Beqir Musliu

BARIU I DEÇANIT

(Frymëzim nga pikturat e Ibrahim Kodrës

komponuar në Deçan, verë e vitit 1969)

Ngutu, nëpër atë urtësi të drurit, shtegtar i lodhur

në fundin e përrallës që nuk është më përrallë

– druri e hëngër bariun me fyell në dorë

që ngarendte kah ato kope të çetuara përtej ditës

kurse peizazhi që po krijohet nga gjethi i mbetur

prej vjeshtës së vjetme u shndërrua tanimë në zjarr!

Vraponi, o fëmijë, që po luani me pyllin

që ndezej nëpër atë përrallë

që nuk është më përrallë, por – vetëm heshtje që e krijoi

atë njeri që e hëngrën urtësitë e drurit dhe pylltari

që u ngul në pushkën e vet për nder

të trëndafilit që do të lulëzojë

Shtegtarë, në majë të ditës shkoi poeti për t`u varur!

Duhet të ndërrohet kjo ditë vetëm brenda kësaj kënge!

*

E sollën një piktor në ditën që u shndërrua në një mollë

tani fëmijët e padjallëzuar ngarendin që ta grimcojnë

si planetin, si ëndrrën, si fëmijërinë e tyre që merr

edhe atë paqe që e ruajnë nën gishta; dhe shkelin tokën

edhe këtë pikturë të verës që bariu me fyell në dorë e kërkon

ndër përralla e përralla atë Qytet ku do të dalë

i barazuar me atë magji që e pa njëherë gjersa u shikua

me diellin e varur nëpër shuplakat e pishave

ndërsa legjenda e mbylli prapa kapakëve të librit të vet:

Shtegtar, ngutu e shpëtoje atë dru që e hëngër bariun

i cili po përkundet në qetësinë e barit që po zhduket

në peizazhin që do të zgjohet në një dorë magjike

dhe do t`i mbyllë të gjithë rrathët që do ta shkurtojnë

atë fantazi të butë që po endet nëpër drunjtë e gjallë

e ndoshta ajo do ta shpëtojë bariun e ëndërruar të verës!

Dita po e grimcon atë kokërr mollë në dorën e fëmijës!

*

Ku mbeti Nusja e Deçanit që fliste për engjujt e zinj

që thoshte se krejt pishat mund t`i përbironte

nëpër gishtat e saj që i bleroheshin

sa çel e mbyll sytë: ah, cili është ai dhëndër në rroba

të gjetheve që do të bien në natën e gjerdekut të saj

cila është ajo kullë që do t`ua hapë dyert udhëtarëve të humbur

Në majë të pishës dielli përgatit lojën e vet

o kush foli aq shumë për magjinë e trilluar

e cila zogun e zuri fjetur në verën e dashur që i zhdukej

bashkë me ëndrrën që ndërtonte çerdhen në syrin-magji

pra: do të ndërtohet kjo kullë ai zog ajo dashuri – sa çel

e mbyll sytë: o ku mbeti ai dru që e hëngri

Bariun e Deçanit që rrinte dhe fliste vetëm me gjuhën

e magjisë me gjuhën e zogut në një vizatim që e harroi

dita në Blokun e Ibrahim Kodrës

Ai dhëndër në rroba gjethesh po kthehet në vjeshtë!

*

Zogu që foli për ditën e sharruar në atë magji

Hapi tëra dyert e ditës: piktorin po e ndëshkon syri i tij!

që e krijuan ngjyrat gjersa i përshkoi

prapa dyerve të ditës: o në cilën ujëvarë u mbytën thneglat

në Bistricë ndoshta do t`ia gjejnë emrin edhe kësaj luleje

dhe këtij fyelli që rastësisht hyri në këtë Blok të ditës

ku me siguri do të krenohet ai bari me vizatimin e syrit të tij

që shkon edhe përtej bjeshkës që na pengon edhe ne

të shikohemi edhe për atë fyell që me të i zgjon barërat

e fjetura të kohës dhe dashurisë së balsamosur ndër kohë

dhe për atë gjuhë që cicëron aq bukur dhe aq ëmbël –

si bilbilat që kanë mbetur në mesditën e murrme të heshtur

Por: cili do të shkruajë këngën apo baladën për atë dru

të urtë që hëngër bariun me fyell në dorë s`di në cilin qytet e pyll

Shtegtarë, ngarendni dhe kërkojeni në këtë vizatim të ditës!

Leave a Reply

Your email address will not be published.