Frederik Rreshpja

PËRDITË IKIN STINËT

Fluturuan tri rosa në qiell,

Shpirtra të pyjeve të harruar,

Tingulli i këmbanës, si gjëmim hane

Këndoj rekuiemin e yjeve të rrëzuar.

Një vetëtimë e plagosur ra diku,

Si shpata e një klithme,

Mbi tokën e lodhur prej qiejve

Verbuar nga bronzi i shirave.

Fluturuan tri rosa në qiell,

Tri re dhe tri erëra.

O ju, shpirtrat e pyjeve,

Mbështjellur me dimrin e dhembjes.

Ç’të bëj në këtë peizazh?

Shpjermëni tek lumi që vdiq,

Nëse kufomën e tij s’e kanë shpënë,

Erërat në qiell.

O Zot! Nga ç’qiell ra tërë kjo dhembje,

Që hënëzoi këtë dimër?

Përditë ikin shpirtrat e botës,

Përditë fluturojnë stinët.

Leave a Reply

Your email address will not be published.