Musa Ramadani

MIQTË E MI MEMECË

Ja, ndodhen në dhomën time frymojnë

Të vegjël, të mëdhenj, të hollë, të trashë

Të bardhë, të zezë, të kuq, të verdhë

Dërdëllis me ta netëve si me vetminë

Nuk më hidhërojnë, nuk më kundërshtojnë

Më gjezdisin pa përtesë ndërkohëra e hapësira

Civilizime e rrënime, qytete e shtete më shpien

Dhe prapë më kthejnë këtu në dhomën time

Qëndrojnë heshturazi ndanë murit më vështrojnë

Pranë njëri-tjetrit në këmbë e gjithë huti

Në ballë shkronjat seç ua shndrisin emrat

Zemrat u janë të hapura për shpalim

Çdo gjë shoh e ndiej tek miqtë e mi

Duke udhëtuar në vete pa shpresuar për kthim

Ndonjëherë edhe grindem ashtu fëmijërisht

Në ndërrim motesh me ta të vdekur a të gjallë –

Pse nuk më përgjigjen po veç tok më dëgjojnë

Bah, as miqtë memecë s’janë ngushllimtarë të mirë!

Leave a Reply

Your email address will not be published.