Armenida QYQJA

PSALM I NETËVE TË MIA

Në terrin e natës llamburin një mendim,

Sa herë e trembur, hap sytë,

Të përgjumura, të thërrasin ty buzët, 

Si një psalm, sërish e sërish…

Shkëndijat ndezin ajrin e fjetur,

Emrin tënd, e bëjnë qiri,

Nën flakën e kujtesës, sytë e etur,

Pranë vetes të shohin, përsëri…

Është ora dy dhe e di që duhet të flë,

Një ditë tjetër përgjon pas xhamave,

Dritën e ngrohtë dhe buzët e tua,

I lë të m’i mbyllin, sërish qepallat…

Shtator 2023

AQ SHUMË!

Në korridoret e kujtesës kundërmojnë 

Parfumi yt dhe dëshirat e mia,

Që bëjnë sikur u binden frerëve,

Tek flirtojnë me gjendjen statike të ajrit,

Elektrizimin e pashmangshëm të trupave…

Kujtesa, kujtesa luan me ndjenjën

Dhe e kalon në nivelin e dytë lojën,

Duke zgjuar frymëmarrjen e rënduar,

Urinë e fshehur nën lëkurë…

Pré e saj, kam rënë tashmë, 

Dhe ajo s’ka më nevojë, 

Më lart se kaq ta ngrejë lojën…

Më mungon shumë, aq shumë,

Sa s’dua t’i thërras më botës racionale…

Prill 2024

MË I BUKURI MOTIV

Kafetë vazhdojnë misionin e tyre 

Të ngritjes së presionit të gjakut

Ndërsa ai hiqet zvarrë, padëshirë,

Dhomave të pagjuma të kujtesës…

Symbyllur rri në shtrat dhe mendon ty,

Ndërgjegjja dhe zëri yt i thonë të lëvizë

E të vazhdojë rrugëtimin, 

Të bëjë punët e pabëra…

Po e mbledh veten dhe po ngrihem,

Kokrrat e grurit dhe maja e piramidës 

Shohin nga unë dhe unë nga ty,

“Kur bashkë të jemi një ditë aty”…

Korrik 2024

ME ERËN E MALLIT

Mungesat e tua mbledh e zbret heshtja,

Zemra me zero i shumëzon, përherë…

Erën e mallit tim po të nis, me të eja!

Botës nuk i duhet dhe një tjetër Saharë…

“Non grata” shpalli të tëra arsyet,

Që të vish tek unë s’të lënë!

Iluzione mjerane janë muret,

Që ndarë kërkojnë t’na mbajnë…

I shtriva krahët sërish në pritje,

Me sytë mbyllur, shtrirë në përrallë,

Me erën e mallit, sillma një puthje,

Vesën e syve, lëshoma mbi ballë…

Gusht 2021

PËR TY DHE VETEN

Po arratisem, në një guvë vetmie,

Në kërkim të vetvetes,

Ti di si t’më gjesh dhe tërë fjalëkalimet 

Që çelin shtigjet…

Kur të vish, erë t’u marrësh 

Tërë dashuri flokëve të mi,

Do të jetë vetëm aroma e tyre,

Asgjë e turmët, asgjë e mishmashtë…

Po iki, po shkoj tani, 

Që të mund të të jap përsëri

Gruan që ti do dhe vetëm atë!

Jepmë pak kohë, 

Nga vetja t’i zhvesh të tëra…

Korrik 2024

NGA DASHURIA

Ka çaste e orë që humb

Në vorbulla ndjesish të vogla,

Ushqim piranjash bëhem e pakuptuar,

Piranjash, që nga brenda-jashtë hanë…

Derisa vjen ti dhe më shkund

Me zërin tënd të butë,

Vështrimin që tret çdo zemratë

Dhe e zvogëlon botën, fëmijën e praptë…

Ti bën sikur s’e kupton

Nxitimin tim për të restauruar 

Imazhin, pjesët e ngrëna të zemrës,

Një vetvete më të mirë të të vë në altar…

Qershor 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published.