do ta kujtojnë me nderim. [… …] Kostandini iku duke lënë pas kujtimin e mirë dhe 12 libra për lexuesit e vegjël, në një kohë që kishte ende për të thënë në fushën e letërsisë dhe të publicistikës për fëmijë.”(Grillo, Odhise: “U foli fëmijëve me dymbëdhjetë libra”, gaz. Drita, 28.01.1990).

Kosta, për shumë vite punoi redaktor në redaksinë e letërsisë shqipe për fëmijë të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”. Këtu e njoha. Ishte një natyrë e heshtur, e sinqertë, fliste pak dhe ishte dashamirës. I pëlqenin miqësitë, ndaj dhe i dritësonin sytë. Nuk e lëshonte nga gishtërinjtë cigaren, po ashtu, dukej se cigarja kishte ndërtuar “folezë” në buzët e tij. Siç duket me duhanin kishte miqësi të ngushtë prej vitesh. Nuk mund të ndaheshin lehtë nga njëri-tjetri. Shumë herë u takuam edhe në Shkodër, kur vinte për promovime librash.

Krahas reportazheve e radioreportazheve të vogla nga jeta e gjallë e fëmijëve, skicave dhe tregimeve, letërsisë dokumentare për fëmijë; Kostandin Leli u mor edhe me shënime letrare për librat për fëmijë, edhe me recensionet dhe kritikën letrare. Nga kërkimet dhe hulumtimet tona, shkrimet e Kostës i gjejmë të botuara në gazetat, si “Mësuesi”, “Drita”, “Zëri i rinisë” dhe revistën “Nëntori”. Kosta lëvroi kryesisht shkrimin recensional, ku pasqyrimi i veprave kishte shpërfaqje të saktë, e shpesh me argumente të teorisë letrare.

Kosta me intuitën e tij dhe përvojën e pasur jetësore, pati disa shikime dhe raporte me veprën letrare që merrte në shqyrtim e, që përpiqej krahas informacionit që jepte për veprën, përpiqej ta zbërthente e analizonte atë. Edhe unë, në këtë shkrim po përpiqem t’i grupoj këto shikime artistike të Kostës, me qëllimin për të plotësuar edhe këtë faqe të portretit të tij.

Tek romani “Jam bir i popullit tim” i shkrimtarit Ferhat Çakaj; Leli evidenton raportet dhe marrëdhëniet e veprës me kohën që lë shenjë në të, me problematikat përkatëse që trajtonte romani. (Leli, Kostandin, shkrimi: “Jam bir i popullit tim”, gaz. Drita, 13.12.1978). Ndërsa në shkrimin “Çufoja dhe Bubi Kaçurel” – një roman i bukur për fatosa, artikullshkruesi ndalet në këto “stacione”: – tek individi si personazh, – tek rrezatimi i botës së tij, – tek trajtimi i së vërtetës artistike dhe asaj jetësore, etj. (Leli, Kostandin, shkrimi: “Çufoja dhe Bubi Kaçurel” – një roman i bukur për fatosa, gaz. Mësuesi, 29.03.1978). Ndërsa në dy shkrimet: “Legjenda dhe rrëfime për Skënderbeun” të Naum Priftit dhe “Poezi të frymëzuara nga jeta e të vegjëlve” (kjo trajtesë e zgjeruar është për librin “Të parën lule kë keni?” -poezi- të poetit Odhise Grillo; Kosta, kësaj radhe, na shfaqet më shumë si kritik letrar, duke iu shmangur tradicionalizmit të shkrimeve të veta. Zbërthimi i koncepteve zhanrore “legjendë” dhe “rrëfim” prizmohet përmes analizës së tregimeve dhe mishërohet te figura e Skënderbeut, të raporteve të tij me popullin. Në këtë plan shfaqen dhe tiparet njerëzore dhe trimërore të këtij luftëtari të madh që bëri epokë në historinë e Shqipërisë. Ndërsa te libri poetik i Odhisesë, Kosta ndalet në origjinalitetin e poetit Grillo, në konceptimin e tij të freskët të motivit, në format lodërtare ku marrin pjesë dhe fëmijët, në mënyrat e larme poetike larg moralizimeve, në shfrytëzimin me efikasitet të folklorit, në rëndësinë e fabulës së vjershës, në rrjedhshmërinë e muzikalitetin e vargjeve, etj. Veçanërisht në këto dy shkrime shfaqet dukshëm dhe kulturologjia e Kostës. (Leli, Kostandin, shkrimi: “Legjenda dhe rrëfime për Skënderbeun”, gaz. Mësuesi, 08.08.1979; shkrimi: “Poezi të frymëzuara nga jeta e të vegjëlve”, gaz. Drita, 14.02.1982).

Kontributet e shkrimtarit për fëmijë e të rinj Kostandin Leli, krahas rrëfimeve të çiltra e të sinqerta të tregimeve për fëmijë, por edhe atë tufëz shkrimesh në fushën e mendimit kritik, janë të vlefshme e dëshmi të rrugëtimit të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj në një periudhë kohore, të stadit të zhvillimit të saj, të arritjeve dhe mangësive të saj. Një dokumentacion i tillë është i domosdoshëm të njihet, të vlerësohet dhe t’u referohesh; sepse e gjithë kjo arkivë është një ndihmesë e vyer për një rishkrim më të mirë e më të plotë të librit të Historisë së Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.