Luan Rama, shkrimtar
NË LETËRSI DHE ARTE KA SHUMË DILETANTIZËM DHE AMATORË
Identiteti letrar është i pandarë nga identiteti kulturor që është formuar në shekuj. Kulturat kanë dinamizmin dhe evolucionin e tyre, e po kështu dhe letërsia
Shkëlzen HALIMI
Luan Rama ka lindur në Tiranë në janar të vitit 1952. Ka mbaruar studimet universitare në Tiranë në Fakultetin e Shkencave Politike, për gazetari si dhe në Universitetin Parisi VII – “Denis Diderot” për audio-vizual, komunikim dhe kinematografi. Fillimin e karrierës së tij profesionale e filloi në studiot kinematografike “Shqipëria e Re”, në vitin 1975, ku për 13 vjet radhas i shkroi rreth 40 skenarë të filmave dokumentarë (Eposi i kreshnikeve, Mos harroni (për Mathuazenin), Pranvera dy hapa afer), 4 skenarë të filmave me metrazh të gjatë (Vajzat me kordele te Kuqe, regjisor G. Erebara, Prilli i hidhur, regjisor M. Fejzo, Dëshmorët e Monumenteve, regj. F. Hoshafi, Në Prag të jetës, regj. G. Erebara) dhe 15 filma vizatimorë (Dy Gostitë – i vlerësuar me çmim ndërkombëtar). Njëkohësisht është angazhuar dhe si gazetar në Shqiperi apo dhe në Paris, ku në vitet 1995-1997 ishte redaktor në revistën Courrier International.
Më pas u angazhua në fushën e diplomacisë, ku gjatë viteve1997 – 2001 ishte ambasadori i Shqipërisë në Francë, në Monako dhe në Portugali, si dhe përfaqësues i presidentit të Republikës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë. Në vitin 2002 është nderuar nga presidenti i Republikës franceze Jacques Chirac me dekoratën e lartë “Grand Officier de l’Ordre National de Merite”, (Oficer i Madh i Urdhrit Kombëtar të Meritës). Po kështu ka dhe dekoratën “Naim Frashëri” nga presidenti i Republikës, në vitin 1986 si dhe në vitin 2014 “Çmimin e Frankofonisë”.
Në vitet 2002-2006 ka qenë zgjedhur nga organizata e Frankofonisë (OIF) në forumin e lartë të saj “Këshilli i Lartë i Frankofonisë”, ku shumica ishin ish kryeministra, ish ministra të Jashtëm dhe akademikë francezë. Në këtë periudhë ka drejtuar misione te Observimit të zgjedhjeve në disa vende frankofone si në Madagaskar, Kongo Brazavil, Ishujt Maurice, Guiné Bisao (i dërguar nga OKB-ja), etj. Ka marrë pjesë në shumë kolokiume e konferenca ndërkombëtare rreth Shqipërisë dhe Ballkanit në Paris dhe vende te tjera. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit ka dhënë leksione në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Orientale në Paris (INALCO) mbi Gjeopolitikën, për Historinë e Shqipërisë dhe “Mbi traditën dhe modernitetin” – Master).
Më 2015 shpallet “Personalitet frankofon i vitit” nga Ministria e Punëve të Jashtme. Çmimi i letërsisë për Fëmijë, Panairi i Librit, Tiranë, 2016, për librin “Më quajnë Aleksandër Moisiu”. Çmimi – “Njeriu i Vitit” – nga Fondacioni “HARPA”, 2017. Çmimi për Letërsinë, Revista “Pelegrini” 2017 për esenë “Muaji i fundit i Arthur Rimbaud”. Çmimi “Aleksandri i Madh” në Salaminë të Greqisë nga Komiteti grek i Unesco-s dhe ”Café des Idées”., 2017. Çmimi “Kurora e artë e poezisë”, në “Net të poezisë korçare”, 2018. Çmimi i vitit i letërsisë për fëmijë (libri didaktik) nga Ministria e Kulturës, 2019.
Gjatë kësaj periudhe ka botuar mbi 60 libra (pa futur këtu përkthimet e shumta nga frëngjishtja në shqip e anasjelltas), ndër të cilat ka shkruar shumë ese, si për François Mitterand, Gjenerali De Gaulle, për figura të ndryshme të artit, si për Arthur Rimbaud etj, për themeluesin e simbolizmit francez Jean Moréas, me origjinë arvanitase; Dozhët Durazzo; për piktorin Abedin Dino, piktorin Omer Kaleshi apo për artistin e shquar poetin, kineastin, piktorin dhe dramaturgun e njohur francez Jean Cocteau. Veç disa librave të tjerë, si Parisi letrar, Dorëshkrimet e Purpurta, Pont entre deux Rives (Ura midis dy brigjeve), ai ka shkruar dhe dy romane: Santa Quaranta (për balerinën Isadora Duncan gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri) apo “Camera obscura – Origjina e botës”, etj. Gjithashtu ka botuar në Francë vëllimin poetik Couvrez-moi avec un morceau de ciel (Mbulomëni me një copëz qiell), “Teritoire de l’âme, (Territoret e shpirtit), Leon Rey, zbuluesi i Apollonisë, Pont entre deux Rives (Ura mbi dy brigje), etj.
Është vlerësuar me çmimin evropian të Shoqatës së Shkrimtarëve të Gjuhës Frënge në vitin 2002 për esenë në frëngjisht Udha e gjatë nën tunelin e Platonit, botuar në Francë. Ka shkruar gjithashtu skenarin e filmit Omer, shtërgu nga Ballkani me regji të E. Musliu dhe E. Ibro (2004), skenarin e filmit dokumentar Marko Boçari-një mit për Europën, e D. Muçit, apo “Saga e Dinove” etj. Në vitet e fundit ka shkruar disa libra historikë, si Shqipëria në kohën e luftrave bizantino-normande, Kalorësit e Stuhisë, dhe këto kohë librin Bonjour d’Albanie mbi ushtrinë franceze gjatë Luftës së Parë Botërore apo Shqipëria e konsullit francez Auguste Dozon, i cili bëri të njohura pasurinë e përrallave dhe të kulturës e gjuhës shqiptare në Francë, në vitet 1880.
Vitet e fundit ka botuar gjithashtu Tek Frankët, mbi emigracionin shqiptar në Francë; Shqipëria në luftën bizantino-normande; Në udhëkryqet e kohës, I, II, III, Korrespondenca Paris-Tirana; Bonjour d’Albanie; Shqiptarët e Léon Gérôme (Les Albanais de Léon Gérôme) libër dygjuhësh shqip-frëngjisht apo Shqipëria dhe shqiptarët në piktorët francezë të shekullit XIX; Territoret e shpirtit, poezi, frëngjisht e në greqisht; Përballë tablosë, ese; Vjeshta e Alberto Savianit, tregime; Durazzot – dozhët e purpurt apo Stradiotët shqiptarë nën flamurin e Francës, histori; Legjenda shqiptare; librat për fëmijë “Udhëtim në botën e pikturës”, Më quajnë Aleksandër Moisiu, (dhe një seri librash të tjerë në këtë kolanë si Më quajnë Skënderbeu; Më quajnë Dora d’Istria; Më quajnë Ismail Qemali; Më quajnë Ibrahim Kodra; Më quajnë Mbretëresha Teuta; Më quajnë Tefta Tashko, Mbretëresha ilire Teuta, etj). Po kështu dhe libri për verën: Vera, ky nektar i hyjnive dhe i njeriut,
Gjithashtu ka përkthyer nga frëngjishtja në shqip dhe nga shqipja në frëngjisht rreth 15 romane, vëllime poetike, libra ese, ndër të cilët, librin e tij “Dozon – le consul qui aimait les contes albanaises, apo En Grèce avec les arvanites”, etj. Së fundi janë botuar dhe librat me tregime “Vjeshta e Aberto Savianit”, vëllimet poetike libri “Epistolari i Zaratës” i botuar gjithashtu në Francë si dhe në Australi, në gjuhën angleze (Zaratha’s Epistolary) apo në Firence, në italisht “Epistolario di Zarata”; “Mbresa parisiane” dhe “Bohemë anglosaksonë në Paris”, etj. Dy botimet e këtij viti janë “Dua të më bësh të bukur”, përmbledhje tregimesh dhe “Një mungesë e gjatë”, roman. Më 2023 është botuar vëllimi poetic “Toka, një portokall blu”, si dhe romanet “Mëkati i Justinës”, “L”Albanais-Shqiptari” dhe “Gruaja që vinte nga mjegulla”. Është botuar në shqip, frëngjisht, anglisht, italisht, greqisht, rumanisht dhe maqedonisht (“Dashuri e nëmur në Maligrad”) etj.
HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?
L. RAMA: Në një vend të vogël, ku shkrimtarët pikëtakohen shpesh me njëri-tjetrin dhe lidhen miqësi, kritika mbi krijimet e tyre artistike bëhet e vështirë. Ne pranojmë nga njëherë të shkruajmë të nxitur nga miqësia apo diku tjetër për interesa të vogla, si unë shkruaj për ty dhe ti për mua, çka i gjen të shpeshta sot në kritikën letrare dhe mbi artet. Kjo padyshim i dëmton autorët – krijues pasi i bën ata të mendojnë se veprat e tyre janë ndër më të mirat, se janë në krye të letërsisë dhe arteve, se vepra e tyre është perfekt, etj. Dhe kështu ata qëndrojnë në të njëjtën “statu quo”, pa tentuar nga ambicia për të bërë përpara që të gjejnë forma të reja dhe të përsosin stilin e tyre. Pikërisht kjo sjell që në letërsi dhe arte ka shumë diletantizëm dhe amatorë. Roli i kritikës është të mbështesë letërsinë dhe artin e vërtetë dhe të tregojë se për cilën letërsi ka nevojë shoqëria, se cila lloj letërsie duhet të luajë rol në emancipimin shoqëror dhe krijimin e së bukurës shpirtërore, e që të kesh dëshirë t’u përngjash heronjve të artit. Më kujtohet që në moshën 17 vjeçare kisha lexuar një roman skandinav “Njerëz të pavarur”, i cili më udhëhoqi në jetën time për të kërkuar pavarësinë, lirinë time si gjëja më e shenjtë që duhet të ketë njeriu.
HEJZA: Sipas jush, jeta letrare e shqiptarëve sot është më e pasur se dikur apo më e varfër?
L. RAMA: Mendoj se këtë s’mund ta themi në mënyrë kategorike… Është e vërtetë që dikur kishte më pak botime, ishin një numër i caktuar letrarësh dhe nuk mund të botonte kushdo, për shkak të censurës dhe kontrollit rigoroz të letërsisë dhe arteve. E megjithatë, kishte cilësi, kishte vepra të arrira. Shembulli i Kadaresë është më tipiku, por ishin gjithashtu Petro Marko, Dhimitër Shuteriqi, Agolli, Arapi, Koreshi, Çela etj. Sigurisht, kjo “dikur” ka të bëjë dhe me propagandën. Në Bashkimin Sovjetik apo në vende të tjera të Lindjes Europiane në epokën totalitare kishte shkrimtarë që besonin vërtetë në utopinë e shoqërisë së njerëzve të lirë, solidarë e të barabartë por që më pas u zhgënjyen. Ata na dhanë një letërsi që mbeti në historinë e letërsisë, pavarësisht se u censuruan më pas. Po kështu dhe në artet… Rodçenko ishte një piktor i jashtëzakonshëm, por i ndikuar nga propaganda e kohës siç ishte dhe Majakovski e të tjerë. Po kështu dhe kineastët e asaj kohe. Si një vend totalitar edhe Shqipëria nuk mundi t’i shpëtojë censurës. Unë i kam jetuar të dyja epokat. Përpara punoja në kinematografi, isha skenarist. Letërsia tek unë erdhi pas ndryshimeve politike. Pse them që letërsia jonë ishte e pakët si botime, sepse mundësitë për të hyrë në këtë terren të kontrolluar ishte e pakta. Shkrimtarët seleksionoheshin. Nuk mund të hynin si shkrimtarë talente që konsideroheshin si nacionalistë dhe që i përkisnin klasave të përmbysura, siç i cilësonte sistemi politik. Ata që kërkonin t’i largoheshin dogmës së realizmit socialist u burgosën dhe u ndaluan të botoheshin. Por, në të njëjtën kohën në atë periudhë spikaste dhe cilësia. Kjo në dukje të parë mund të duket paradoksale, por atë letërsi që Kadareja krijoi në epokën totalitare nuk e krijoi më pas. Romani “Pallati i ëndrrave” erdhi si një shtysë shpirtërore e autorit nën trysninë totalitare. Të tjerë u censuruan dhe veprat e tyre mbetën në arkiva për t’u ribotuar më pas në kohën e ndryshimeve politike. Jeta letrare sot është një “polifoni” zërash dhe ngjyrash. Autorët janë të shumtë, zhanret dhe origjinalitetet janë të shumta, por nuk ka një spikatje të veçantë. Me siguri kjo do të vijë. Sot të gjithë shkruajnë dhe botojnë. Është diçka demokratike, pasi kushdo ka të drejtë të shkruajë, por është kritika ajo që duhet të seleksionojë veprat e mirëfillta: kritika dhe lexuesi. Midis kësaj morie ndoshta më vonë do të shquhen talente të rrallë. Pra, ka një peizazh letrar horizontal, jo siç mund të jetë një sizmograf me plot ulje-ngjitje. Letërsia e diasporës po përparon, individualitetet po shtohen në Itali, Francë, Greqi, Skandinavi, Amerikë, stili i tyre është modern dhe me gjetje interesante, e megjithatë në ballafaqim me letrarët me emër në Evropë apo në botë janë ende disi larg. Nuk ka shkëlqime të veçanta. Në Shqipëri shpesh çmimet i ndajnë mes tyre shtëpitë e mëdha botuese, që duan të promovojnë autorët që ata botojnë, por zelli i tyre i çon shumë larg duke i lënë në hije shumë autorë tepër interesantë.
HEJZA: E bukura, e përkryera, harmonia! Cila është qasja shqiptare ndaj këtyre kategorive filozofike! I pëlqejmë, bëjmë pas tyre, por si sillemi me to?
L. RAMA: E bukura, e përkryera, harmonia mendoj se ngjizen në një. Umberto Eco shkruan gjatë për këtë kategori estetike duke i kushtuar një libër më vete. Kur thua e përkryer, brenda kësaj fjale ngërthehen gjithashtu “e bukura” dhe “harmonia”. Por, e rëndësishme është që e bukura mos të shihet thjesht si kategori filozofike. Në themel të saj duhet të shtojmë dhe dy elementë të tjerë që lidhen ngushtë me njëra-tjetrën: humanizmi dhe universalja. Borhesi, Markezi, Kafka janë universalë në librat e tyre, prandaj dhe lexohen me etje nga miliona e miliona lexues, pasi ata i prek ajo gjë universale që është brenda krijimtarisë së tyre: triumfi i së mirës ndaj të keqes, lufta kundër hegjemonive dhe pushtimeve shovene, kundër diktaturave etj. Elementi tjetër është karakteri humanist: paanën humaniste vështirë të pëlqehet një vepër apo ajo t’i shërbejë progresit njerëzor. Është humania ajo që u thotë diçka shpirtrave njerëzor, pavarësisht nga dallimet raciale, religjionet, niveleve kulturore, traditave etj. Një vepër nacionaliste që ka tërësinë nacionale mbi të drejtën e popujve të tjerë për të jetuar në paqe dhe lirinë e tyre, nuk mund të jetë e bukur, nuk mund t’i përkasë as perfektes, as harmonisë. Ivo Andriç në veprën e tij kur shkruan kundër një populli tjetër, kundër shqiptarëve, sado stil interesant të ketë ajo vepër, nuk të ngacmon shpirtërisht, nuk të frymëzon, përkundrazi ajo zvetënohet nga karakteri shoven.
HEJZA: A mund të flasim për ngjizjen e evropianizimit të kulturës shqiptare. Në çfarë niveli e kemi sot evropianizimin e kësaj kulture dhe në cilat segmente të kulturës mund të haset me qartë ky evropianizim?
L. RAMA: Padyshim që integrimi evropian nuk është vetëm një integrim politik, ekonomik apo shkencor e teknologjik, por edhe kulturor. Por ky integrim nuk duhet kuptuar si një shkrirje e kulturave midis vendeve të Europës dhe krijimin e një kulture të re që do ishte e pamundur dhe absurde. Integrimi ka të bëjë me frymën, me idetë që duhet të mbartin arti dhe letërsia, nga principet e larta, si të drejtat e njeriut, pluralizmi, humanizmin, etj. Pra, nuk ka të bëjë me prishjen e identiteteve nacionale për të krijuar një identitet e kulturë supra-nacionale. Integrimi është afrimi i kulturave drejt ndjesive dhe vlerësimeve të përbashkëta. Më në pah, në këtë hapësirë evropiane më duket se spikasin kinematografia, artet figurative, dansi…
HEJZA: Cili është identiteti ynë letrar sot?
L. RAMA: Identiteti letrar është i pandarë nga identiteti kulturor që është formuar në shekuj. Kulturat kanë dinamizmin dhe evolucionin e tyre, e po kështu dhe letërsia. Por, ndodh që në momente të caktuara historike të ndikohen shumë nga kultura të tjera më të fuqishme nga pikëpamja e industrisë kulturore. Influenca të tilla kanë ndodhur në kohën otomane,por dhe në vitet ’30 të shekullit XX ku u ndje fuqishëm një tendencë e italianizmit të kulturës. Shpesh politika ndikon mbi kulturën edhe në kuptimin se një aleancë politike me një vend tjetër sjell një tendencë në këtë drejtim. Në fakt, kultura duhet të jetë sa e hapur dhe kozmopolite aq dhe e qëndrueshme nga ana nacionale. Kështu ndodh dhe me letërsinë. Identiteti ynë letrar nuk ka ndryshuar gjatë shekullit XX e në vazhdim. P.sh. identiteti letrar i Kosovës, edhepse në kuadrin e Federatës Jugosllave kishte karakterin dhe identitetin e saj që ndryshonte nga identitetet e tjera për faktin se letërsia shprehte ngjarje, probleme dhe aspirata të një popullsie të caktuar, me një botë shpirtërore ndryshe nga fqinjët. Në fund të fundit çdo letërsi reflekton shpirtin dhe fytyrën e popullit të vet.
HEJZA: Borhesi, Parajsën e perceptonte si një Bibliotekë me kthina nga Babilonia e lashtë e deri te bibliotekat bashkëkohore gjithandej botës! Tendencat për digjitalizimin e librit, për formën e librit online, a po e rrënojnë këtë Parajsë borhesiane, apo janë shenjat e para të angazhimit për digjitalizimin e domosdoshëm të Parajsës-bibliotekave!
L. RAMA: Keni të drejtë, Borhesi na ka lënë një imazh të bukur për Parajsën letrare, meqë ai u lind dhe u rrit që i vogël në gjirin e kësaj parajse. Megjithatë lexuesi i sotëm nuk është ai i djeshmi. Libri on-line është shprehje e epokës që ne jetojmë, i zhvillimit të teknologjive të komunikacionit dhe të informacionit. Dhe kjo botë që na rrethon orë e çast, kudo që shkojmë është e shumëllojshme dhe marramendëse. Por kjo ka një vlerë për të njohur dhe kuptuar botën ku jetojmë. Për historianët e letërsisë, kritikët, është një burim i madh informacioni. Fillimisht, me daljen e librin on-line, ky ishte një zbulim, novitet, por shpejt entuziazmi i parë ka rënë edhepse biznesi e bëri prezantimin e librit edhe më performant. Por, kjo nuk mjafton. Lexuesi i është kthyer librit në letër, librit tradicional, jo thjesht për çështje zakoni, por sepse gjatë leximit ai ka kohë të reflektojë për atë që lexon, të imagjinojë, të ndjejë frymëzimin e brendshëm, meqë libri në thelb ka vlerën e frymëzimit artistik. Kam botuar para disa vitesh një libër për “Kodikët e purpurt” të krijuar veçanërisht gjatë mijëvjeçarit të parë, përfshi këtu dhe kodikët e Beratit dhe zbulimi i botës së krijimit të këtyre librave dhe miniaturave në skriptoria-t e mesjetës për mua ka qenë diçka ngazëlluese.
Sot digjitalizimi i letërsisë vazhdon, por nuk ka atë interes siç ka në digjitalizimin teknik apo shkencor. Nesër kjo do të jetë akoma më e fuqishme, falë zhvillimit të madh të teknologjisë mediatike apo Inteligjencës artificiale. E megjithatë kjo Inteligjencë artificiale nuk mund ta zëvendësojë vlerat e mirëfillta të artit e letërsisë. Po ju jap një shembull: para disa ditësh u takova me një galerist francez të galerisë së pikturave Schwab në qendër të Parisit. Ai është dhe shkrimtar dhe më tregoi dy romane të sapo botuar. Më tregoi kopertonat të cilat m’u duken të zakonshme. “Këto i ka bërë Inteligjenca artificiale”, më tha. Ai ishte futur në internet dhe i kishte kërkuar Inteligjencës artificiale t’i bënte dy kopertina me kërkesat që i bënte ai, d.m.th. formati, ngjyrat që duhej të zotëronin, figura njerëzore etj. Dhe Inteligjenca artificiale i ktheu disa variante që ai të zgjidhte. Nisma të tilla ka pasur dhe në letërsi. Por, a mund të quhet ky art, kur nuk ka brenda tij frymën e vetë artistit?
HEJZA: Nëse moderne quhet gjithë ajo që shkëputet prej traditës, ndërsa tradicionale ngelë gjithë ajo që i reziston modernizimit, atëherë ku e gjejmë kufirin në mes të krijimtarisë tradicionale dhe krijimtarisë moderne?
L. RAMA: Para disa kohësh pashë fotografinë e një jeleku gruaje të veriut shqiptar të shekullit XIX dhe menjëherë vetvetiu u shpreha: “Sa moderne që është!” E imagjinova në çast si një kostum tepër modern, edhepse ato figura ishin krijime të përpunuara në shekuj nga vetë populli. Madje, kam përkthyer kujtimet e një etnologeje franceze që ka vizituar Shqipërinë e viteve 1931 dhe më pas 1938-1939 bashkë me burrin e saj, gjithashtu një etnograf i njohur, i cili shkruante se këto kostume shqiptare (ai ndalet veçanërisht dhe tek xhubleta) do të ishin frymëzuese për stilistët parisianë. Është e habitshme dhe ndoshta duket paradoksale të bashkosh kohërat kështu, tradicionalen me modernen, të sotmen, pasi modernen nuk e gjen vetëm sot, por edhe dje, madje dhe shumë më thellë në histori. Tablotë e Paolo Uccelo-s të Renesancës janë shumë moderne në vetvete. Jean Cocteau frymëzohej shumë para tablove të Renesancës dhe i cilësonte moderne. Po kështu, poeti Rimbaud i fundit të shekullit XIX konsiderohet sot shumë modern, Bodler gjithashtu, etj. Pra nuk është koha kur jetojnë krijuesit që i përcakton ata si modernë apo tradicionalë, por është forca e tyre artistike dhe “shoku” emocional qe krijojnë në spektatorin e sotëm apo të nesërm. Po kështu mund të flisnim për një film që frymëzohet nga tregimet e Dekameronit. Rëndësi ka dhe gjetja dhe sa i flet arti shqetësimit të shoqërisë bashkëkohore. P. sh. Koreografi Angjelin Prelocaj, ndër më të njohurit në Francë, Europë dhe në mjedisin botëror, vë në skenë tema të vjetra, legjenda, të cilat i flasin kohës pasi kanë brenda tyre një lloj moderniteti në formë dhe përmbajtje.
HEJZA: Çka mund të quajmë moderne në letërsinë tonë tradicionale! Në ç’forma e kemi të përfshirë traditën në letërsinë tonë moderne?
L. RAMA: Ju bëni një pyetje që ka shumë rëndësi dhe mendoj se përfshirja e traditës në letërsinë moderne i jep akoma më shumë modernistet letërsisë dhe akoma më shumë identitet. Markezi apo Asturiasi dhe shumë të tjerë në Amerikën Latine bënë të njohur “realizmin magjik”, sepse u mbështetën në traditën gojore, përrallat, në mitologjinë popullore dhe tregimet e vjetra. Në letërsinë tonë shumë pak është shfrytëzuar kjo traditë, duke përjashtuar Kadarenë, ndërkohë që kemi një pasuri të madhe në trashëgiminë gojore, përralla, legjenda, supersticione, rite, etj. Në botimin e dy romaneve të fundit “Dalja” apo “Mëkati i Justinës”, i referohem jo pak këtij lloji të traditës.
HEJZA: Periudha komuniste, nëpër të cilën kaloi edhe populli shqiptar, prodhoi “artin zyrtar” që e luftonte dekadencën, hermetizmin, “artin për art”. Me rënien e kësaj “ideologjie të kuqe” u përmbysën shumë vlera ideologjike, koncepte e mentalitete, por jo edhe krijimtaria e përgjithshme kulturore e kësaj periudhe! Ndodhi kjo, sepse ne shquhemi si harrestarë të së kaluarës, sado e afërt qoftë ajo, apo, sepse, patëm nevojë për një “mutacion gjenetik” që do të na rikthejë drejt evropianizimit të qenësisë sonë?
L. RAMA: Në emocionet e para të ndryshimeve politike në Shqipëri në vitet 1991-1997 u mohua gjithçka që i përkiste viteve të mëparshme. U kërkua të fillohej nga “zero”, siç u proklamua kjo dhe në ekonomi kur prisnin “çekun e bardhë nga Amerika” për të ndërtuar në Shqipëri nga e para. Kështu u rrënuan kombinate, uzina e ferma, të cilat nga ana materiale mund të shërbenin ende për diçka. Problemi kryesor tek ne ishte problemi i liderit politik. Nëse në Çekosllovaki erdhi në pushtet Haveli një mishërim i idesë së demokracisë, në Shqipëri erdhi Sali Berisha që i fryu përsëri luftës së klasave, që kërkoi të ndërvejë veriun kundër jugut duke mohuar njëkohësisht gjithçka nga e kaluara gati gjysmëshekullore dhe kjo edhe në fushën e artit e letërsisë. U rikijuan “idhuj” të rremë, “heronj” të rremë, siç ishin kolaboracionistët me fashizmin dhe nazizmin, çka Europa e ka dënuar gjithnjë në historiografinë e saj pas Luftës së Dytë Botërore.
Sigurisht, totalitarizmi që donte të krijonte “Njeriun e Ri” krijoi njëkohësisht ”artin zyrtar” në shërbim të politikës totalitare çka e kam trajtuar në një botim në Francë, nën titullin “Udha e gjatë në tunelin e Platonit”. Por ç’ndodhi në Shqipëri pas ndryshimeve politike: u ngritën dhe mohuan tërësisht gjithë krijimtarinë letrare dhe artistike, çka nuk ndodhi në vendet e ish Lindjes Europiane, që gjithashtu kishin të njëjtat probleme analoge. Për shembull, u ngritën kundër prodhimtarisë kinematografike me kërkesën për t’i mbyllur filmat në arkiv ose për t’i djegur për faktin se në një pjesë të tyre i ngrihej kult politikës totalitare. Në fakt, nga i njëjti autor kishte vepra ku censura kishte vendosur të vihej një portret i Enver Hoxhës, parullat për Partinë apo flamuj të marksizëm-leninizmit dhe nga ana tjetër vepra mjaft të dashura për popullin. Pastaj, filmi është art sintezë ku është dhe muzika, loja aktoriale, dekoret, pra puna e piktorëve etj. E si mund t’i ndalosh veprat në këtë frymë makartiste, çka të kujton ligjet e makartiste që ndaluan dhe linçuan kineastë të shquar amerikanë në vitet ‘50? Në fund të fundit filmat e viteve 1952-1990 do të jenë dëshmi për historinë, për brezat që vijnë, për të njohur kohën që ka jetuar Shqipëria. Spektatori i nesërm do të kuptojë se ç’ka ndodhur në vendin e tyre kur sundonte një diktaturë. Kam njohur një piktor të talentuar që u fut në burg për adhurimin e pikturës moderniste dhe pas burgut u detyrua të pikturojë portretin e Enver Hoxhës (O. Paskali krijoi në skulpturë dhe mbretin Zog, dhe Enver Hoxhën dhe luftëtarët e mëdhenj të lirisë kombëtare. Jusuf Vrionin e detyruan të përkthente veprat politike të Enver Hoxhës, por ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e përkthimit, veçanërisht të veprave të Kadaresë.
HEJZA: A është i lehtë bashkimi kombëtar në sferën e kulturës. A na pengon dikush që të kemi institucione kombëtare reprezentative: një shtëpi botuese nacionale, një filarmoni kombëtare, një balet kombëtar, një teatër, një produksion filmi, një galeri kombëtare, një akademi shqiptare etj.
L. RAMA: Bashkimi kombëtar në sferën e kulturës është shumë i lehtë nga ana institucionale,pasi është e njëjta kulturë si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë e Maqedoninë e Veriut. Është e njëjta gjuhë, e njëjta histori, pra i njëjti identitet-kulturor. Madje, mendoj se kjo duhej bërë me kohë dhe jemi të vonuar në këto dekada që kanë kaluar. Por, duhet të ruhemi nga nacionalizmi. Hartat që shfaqen në rrjetet sociale që pretendojnë ndryshime kufijsh, janë të papranueshme në integrimet dhe botën që jetojmë. Kultura i kapërcen natyrshëm kufijtë. Pra, e rëndësishme është që shqiptari ta ndjejë veten në mjedisin e tij natyral e historik, pa menduar për kufijtë dhe ngjyrat e një shteti. Ju më pyesni për institucione që të përfaqësojnë kombin. Sigurisht, do kishte interes dhe në këtë frymë po ecet, por jo me ritmin e duhur. Konferencat në Akademinë e Shkencave në Tiranë bëhen të përbashkëta me akademikët e Kosovës. Po kështu dhe bashkëpunimi i galerive, për të përfaqësuar artin, trashëgiminë kulturore, letërsinë në kuadrin kombëtar, pranë një gjeografi që e rrok këtë kulturë por kjo do mbështetje nga bizneset pasi vetë shteti nuk është aq i fuqishëm ekonomikisht. Më e rëndësishme është se kultura jonë duhet të jetë e hapur, veçanërisht dhe ndaj kulturave fqinje. Janë kulturat që afrojnë popujt, shpirtrat njerëzore. Ja pse Jean Monet kur fliste për kulturën thoshte se “Bashkimi Europian duhej të kishte filluar nga kulturat e popujve të Europës”.