Profile: Aleksandër Moisiu

ZËRI MË I BUKUR I SKENËS EVROPIANE

Aleksandër Moisiu ishte sovran i skenave të teatrit gjerman dhe evropian. Ai i shkeli këto skena nga Roma, Praga, Berlini, Parisi, Londra, madje që nga Egjipti dhe deri në Nju Jork

Shkruan: Selman JUSUFI

Zë dehës, vështrim hipnotizues, karakter gjaknxehte, – Aleksandër Moisiu erdhi nga jugu i Ballkanit në Vjenë, Pragë dhe Berlin, për t’u bërë aktori më i madh i skenës evropiane. Në Gjermaninë e zymtë të Shopenhauerit ishte i adhuruar dhe i urryer njëkohësisht, në metropolet e Evropës dhe të Amerikës ishte i nderuar. “Aktori pa atdhe” bënte jetë bohemi. Pinte shumë dhe flinte pak. Një poet yni thotë se ai të gjitha i kishte të huaja: “Këpucët, kostumin, kravatat; banesën, mobiliet, pasaportën, miqtë dhe peizazhet. Vetëm timbri i zërit të tij ishte krejtësisht shqiptar…“.

Athua, a kishte të drejtë?!…

Në Lugano të Zvicrës me 1994, në një bisedë mbi Moisiun, gazetari dhe moisiologu gjerman, Rudiger Shaper, qe sëkëlldisur së tepërmi kur i thashë se Moisiu është i “imi”… Kontestin e zgjidhem me “drejtësi”. Nga shpirti dhe gjaku e lamë shqiptar, nga kreacioni, gjuha dhe vepra mbeti gjerman. Pajtimi ynë përfundoi me nga një gotë verë të jugut dhe një poezi të Gëtes në shqip…

Ky autor në vitin 2000 botoi në gjermanishte ndoshta librin më interesant për Moisiun. Ai shkruan: Ditët e vizitës sime të parë në Shqipëri, në nëntor të vitit 2002, janë të paharrueshme. Më dukej sikur isha pranë Aleksandër Moisiut, ndërkohë që kisha pak kohë që kisha mbaruar punë me librin. Shumë kohë përpara se të më shkonte në mend për librin, djalit tim i vura emrin Aleksandër. Jeta ka rastësi që në të vërtetë nuk janë të tilla.

Aleksandër Moisiu ishte aktori numër një në Gjermani nga viti 1910 deri në vitin 1930. Hamleti i Shekspirit ishte një nga rolet e tij më të mëdha. Edhe në jetë e thërrisnin Princ. Princi i skenës Aleksandër Moisiu, në mënyrë tragjike dhe të çuditshme e ka jetuar tangjent kohën e vet…

Moisiu shkroi dramën në pesë akte me titull “I burgosuri”. Një dramë e teatrit absurd do të thuhej sot. Në Shën Elenë, ku e syrgjynosën në një stallë lopësh Bonapartin dhe shpurën e tij prej Perandori, që sapo kishte dalë nga Revolucioni. Moisiu e nderonte të syrgjynosurin në shpellën e Shën- Elenës. Napoleoni i Moisiut ilustron melodramën e një aktori të madh, thotë Schaper, për të shtuar: Le të duket i tepruar krahasimi, por paralelizmi Napoleon – Moisi është i qartë si drita e diellit. Aktori që po plakej para kohe, ky princ i vrarë nga jeta, po përpiqej të çlirohet nga një krizë e rëndë ekzistence nëpërmjet një drame për kultin e një gjeniu, por kritikët e kohës u turrën të tërbuar mbi dramën e tij. Ndërsa, kishin kaluar vetëm pak ditë që nga premiera e “Të burgosurit” të tij, kur në Teatrin kombëtar gjerman po jepej një tjetër premierë e një shfaqjeje mbi Napoelonin e titulluar “Njëqind ditë”, me dramaturg Benito Musolinin. Atë mbrëmje shkuan në Vajmar diplomatë, drejtorë teatrosh nga gjithë Europa dhe jehuan thirrjet “Hajl”! Të gjithë e dinin  në të vërtetë se dramaturgu Xhovakino Forcano qëndronte pas emrit të Musolinit. Lartë në lozhë ishte ulur Adolf Hitleri. Një vit pas natës së premierës Hitleri mori pushtetin në Berlin. Telefonata dhe letra anonime kërcënonin Moisiun. Shtypi nazist e quante “hebre me ide të rrezikshme”.

Në janar të vitit 1920, në një sallë të Hamburgut Moisiu po recitonte Gëten. Aty ndodhi një betejë e hapur në publik. Pas mbarimit të vargut të fundit: “Mbuloje qiellin tënd, o Zeus me avull reshë…!”, pasoi një heshtje, pastaj durtrokitje të gjata, pastaj në skenë u hodhën bomba molotovi me tym, – por nuk ishte Zeusi ai që mbuloi qiellin e skenës me tym, por një pjesë publiku që çirrej: “Gëteja dhe çifutët”. Pjesa tjetër e publikut në sallë doli në skenë në mbrojtje të aktorit.

Aleksandër Moisiu dalëngadalë do ta linte Gjermaninë. Do të kthehej në Itali për të xhiruar një epos kombëtar. Në intervistën e fundit dhënë një reviste italiane me 1935, kur dy gazetare të reja e vizituan në dhomën e veshjes në garderobë, dhe kur bëhej gati për të dalë para publikut në shfaqjen e Bernard Shout: “Mjeku në udhëkryq”, ato kërkuan vetëm disa fjalë mbi sëmundjen e tij dhe planet e mëtejshme. Moisiu u përgjigj me fjalët e personazhit që luante atë mbrëmje: “Planet e mia të mëtejshme janë fare të thjeshta: do të vdes”.

Në dramat e Pirandelos dhe të Ibzenit aktronte personazhe lirike, në ato të Shekspirit dhe të Tolstoit tragjikun me rutinë botërore. Vdekja ishte shenjë e tij identifikuese. Kronikët e kohës thonë: askush nuk vdiq aq mrekullisht në skenë, sikurse Moisiu. Ky aktor, thonë, përhapi Ungjillin sipas Moisiut. Fedja i tij është një Krisht i përvëluar idealist, i shtënë pas pijes, vetëmëshirës dhe vetasgjësimit. Vetëm te “Kufoma e gjallë” e Tostoit, e cila zgjaste katër orë, ai ia veshi vetës me plumb mbi kokë mbi njëmijë e pesëqind herë…1500 net në Europë, Afrikë dhe Amerikë, – në kujtim të tij sot mund të gjendën vetëm 55 sekonda nga kjo dramë katërorëshe në Arkivin e Filmit Austriak.

Së bashku me Maks Rainhartin në vitin 1920 themeloi Festivalin teatror të Salcburgut dhe u bë Jadërmani i parë në skenën e teatrit gjerman. Ishte pesëdhjetë e pesë vjeçar kur u nda nga jeta. Historia e tij shpalosë një nga biografitë më emocionuese të një artisti evropian të fillimshekullit XX.

Kush ishte kjo fantazmë e skenës, ky aktor i zgjedhur i Maks Rainhartit?… Fëmija i nëntë dhe i fundit i Konstandin Moisiut dhe Amelia de Radës, Aleksandri u lind në Trieste me 1879. Pas lindjes kthehet në vendlindjen e babait dhe në Durrës kreu disa vite të shkollës fillore. Me 1890 prindërit e tij, për shkaqe ekonomike, e braktisin prapë Shqipërinë dhe vendosen përsëri në Trieste të Italisë. Prej atje ai vazhdoi studimet në Grac të Austrisë. Në Durrës u kthye për herë të fundit më 1899, me rastin e martesës së motrës së tij, Mellanisë.

Në pozitën e një vendi të vogël e të prapambetur, çfarë ishte Shqipëria e asaj kohe, ishte e vështirë të besohej se një nga korifejt e artit skenik botëror të ishte një aktor me prejardhje shqiptare. Aleksandër Moisiu kurrë nuk e mohoi prejardhjen e tij. Moisiu ishte një aktor komplet, i cili u shqua për nga stili origjinal i aktrimit. U shqua për temperamentin dhe interpretimin ekspresiv të personazheve në skenë. Repertori i shfaqjeve në të cilat ai aktronte përfshinë një univers të gjerë të dramaturgjisë evropiane; nga tragjikët antik e deri te modernistët e shekullit XX.

“Unë i besoj Mikelanxhelos, Valeskuezit, Rembrantit, forcës së artit, misterit të ngjyrave, shpëtimit nga e keqja përmes së bukurës së përjetshme dhe misionit të artit…”,- ishin fjalët predikuese të aktorit. Në moshën njëzetvjeçare konkurroi në Konservatoriumin e Vjenës, por u refuzua në mënyrën më të vrazhdë dhe si i patalentuar. Njohja me aktorin gjerman Jozef Kaincin ishte vendimtare për fatin e karrierës së tij. Në “Burgteatrin” vjenez u pranua si figurant. “Kur jetoja në Vjenë, isha i ri dhe i varfër. Në atë kohë e ardhmja ime ishte tepër e zymtë. Nevoja për të ekzistuar më detyruan të punoj si figurant, duke marrë çdo mbrëmje një shpërblim fare të vogël”,-  rrëfen për vete Moisiu. Me sugjerimin e Kaincit ai shkon në Teatrin gjerman të Pragës. Drejtori artistik i këtij teatri, Neumani i beson role kryesore dhe personazhet e tij zgjuan kureshtjen dhe ngjallën interesimin e kritikës dhe opinionit artdashës. Emil Faktori, një ndër kritikët më të mëdhenj të asaj kohe, shkroi: “Aleksandër Moisiu e tronditi publikun e Pragës, edhe pse ky publik kurrë nuk kishte dëgjuar për këtë aktor të ri”!…

Në turneun e tij teatror, në Odesë, i erdhi telegrami për vdekjen e të atit, Konstandinit në Shqipëri. Nga Deti i Zi i shkroi së ëmës: “Thellësisht i tronditur mora vesh se ati ynë i gjorë na la përgjithmonë. Më shkruaj më hollësisht se si ndodhi…”.

Vdekja e së ëmës gjithashtu e gjeti në një turne tjetër në Amerikë. Lajmi i erdhi nga Vjena, ndërsa ai gjendej para audiencës në një skenë të Nju Jorkut. Në Brodwei, Moisiu luante rolin që e kishte bërë të famshëm njëzetë vjet më parë, Osfaldin nga “Fantazma” e Ibzenit. Atë natë në shfaqje, gjatë pauzës, para aktit të fundit, i sjellin një letër. Ai e hapi, e lexoi dhe sërish doli në skenë. Bashkë-kohanikët thonë se me pikëllimin për vdekjen e nënës aktroi në pjesën e fundit  të shfaqjes me një ritëm marramendës dhe sinkopa të një heshtjeje të paparë ndonjëherë. Pas përfundimit, publiku me ovacione e priste në skenë, por ai ishte mbyllur në garderobë dhe kishte shpërthyer në vaj.

Aktori Aleksandër Moisiu u lind në pranverë dhe vdiq në pranverë. Në Europë është epoka e diktatorëve: Hitlerit, Stalinit, Musolinit, Frankos dhe shumë të tjerëve. Ai ndërroi jetë mbrëmjen e 22 marsit të vitit 1935 në orën 7 e dhjetë minuta në një Sanatorium të Vjenës. Në nadjen e 22 marsit të vitit 1935, Moisiu u ngrit nga shtrati, kërkoi një laps dhe shkroi: I dashur ose E dashur. Këto ishin fjalët e tij të fundit. Ky shkrim i tij i shkruar pesë orë përpara vdekjes ruhet në Bibliotekën Kombëtare Austriake në Vjenë, me numër: 296546.

 Gazetat e Vjenës, Berlinit, Romës dhe të Milanos e botuan lajmin në faqet e para. Ato shkruan se ai ishte zëri më i bukur i skenës evropiane. Zëri i tij kishte një tingëllimë magjike, ishte një kuti muzikore, ndërsa mjeshtëria e aktrimit të tij kishte diçka të shenjtë. “Kufoma e gjallë” e Tolstoit ishte shfaqja e fundit e jetës së tij. Burri që ndryshoi përgjithmonë Teatrin e Berlinit quhet Maks Rajnhard. Aleksandër Moisiu nuk do të kishte ekzistuar kurrë pa Maks Rajnhardin, por as shkëlqimi i këtij të parit nuk do të kishte ekzistuar pa Aleksandër Moisiun. Moisiu krijoi tipin e ri të aktorit. Aktorin që ndërgjegjësohet gjatë lojës dhe teksa luan shkëlqen dhe ekspozon ekzistencën e vet. Artisti i shekullit të njëzet ishte një shpirt dhe një vullkan në zbërthim e sipër…

Moisiu pothuajse bëri jetë refugjati. Pak javë para vdekjes atij i vjen lajmi nga Tirana zyrtare (mbreti Zog) por edhe nga Italia mbi dhënien e shtetësisë, por tashmë ishte vonë. Në shtratin e vdekjes, sipas kritikut gjerman Rudiger Schaper, i pëshpëritë gruas së tij, Johanës, italisht: “Multo tardi”, – ndërsa sipas Vangjel Moisiut fjala e tij e fundit ishte në gjuhën shqipe: “Tepër vonë…”.  Pjesën e fundit të jetës ai e kaloi në Zvicër. Për ironi të fatit, një kohë ishte i ndjekur edhe si hebre, edhepse gjatë luftës së Parë Botërore ai mori pjesë në ushtrinë gjermane dhe ishte ko-pilot aviacioni gjatë kësaj lufte. Më 27 korrik 1915 gazeta “Berliner Blat” shkruante: “Aleksandër Moisiun e Teatrit Gjerman, i cili pak pasi shpërtheu lufta hyri në regjimentin e Gardës së Berlinit si vullnetar, e bënë toger për trimëri të jashtëzakonshme në rreshtin e parë të zjarrit në La Base dhe e nderuan me “Kryqin e Hekurt”.

Ai u zu rob nga francezët dhe për lirimin e tij u angazhua Viktor Eftimiu, diplomat dhe shkrimtar rumun me prejardhje shqiptare. Eftimiu shkruan: “Para Luftës së Parë Botërore e kisha parë Moisiun duke aktruar në teatër, por aso kohe nuk e njihja personalisht. Në vitin 1915, kur ndodhesha në Berlin erdhi tek unë Johana Tervin, gruaja e ardhshme e Moisiut. Më tha se Aleksandri ishte rob lufte në Francë, i sëmurë dhe se po të mbetej akoma në kampet e burgut, ishte rrezik të vdiste… Me t’u kthyer në Bukuresht ndërhyra pranë ambasadës së Francës dhe ia arrita qëllimit. Aktori i madh u lirua, duke u shkëmbyer me një gjeneral francez, të kapur prej gjermanëve”.

Dëshmitë më të shumta për jetën e tij ruhen në Teatrin austriak dhe në arkivin e Teatrit gjerman në Berlin. Krijimtaria e tij skenike hyri në enciklopedinë botërore si vlerë e përhershme e kulturës dhe civilizimit botëror. Gjatë jetës së tij, për të u deklaruan shumë emra të njohur të teatrit evropian. Po citojmë disa: “Moisiu ishte aktori më i fuqishëm në skenën e Reinhartit”, Emil Faktori, kritik. “Forca interpretuese e Moisiut ishte si të rënët e harkut në një violinë të Stradivarit, kur një mjeshtër interpreton Bethovenin…”, Gerhart Hauptman, dramaturg. Stefan Cvajgu: Të gjithë dëgjonin dhe shikonin një perëndi. Sy të errët, shkëndija drite. Vështrim që të bën gjithmonë për vete.

Klaus Man: Moisiu i merr njerëzit me vete me sytë dhe me zërin e tij.

Unë i pashë përsëri ata sy shumë vjet më vonë, – thotë e bija e Moisiut, 65 vjet pas vdekjes së të atit,- dhe ju nuk do të besoni se ku – te Pikasoja. Betina Berggruen ishte nëntëvjeçare kur i vdiq i ati.

“Në kujtimet e mia më të bukura hynë bashkëpunimi im me Moisiun…”, Albert Baserman, aktor gjerman, mbajtës i shpërblimit nacional gjerman “Unaza e Inflandit”.

“Hamleti është i shkruar për Moisiun dhe Moisiu ka lindur që të interpretojë atë…”, Maks Brod, shkrimtar.

Franc Kafka në shkurt të vitit 1912 shkoj për të parë Moisiun dhe atë mbrëmje ai hyri në një luftë të brendshme të cilën e përshkruan në Ditar. Ja si e përshkruan Kafka Moisiun: “Një vështrim i panatyrshëm. Ai rri ulur, i qetë në dukje, ndoshta i ka futur duart të bashkuara mes gjunjëve, sytë hedhur nga libri që ka përpara dhe e lë zërin t’i vijë drejt nesh, me frymën që i merret, sikur vrapon. Asnjë fjalë nuk humbet, përkundrazi,gjithçka sa vjen e bëhet më e madhe, gjithçka forcohet sipas dhuntisë së tij dhe na merr edhe ne me vet, – ç’ mundësi që i shpalosen zërit të tij këtu. Ashtu siç punon salla për zërin e Moisiut, ashtu punon zëri i tij për ne. Po pe nga tavani i sallës, të ngrenë vargjet lart. Një zë mbinjerëzor, një zë si një varkë e lehtë mbi ujë… Një gjumë hipnotik…Zëri, mimika, dhe gjestet e Moisiut paraqesin diçka unike, të cilat nuk janë parë kurrë në artin skenik botëror”.

Askush nuk e ka përshkruar Moisiun në mënyrë aq të gjallë si Kafka në ato faqe ditari. Ai ishte i pushtuar nga prania dhe forca emocionale e Moisiut, i cili atë mbrëmje në skenë po recitonte poezi të Gëtes dhe të Shekspirit. “Përshëndes Aleksandër Moisiun, të cilit i jam mirënjohës për jetë, si njërin nga interpretuesit më të përsosur të personazheve të mia”, Luixhi Pirandelo, nobelist.

“Është një djalë shqiptar që në Evropë e interpreton Hamletin më mirë se sa unë që e kamë përkthyer”, Fan Noli.

“Moisiu, të cilin kam privilegjin ta njoh jo vetëm në skenë, por edhe në intimitet, i zotëron të gjitha cilësitë që duhet t’i ketë një artist i madh”, Tatiana Tolstoi, e bija e shkrimtarit të famshëm Lav Tolstoi.

Moisiu u njoh me vajzën e Tolstoit gjatë një turneu të “Kufomës së gjallë” në Moskë. Moisu pastaj shkoj me Tatjanën për pelegrinazh në Jasnaja Poljana, çifligun e Tolstoit, ku ishte varrosur princi. Ra në gjunjë në dhomën e Tolstoit. Në Leningrad qëndroi para varrit të Dostojevskit. Pas vdekjes së Moisiut, pelerinën që ai mbajti terë ato net në rolin e personazhit të Tolstoit, në Rusi -sot ruhet në muzeun “Tolstoi” në Moskë.

Aleksandër Moisiu ishte sovran i skenave të teatrit gjerman dhe evropian. Ai i shkeli këto skena nga Roma, Praga, Berlini, Parisi, Londra, madje që nga Egjipti dhe deri në Nju Jork. Ai bëri jetën e një ylli të hershëm të Kazanovës dhe të aventurierit. Ishte i lodhur nga fama, nga reflektorët, nga turnetë, nga intrigat. Vdiq në kulmin e krijimtarisë së tij. Në ceremoninë e varrimit, aktori Albert Baserman, në shenjë respekti hodhi mbi varrin e tij “Unazën e Inflandit”, shpërblimin që u jepej aktorëve më të mëdhenj gjerman.

Sipas dëshirës së Moisiut, arkëmorti dhe vazoja me urnën (hirin) e trupit të tij të djegur u përcoll nga miqtë e paktë dhe tingujt e Simfonisë së  Bethovenit. Moisiu la pas vetes mbi dyqind role në teatër, dymbëdhjetë filma pa zë, disa shkrime si dhe një tekst drame të papërfunduar mbi jetën e Napoleon Bonapartës. Nga gjithë kjo kanë mbetur vetëm disa shirita filmik të cilat ruhen në “Cinecita” të Italisë dhe në një muze filmik në Amerikë si dhe një shirit radiofonik me disa intervista dhe recitime të poezive të Gëtes, të cilat i ruan edhe autori i këtij shkrimi. Të tjerat i mbuloi harresa!…

Në një kohë vetmie dhe kthesash të mëdha historike, Aleksandër Moisiut nuk i mjaftojnë skenat evropiane e botërore, as fama e tij. “Toka e Premtuar” i kthehet në një obsesion, ndoshta mbi rrënjët që i ka diku largët, në një vend të humbur dhe në një mbretëri të vogël të quajtur: Albania. Dhe fundi vjen… Shkëlqimi i përket përjetësisë. Trupi arkivolit. Në varrezat e Morkotës në Zvicër, sipër liqenit të Luganos, një pllakë mermeri ndriçon emrin dhe lavdinë e tij. Vështrimi i rrëshqet nga varrezat malore të Zvicrës teposhtë Italisë dhe Shqipërisë. Fantazma dhe malli i tij drejt Triestes dhe Durrësit kah’ deti Adriatik.

Dhe si të mbyllë fjalët mbi këtë figurë madhështore…

Kjo fantazmë që gjithnjë më ndjekë,

Ky zë i lashtë i mjeshtrit ilir…

Testamentet e tij gjermane që deklamonin melodinë e tekstit shqip,

Skenave të Perëndimit,

Natën kur u nda Iliriada!…

Leave a Reply

Your email address will not be published.