Letër nga diaspora
T’I PËRKTHEJMË VLERAT DHE JO ANONIMËT!
Është e nevojshme që të krijohet një mekanizëm kontrollues që do të qartësojë se kush mund të përkthejë në një gjuhë të huaj, por edhe kush duhet të përkthehet. Mbi të gjitha, duhet të angazhohemi që lexuesit joshqiptar t’ia ofrojmë më të mirën dhe jo atë që nuk ka asnjë vlerë
Neviana SHEHI / Itali
Italia dhe Shqipëria kanë një histori të gjatë të marrëdhënieve kulturore, historike dhe gjeografike. Këto marrëdhënie kanë njohur edhe shumë përkthime të autorëve italian në gjuhën shqipe, por edhe anasjelltas. Ndaj dhe përkthimi i letërsisë shqipe në italisht pasuron këtë marrëdhënie dhe lejon lexuesit italianë të njohin traditat, historinë dhe kulturën shqiptare përmes artit të fjalës.
Natyrisht, letërsia shqiptare përfaqëson edhe identitetin dhe historinë e popullit shqiptar. Përkthimi në gjuhën italiane ndihmon në promovimin e këtij identiteti, duke ndihmuar që kultura shqiptare të njihet më gjerësisht, përkatësisht përkthimi ndihmon lexuesit italianë ta kuptojnë më mirë realitetin dhe jetën shqiptare, si dhe përvojat historike të popullit shqiptar. Kjo mund të rrisë ndërgjegjësimin për çështje të përbashkëta, si emigracioni, bashkëjetesa e kulturave dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Nuk mund të themi se italianët nuk kanë njohuri për letërsinë shqiptare, përkundrazi. Në gjuhën e tyre janë përkthyer pothuaj shkrimtarët tanë më eminentë, siç janë Kadare, Qosja, Kongolli, Podrimja, Çela, Zhiti, Mustafaj e shumë e shumë të tjerë. Pra, janë përkthyer ata që vërtet e meritojnë të përkthehen dhe që denjësisht përfaqësojnë letërsinë tonë.
Letërsia është një mënyrë për të ndërtuar ura komunikimi midis popujve. Përkthimi i veprave letrare shqiptare në italisht ndihmon në krijimin e një dialogu letrar dhe kulturor midis dy vendeve. Por, fatkeqësisht, edhe në këtë drejtim, kohët e fundit vërehen forma abuzimi nga ana e disa individëve që nuk brengosen fare për dëmin që e bëjnë. Përkthehet (kryesisht poezi) edhe ajo që vërtet nuk duhet të përkthehet. Shtrohet pyetja: përse herë pas herë përkthehen disa autorë anonimë, të cilët nuk i njeh as lexuesi shqiptar e as mjedisi ku ata jetojnë! Çfarë fiton ai që përkthehet, aq më tepër çfarë fiton letërsia jonë kur lexuesit italian (me përkthime që çalojnë dukshëm) i ofrohet diçka që i ngjan poezisë e nuk është poezi.
Nuk do të thotë se nëse flet italisht, di edhe të shkruash italisht. Mbase, dikush mund ta flasë dhe ta shkruajë italisht në mënyrë të shkëlqyeshme, por problemi të qëndrojë në atë se nuk e zotëron shqipen ashtu siç duhet dhe, edhe më pak, ta njohë në themel letërsinë shqipe. Prandaj, të jesh i kompletuar do të thotë t’i njohësh në masë të madhe të dy gjuhët, të dy letërsitë, për të cilën gjë nevojitet punë dhe mund i madh. Ka edhe “përkthyes e përkthyese” që në ndihmë ftojnë edhe google translate, pavarësisht faktit se kjo “ndihmë” në aspektin gjuhësor është shumë e varfër. Abuzimet e këtilla, përkatësisht përkthimet e fjalëpërfjalshme, janë jetëshkurtër, mashtruese dhe aspak motivuese.
Përkthimi i veprave letrare, duke e ruajtur esencën e veprës, e bën letërsinë shqiptare më të pranueshme dhe më sfiduese. Përkthimet e mirëfillta mund të ndikojnë në përfshirjen e veprave të autorëve shqiptarë në botimet akademike, festivalet e letërsisë dhe në tregun letrar ndërkombëtar.
Përkthimi i letërsisë jo vetëm që shërben për njohjen e kulturave të ndryshme, por gjithashtu ndihmon në zhvillimin dhe pasurimin e gjuhëve dhe letërsisë në përgjithësi. Prandaj, është e nevojshme që të krijohet një mekanizëm kontrollues që do të qartësojë se kush mund të përkthejë në një gjuhë të huaj, në rastin tonë në gjuhën italiane, por edhe kush duhet të përkthehet. Mbi të gjitha, duhet të angazhohemi që lexuesit joshqiptar t’ia ofrojmë më të mirën dhe jo atë që nuk ka asnjë vlerë…