Lindita Ahmeti
SHQIPËRIA IME
Shqipëria është krijuar në fund të qershorit nga drita e xixëllonjave
kur dalin si fenerë të imtë magjikë dhe i mbulojnë male e fusha
sa bëhet gati të ulet në fron perëndesha florë në mbrëmjen hyjnore
e ta shpërndajë erën e mirë të trëndafilave e të luleve alba
të cilat ia bëjnë me dije erebit se nuk mund të ketë vend në këtë të vërtetë
sepse këtu vazhdimisht çelësin do ta ketë në dorë vetëm aurora
Shqipëria është krijuar nga ëndrra më e mirë e rrufetarit mu pranë detit
duke e lënë aty shqiponjën e bardhë të bëjë roje
në shtëpinë e gurtë të Kadmit e të Harmonisë që u caktuan të jenë të Parët Mitikë
që shpikën lule e shpërndanë shkronja për librin e parë nga Sharri nga Tomorri
nga Bjeshkët e Nemuna
Shqipëria ka dalë prej zërit yllësor të orfeut
dhe është bërë këngë e lumit malor
fluturim i amshueshëm i pëllumbit të bardhë
valle e zanave me lisat e gjatë e me korin e trumcakëve
të cilën përballë persefonës e ka lozur osman takja
në këtë vend vazhdimisht bredh i biri i afërditës
e pastaj e shpërndan nëpër botë kuptimin e dheut që është sinonim i emrit të tij
prandaj djemve kësulëbardhë kah bredhin përfund degës së parë të trungut të gjuhëve
u shkëlqejnë si dielli flokët e praruar e u kumbojnë fjalët
nga sytë e tyre reflektohet magjia e liqeneve të Lurës
ndërsa këngën e kanë vazhdim të këngës së linit
kjo është Shqipëria ime
Shqipëria është një trëndafilnajë e vendosur mbi shkrepa
ku banojnë shpresat më të bukura
ku nga rrënjët e rrapeve mijëvjeçare
dëgjohet edhe sot tregimi i gurrës së Dodonës
Shqipëria është orakulli ku vashat e kanë zbuluar fronin e birit të diellit
ajo është bari i mirë që sot shëron plagët e rënda
të hapura nga Era e Kuqe
është muri kundër furtunës polare me arushën e tërbuar
Shqipëria herë është bletë në lulet parajsore
herë është pikturë e adem kastratit
pastaj del si një varg rruazash të bëra prej mija kokrrash xhevahiri
Shqipëria është djega ime