Drita Osmani

TË KAM DASHTË

Më ke bërë me të dashtë

me të dëgjue

me të pa e me të lartësue si askë tjetër.

Pa më pyetur

më ke qëndru pranë

edhe kur s’kam mundë me të pa

ma ke fshi lotin

e më ke qetësue si asnjeri tjetër

edhe atëherë kur se ke dijtë se në çka po kaloj.

Më ke ba me të lexue si librin ma të dashur

e si fjalën e Librit të Shenjtë.

të kam dëgjuar si himnin e flamurit

e të kam ruejt si hajmali fatsjellëse

ani pse s’kam besue kurrnjëherë në bestytni.

Të kam dashtë

e të kam marue vend para dashnisë.

më ke lumnue

siç i lumnohet fëmiu përqafimit të nanës.

Ma ke hapur krahërorin

e më ke strukur aty

e mbërthyer më ke

për të mos lejue të keqen me më ndodhë.

Më ke ba me shkrue n’gegnishte

fati i të tjerëve e fati im jetësor.

Të kam zgjue në agimin e hershëm

e t’i kam la sytë me ujë të bekuem

e bekue të kam

me u ba barì i mirë

jam lutun

me shkue udhës së Mesisë

pa përjetue vujtjet e tina në Golgotë.

Më je ba uratë që e kam knue çdo natë të lume

e të kam mbajtë rruzare në dorë

çdo mëngjes të zbardhun drite.

kam vajtun tanë Botën e lume me ty

shtrënguem duarsh

duke të vështrue në drita të synit.

Ma në fund

jam ulun në gjunj

si kur marrë kungimin

e më ke falë për gjithçka.

kemi ngre dollinë me gjakun e Krishtit

dhe kemi binjakëzue shpirtërat tanë

jam betue se kam me të dashtë e nderue

ma shumë se gjithë bota mbanë.

Atëherë më ke buzëqeshë

më ke ledhatu flokun

e më ke shtrëngue fort pranë vetes sate

e më ke ba me të dëgjue zemrën tënde të madhe

si rrehë fort për njerëzimin

o njeri i mirë.

E të kam dashtun fort

e të due fort edhe sot

për me të dashtë nesër fort e ma fort.

Se vetëm të mirët e të uruemt si ti

i do edhe vet Zoti.

PESHË FAJI

Merrne pak gjak nga plagët e mija

dhe shenjëzojeni çdo derë të mundur

ku jetojnë ‘ata’.

Mos leni ballë burri pa e lyer

me këtë gjakun tim

që u derdh pamëshirshëm sot

e le ta mbajnë si shenjë faji

në vend të pagëzimit të tyre

me atë emër të mbrapsht gjinor.

Edhe atë plumbin nga paja ime e nusërisë

drejtojani çdo babai që gjakun e bijës së vet

e falë aq lehtë për një burrë bote.

Çdo dorë mashkulli që ka ngritë dorë mbi gruan

guroseni në një Golgotë të rradhës!

Jepjani dënimin homerian çdo syri që na pa

si objekt të përkohshëm argëtimi

Burrë

vrasës

burrë kanunor.

Gjithë atë peshë faji

mbajeni si gurin sizifian

për t’ia dalë mbanë

me heqë qafe atë petkun

shëmtaraq mashkullor

që e bartni me shekuj.

Me një mësuese

me një nënë

e me një motër më pak

me një viktimë më shumë

të mentalitetit të mbrapsht

nga nesër

çdo gjë le të filloj për se mbari…

RRUGËTIMI

Më në fund

edhe Godoja u kthye

trokiti vonë në derën time.

mos e prit atë më asnjëherë

ia behu.

Po vije era pluhur

çuar nga kuajt që vrapuan kalldrëmtës

sigurisht që edhe ai do vijë

do të kthehet.

Jam e sigurt se do të vijë edhe ai sonte.

Me agun e parë

e me hapin e vrapit të parë.

Ai nuk erdhi.

as me agun

e as me muzgun e parë

vazhdoj rrugëtimin

me kalorësit e Apokalipsës.

ÇDO NATË

Çdo natë e puthi fshehtas

çdo natë fle me ninullën

e frymëmarrjeve të tij

teksa ai ndërton “kala”

me epshet e falura grave të botës.

çdo natë!

HISTORI E BUKUR

Iu rrëfeva Parisit sonte

dhe ndjeva praninë tënde

kah do që hidhja hapin

rrugicave të atij qyteti të bukur.

Më buzëqeshën

të gjitha pikturat e Louvri-t.

në Notre-Dame

m’i shlyen të gjitha mëkatet.

Një lule rozë ma fali

shitësi i luleve pranë Eiffeli-t

e gotat me verë m’i mbushën në “Les deux Magots”

për t’i cakërruar ne të dy

ashtu të përqafuar

përderisa  ngjiteshim kalldrëmit

të Montmartre-t drejt Sacré Cœur-s.

As nuk më puthe

as nuk të putha

ama e dëshiruam të dy

shijen e asaj puthjeje.

“C’est La Vie!”

ndjeva se më tha Sena

dhe mori me vete

gjithë atë histori të bukur.

Leave a Reply

Your email address will not be published.