Sabit B. Bajraktari
FIJE TË PAKËPUTURA*
Me Prishtinën u takova sërish
Në një ditë të qetë korriku
Njerëz gjithandej libra zogj… mbeturina
Vajza të bukura si askund në botë
Meshkuj me dhembje qafe që vështrojnë…
Teksa ngjitesha Sheshit Nënë Tereza
Pash hijen time… nxitonte
Student i letërsisë në dorë librin Fije të pakëputura
Simpatia ime që është bërë grua e dikujt
Hijes së një miku që s’është më në këtë botë
I rashë përskaj nuk e di nëse më pa
Njëzet vite Prishtina u la nga shiu
Ngricat e dimrit e përqafuan egërsisht
Erdhën dhe ikën shtegtarët e dijes
Lindën dashuri
U shuan dashuri
U harruan dashuri
Kulla të Bebelit ndërtohen çdo ditë
Zoti diku në kozmos luan bixhoz
Me endacakët e pashpresë
Tashmë koha e ka bërë të veten
S’u shfaq te shkallët e Filologjikut Doruntina
Ku e di në cilën stinë jeton ajo
Cilët sy admirojnë sytë e saj
Cilën dorë shtrëngon dorë e saj
Nga mëngjesi deri në drekë u ndjeva njëzet vjeç
Magjia e këtij qyteti eliksir
Bukuri e brishtë kryeqyteti
Takimi pas kaq vitesh me Prishtinën u bë portret
I fshehur në gjethet e pemëve
Me degët e varura deri në trotuar
Dashuri bënin pemët dhe rrugët
Në sy të një qeni endacak
Shikonte drejtë e në sy kalimtarët
Sikur lutej për ca thërrime bukë
Për një përkëdhelje
Teksa e pija një ekspres të hidhët
Përballë dy flamujve të një ambasade…
Lexoja një thënie në një copëz letre
Që e solli kamarjeri
Si një vizitor jashtëzakonisht i rrallë
E lashë Prishtinën aty ku e gjeta
Hipa në makinën me xhama të pluhurosur
Që të kthehem në kohën time
Me kujtime të ndërlikuara
E shpirt të ndarë në mes
* Fije të pakëputura, titull i një libri të Agim Vinces.
(Prishtinë, 19 korrik 2024)