Teki Dërvishi
VETËM SELMAN JUSUFI
(Mikut tim, aktorit A.Kasapolli)
tetëdhjetë e dyshit dhjet vjet më parë
ekzili i tretë ma mbylli derën e banesës me therë
vetëm poeti Selman Jusufi vinte pa trokitur
dhe ma ligjëronte domethënien e vetmisë
me poezinë “Nata kur e vranë Xhon Lenonin”
ishte dimër vrasjesh poetësh kitaristësh
dimri i vetmisë së vogël i vizatuar në dritare me lara ngrice
kumritë pritnin verën t’i këndojmë erës së blirit të egër
gu – gu – guuuu Jusufi këndonin vëllain e vrarë
në banesën në Topane të Shkupit zbrazur fare pa mobilje
pa letër shkrimi pa makinë shkrimi pa gjak Jesenini
nga vetmia
nëpër muret me fllomaster shkruaja “Bregun e pikëllimit”
vetëm nuk ma lente shpirtin e etshëm poeti i ri
vetëm Selman Jusufi vetëm ai
vetëm natën e varrit e kalonte edhe poeti tjetër
larg në një vend të huaj mbuluar me dhe të zi
(24 qershor, 1992)