Interpretime

JOHN LOCKE DHE DASHURIA PËR TË VËRTETËN

Në librin “Mbi arsyen”, Locke shprehet: “Zoti nuk është treguar kaq praktik sa të krijonte njerëzit si krijesa të thjeshta me dy këmbë përkundrejt shumë të tjerave me katër këmbë, duke sjellë më pas në tokë Aristotelin e duke i ngarkuar detyrën për t`i bërë njerëzit racionalë”

Ervina TOPTANI

… Dashuria për të vërtetën, që Locke konsideron thelbësore, është diçka krejt e ndryshme nga dashuria për ndonjë doktrinë të veçantë që proklamohet si e vërtetë. Një shenjë e qartë e dashurisë për të vërtetën, thotë Locke, është ajo për të mos mbrojtur një teori me guxim më të madh se sa mund ta lejojnë provat mbi të cilat ajo është ndërtuar.

Prirja drejt imponimit tregon mungesë të theksuar dashurie për të vërtetën. Duke lënë mënjanë arsyen, entuziazmi që secili prej nesh ka brenda tij, do të dëshironte të zbulonte gjithçka të fshehur për të dalë në dritën e të vërtetës e për të treguar qartë se dhe entuziazmi vetë është i dashuruar me të vërtetën. Por, entuziazmi shpesh, pa logjikën e pa përgatitjen e duhur të mendjes, në të vërtetë e ndrydh arsyen dhe vetë dëshirën, duke i zëvendësuar ato me fantazi të pabazuara në arsyetim, në trurin e njeriut.

Ka njerëz që mendojnë se prej gjithçkaje që kanë jetuar, vështirësive të panumërta o vuajtjeve të mëdha, janë afruar me Perëndinë në njëfarë mënyre e janë të urtë e të mençur më shumë se të tjerët. Kështu edhe këshillat, veprimet apo bisedat më të thjeshta të tyre marrin atë formën e “sanksioneve hyjnore”, gjë e cila miklon përtacinë, injorancën dhe kotësinë e njerëzve që në thelb, nuk kanë dashuri për dijen. Kulmi i fatkeqësisë është të paguash gjithë jetën përtacinë për të mos u thelluar tek dijet, duke menduar se jemi të aftë të kuptojmë gjithçka edhe kur nuk kemi studiuar asgjë të vetme në lidhje me fushën ku japim mend. Kjo na kujton politikanët shqiptarë që bëjnë politikë, e shesin atë, e vendosin e mbivendosin si të jetë e mundur duke mos ditur në thelb pothuaj asgjë mbi filozofinë politike, doktrinat e saj, historikun e tyre e aq më pak të jenë të aftë që nëpërmjet saj të ndërtojnë shtet dhe institucione.

Ky kulm përtacie i njerëzve, për të mos u thelluar në dije, për të mos studiuar fenomenet në thelb, ka sjellë shkatërrimin e vendit, e mbi të gjitha ka shkatërruar edhe atë pak kulturë ekzistuese të kohës kur filloi të ndërtohej shtetit shqiptar. Sot prej kësaj kulture nuk ka mbetur asgjë. Ndërkohë që mendimtarët e mëdhenj të njerëzimit nuk i përkasin vetëm vendit ku ata u lindën, por njerëzimit mbarë, rezulton se në Shqipëri pothuajse askush nuk merret me studimin e filozofisë së tyre, por mjaftohen me “mençurinë” që mendojnë se e kanë, duke dhënë përgjigje për gjithçka pa i bërë kurrë vetes asnjë pyetje.

Është një kapitull i mrekullueshëm i Locke në librin e tij mbi intelektin njerëzor që titullohet “Mbi arsyen”, i cili ka për qëllim sqarimin se: arsyeja nuk konsiston në arsyetimin silogjistik. (arsyetim silogjistik është forma thelbësore e arsyetimit logjik e formuluar dhe shpjeguar prej Aristotelit. Është ligrimi, diskutimi apo biseda e ndërtuar në tre shtylla kryesore arsyetimi, dy prej të cilave, shtyllat e para, arrijnë të nxjerrin si përfundimin logjik, shtyllën e tretë, pra bërthamën e diskutimit.) Locke shprehet: “Zoti nuk është treguar kaq praktik sa të krijonte njerëzit si krijesa të thjeshta me dy këmbë përkundrejt shumë të tjerave me katër këmbë, duke sjellë më pas në tokë Aristotelin e duke i ngarkuar detyrën për t`i bërë njerëzit racionalë”.

Kërkimi mbi logjikën, në kuptimin të cilin Locke e përdor, rrok njëkohësisht dy faqe të medaljes: së pari kërkimin e gjërave të cilat i dimë me siguri, së dyti kërkimin e prerogativave që duhet t`i pranojmë në praktikë edhe pse ato janë të mundshme, por jo të sigurta. “Bazat e probabilitetit” thotë Locke, “janë dy: konformiteti me anë të eksperiencës së jetuar ose dëshmia e eksperiencës së jetuar të tjetërkujt”. Mbreti i Siamit, thekson ai, ndaloi së besuari tek gjithçka që europianët i tregonin, në momentin që ata filluan t`i flasin për akujt (Mongkut, njeriu më mendjehapur dhe i pari që bëri të mundur hapjen e vendit drejt Perëndimit që në 1851 dhe progreseve socio-ekonomike mbi baza perëndimore. Ai ishte reformatori i budizmit në Siam).

Leave a Reply

Your email address will not be published.