Shining-092 AQU015-092

“THE SHINING”, BASHKËPUMI KING – KUBRIK

Romani i King, botuar në vitin 1977 dhe adaptimi filmik i Kubrik, i realizuar në vitin 1980, janë dy krijime që, edhe pse ndajnë titullin dhe bazën e historisë, dallohen për qasjen e tyre unike ndaj rrëfimit dhe karaktereve

Nga Leonard VEIZI

Xhak Nikolson shkëlqeu me rolin e Xhak Torenc, por shkrimtari Stefën King e urrente mënyrën se si regjisori e formësoi atë në një personazh të dobët. Dhe Xhak Torenc si personazh nuk ishte gjë tjetër veç autorit të romanit. Bëhet fjalë për romanin “The Shining”, të cilën Stenli Kubrik e ktheu asgjë më pak se një klasik kulti. Por, shqetësimi më i madh i King ishte se Kubrik nuk arriti të njihte pjesët autobiografike të romanit. Si të gjithë autorët, King kishte vendosur pak nga vetja në libër, duke e parë veten në një farë mase si një version të Xhak Torenc…

…Stefën King është një autor me mbi 40 libra. Por “The Shining,” mbetet një vepër që kaplon audiencën me ngjarjet e saj të errëta dhe atmosferën e frikshme, duke u bërë kështu një kombinim i përkryer i mjeshtërisë letrare të Stefën King si shkrimtar dhe aftësisë regjisoriale të Stenlei Kubrik. Romani i King, botuar në vitin 1977 dhe adaptimi filmik i Kubrik, i realizuar në vitin 1980, janë dy krijime që, edhe pse ndajnë titullin dhe bazën e historisë, dallohen për qasjen e tyre unike ndaj rrëfimit dhe karaktereve.

Romani i Stefën King

Në qendër të romanit “The Shining” qëndron Xhak Torenc, një shkrimtar dhe ish-mësues i cili pranon punën si kujdestar dimëror në hotelin “Overlook”, një strukturë e izoluar me një histori të errët dhe të dhunshme. Me të janë e shoqja Uendi dhe Deni, djali i tyre pesëvjeçar, i cili posedon aftësi të veçanta telepatike të njohura si “shining”, apo “rrezatimi”. King e përdor hotelin Overlook si një metaforë të kompleksitetit psikologjik të Xhak-it dhe të ndërveprimeve dinamike të familjes së tij. Ndërsa izolimi dhe forcat mbinatyrore të hotelit fillojnë të ndikojnë në mendjen e Xhak-ut, ai bie gradualisht në çmenduri dhe dhunë. King, me një stil narrativ të detajuar dhe të ngarkuar emocionalisht, e çon lexuesin në thellësitë e mendjes së trazuar të Xhak-ut dhe frikës që ai sjell. Ambienti dhe personazhet janë të ndikuar nga përvojat personale të King, duke përfshirë vizitën e tij në Hotel “Stanley” në 1974 dhe luftën e tij me alkoolizmin. Romani u përshtat në një film të vitit 1980 dhe një mini-serial të vitit 1997. Libri u pasua nga një vazhdim, “Doctor Sleep”, i botuar në 2013, i cili nga ana e tij u përshtat në një film me të njëjtin emër në 2019.

Filmi i Stenli Kubrik

Adaptimi filmik i Kubrik ndryshon ndjeshëm nga burimi letrar. Ndërsa filmi ndjek linjën bazë të historisë së romanit, Kubrik bën disa ndryshime të rëndësishme në narrativë dhe zhvillimin e karaktereve. Në vend të theksimit të karakterit të Xhak-ut dhe zbulimit të brendësisë së tij psikologjike, Kubrik përqendrohet në ndërtimin e një atmosfere të tensionuar dhe të papërballueshme të frikës. Xhak Nikolson, në rolin e Xhak Torenc, jep një performancë që kalon në ikonikë, me një paraqitje të jashtëzakonshme të transformimit të tij nga një njeri i zakonshëm në një përbindësh të çmendur. King kishte shkruar një skenar të filmit për Kubrik, i cili e refuzoi atë dhe zgjodhi të eksploronte në vizionin e tij. Në vend të King, Kubrik bashkëpunoi me shkrimtaren Diana Xhonson si eksperte dhe profesoreshë e romaneve gotike në Universitetin e Kalifornisë, “Berkeley”, dhe kontributet e saj në The New York Times Book Review. Filmi fillon me Xhak Torence, i luajtur nga Xhek Nikolson, duke pranuar punën si kujdestar dimëror në hotelin “Overlook”. Ashtu si në roman, ai shpreson që ky izolim do t’i japë kohë për të shkruar dhe për të rindërtuar jetën e tij. Ndërsa izolimi dhe ndikimi i hotelit fillojnë të ndikojnë në Jack-un, ai fillon të shfaqë shenja të çmendurisë. Kubrik përdor teknika të fuqishme vizuale dhe të tingujve për të krijuar një ndjenjë të vazhdueshme të tensionit dhe frikës. Përdorimi i Stedikem-it për të ndjekur Deni-n nëpër korridoret e hotelit dhe skena ikonike ku Xhak shpërthen një derë me sëpatë janë shembuj të mjeshtërisë regjisoriale të Kubrik. Në kulmin e ngjarjes, Xhak çmendet plotësisht dhe përpiqet të vrasë Uendi dhe Deni. Filmi përfundon me një skenë të ftohtë dhe enigmatike, duke lënë audiencën me pyetje mbi natyrën e vërtetë të hotelit dhe fatin e Xhak-ut. Kubrik përdor teknika të avancuara filmike, si kinematografinë e ngadaltë dhe të qëndrueshme të Stedikem-it, për të krijuar një ndjenjë të pashmangshme dhe të papërshkrueshme të frikës. Gjithashtu, ai bën ndryshime të rëndësishme në rrëfim, siç është portretizimi më aktiv dhe i vendosur i Ëendy-së, luajtur nga Shelley Duvall, dhe ndryshimi i fundit të filmit, duke i dhënë një kuptim më të errët dhe të pakuptueshëm ngjarjeve.

“Rrezatimi” në shqip

“The Shining” erdhi në shqip si “Rrezatimi” nëpërmjet përkthimit të Renato Kalemit. Libri ka 538 faqesh dhe u botua në nëntor të vitit 2013 nga shtëpia botuese “Pegi”. Si romani ashtu edhe filmi marrin frymëzim nga eksperienca personale e Stefën King. Ai qëndroi në hotelin “Stanley” në Estes Park, Kolorado, një strukturë e izoluar dhe e mbinatyrshme që e frymëzoi për të shkruar “The Shining.” Atmosfera e hotelit “Stanley” dhe ndjenja e izolimit që King përjetoi gjatë qëndrimit të tij ishin elementë kyç që e formësuan historinë e romanit dhe frymëzuan krijimin e hotelit “Overlook”. “The Shining” bazohet në një premisë të thjeshtë, por të ngarkuar emocionalisht: një familje e vogël që kalon dimrin në një hotel të izoluar dhe të mbinatyrshëm. Qëllimi i këtij izolimi është që Xhek Torenc, protagonisti kryesor, të përfundojë një projekt shkrimi ndërsa kujdeset për hotelin “Overlook”. Historia fillon kur Xhak Torenc, një shkrimtar dhe ish-mësues me probleme alkoolizmi dhe të kaluar të dhunshme, pranon një punë si kujdestar dimëror në hotelin Overlook në malet e Kolorados. Ai shpreson që ky izolim do t’i japë kohë të mjaftueshme për të përfunduar një roman dhe për të rindërtuar marrëdhëniet me gruan e tij, Uendi, dhe djalin e tyre pesëvjeçar, Deni.

Deni është një fëmijë i veçantë me aftësi telepatike të njohura si “shining,” të cilat i mundësojnë të perceptojë ngjarje të së kaluarës dhe të ardhmes, si dhe të lidhet mendërisht me të tjerët. Me të mbërritur në hotel, Deni fillon të përjetojë vizione të tmerrshme të ngjarjeve të dhunshme që kanë ndodhur aty më parë. Ndërsa dimri përparon dhe hoteli bëhet gjithnjë e më i izoluar nga bora, Xhak fillon të humbasë kontrollin mbi veten. Shpirtrat e hotelit, të udhëhequr nga figura e misterioze e Lloid-it, barmenit fantazmë, fillojnë ta ndikojnë Xhak-un, duke e çuar drejt çmendurisë dhe dhunës. Gradualisht, Xhak kthehet kundër familjes së tij, ndërsa Uendi dhe Deni përpiqen të shpëtojnë nga furia e tij vdekjeprurëse. Në përfundim, “The Shining” është një tregim që eksploron thellësitë e frikës dhe çmendurisë, duke përdorur një hotel të izoluar si sfond për të zbuluar natyrën e vërtetë të së keqes dhe ndërlikimet psikologjike të karaktereve të tij.

“The Shining” i Mik Gerris

“The Shining” është një mini-serial televiziv horror i vitit 1997. Drejtuar nga Mik Gerris nga teleplay i King, është përshtatja e dytë e librit të King pas filmit të vitit 1980 nga Stenlei Kubrick dhe u shkrua dhe u prodhua nga King bazuar në pakënaqësinë e tij me versionin e Kubrik. Miniseriali u xhirua në mars 1996 në “The Stanley Hotel” në Estes Park, Kolorado, frymëzimi i King për romanin, Përshtatja e vitit 1997 luan Stivën Ueber në rolin e Xhak Torenc; Rebeka De Mornei në rolin e gruas së Xhekut, Uendi. Megjithatë, kritikët retrospektivë e kanë parë mini-serialin me më pak dashuri, duke e deklaruar atë të mërzitshëm dhe të pa fokusuar, dhe duke e krahasuar në mënyrë të pafavorshme me versionin filmik të Kubrik.

Pak analizë

“Rrezatimi” konsiderohet si një ikonë kulturore e horrorit modern. Kritika thotë për të se është një analizë përvëluese e një familjeje të përçarë, një vëzhgim i makthshëm në skutat e dobësisë dhe çmendurisë njerëzore. Si romani ashtu edhe filmi përdorin metaforën e hotelit “Overlook” për të shqyrtuar tema të mëdha, si izolimi, çmenduria dhe ndikimi i së kaluarës në të tashmen. Ndërsa King e përdor historinë e hotelit për të ndërtuar një sfond të pasur dhe kompleks për zhvillimin e karakterit të Xhak-ut, Kubrik përqendrohet në elementët vizualë dhe atmosferikë për të krijuar një ndjenjë të tmerrit që është po aq psikologjike sa edhe mbinatyrale. Familja pa shumë më tepër se shkëlqimin i hotelit. Xheku e pa “Overlook” si një mundësi, apo si një mënyrë për t’u kthyer nga dështimi dhe dëshpërimi; Uendi e pa këtë vend të shenjtë të vetmuar si një shans të dobët për të ruajtur familjen e tyre; dhe Deni?….Dani, i cili u bekua ose u mallkua me një dhuratë të shndritshme, paranjohëse, pa vizione tmerrësisht përtej të kuptuarit të një djali të vogël. Ai ndjeu të keqen të mbështjellë brenda njëqind e dhjetë dhomave të zbrazëta të “Overlook”; një e keqe që i priste vetëm ata.

Në fund, “The Shining” mbetet një studim i fortë mbi të keqen, çmendurinë dhe frikën, një vepër që, përmes dy formave të saj kryesore, vazhdon të ndikojë e të frikësojë audiencat e reja dhe të vjetra. Romani dhe filmi, megjithëse të ndryshëm në qasjen e tyre, mbeten vepra të fuqishme. Kjo është një testament i fuqisë së tregimit, si në letërsi ashtu edhe në film, dhe i aftësisë së artit për të eksploruar thellësitë e psikikës njerëzore.

Vlerësimi

I cituar shpesh si një nga filmat horror më të mirë të të gjitha kohërave, filmi “The Shining” i Kubrik në 2018 u zgjodh për t’u ruajtur në Regjistrin Kombëtar të Filmit të Shteteve të Bashkuara nga Biblioteka e Kongresit si “kulturor, historikisht ose estetikisht i rëndësishëm”. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.