HUQJA E “POÇARIT”!
Një poezi e bukur e Dritëro Agollit, por jashtë kontekstit historik…!
Nga Daut DAUTI
E kam dëgjuar këngën që e këndojnë shumë këngëtarë në bazë të poezisë së Dritëroit, para se të dija se kush e ka shkruar. Dhe gjithnjë më dukej i çuditshëm konteksti. Një shqiptar, sikur të kishte zbritur në hënë, takon një shqiptar tjetër pa e ditur se është shqiptar, dhe nga një incident i vogël, lind një dialog domethënës e emotiv…Ja, ky është syzheu i “Poçarit” që në letër na e ka lënë amanet Dritëro Agolli, e në kolonë zanore këngëtarë si Ilir Shaqiri e Selami Kolonja. Nuk më linte asnjëherë kureshtja, vallë, si është e mundur një kontekst aq i gabuar?! Ku ka jetuar autori, pyesja, çfarë është ky “zbulim” i njëri-tjetrit nga dy shqiptarët që personazhe të poezisë?…
Por, para se të hy në analizë, të kthehem pak mbrapa në kohë.
Nuk mund ta fshihja gëzimin kur në kohën e përpëlitjeve të mia fillestare në shkrime, arsimtari i gjuhës, Adnan Agai, në fund të vitit shkollor, më kishte dhuruar një libër të trashë me poezi të Dritëro Agollit. Ishte një përmbledhje e botuar nga “Rilindja” nëse nuk gabohem, me mbi 250 faqe. Mjaftueshëm për t’u njohur me poetin e adhuruar nga shumë lexues, por që unë atëherë kisha lexuar pak gjë prej tij dhe ky libër ishte i mjaftueshëm të njihem më për së afërmi me vokacionin e tij lirik. Shumë vite më vonë, në vitin 1990, si pjesëmarrës i Mbrëmjeve Poetikë të Strugës pata mundësi të takohem me poetin e madh, e po atë vit, dhe ta realizoj ëndrrën time djaloshare: me ftesë të tij, bashkë me poetët Mateja Matevski, Todor Çallovski dhe gazetarin e publicistin Nijazi Muhamedi, ta vizitoj Shqipërinë ende pa rënë regjimi komunist.
Dritëro Agolli (1931-2017) ka shkruar dhjetëra libra poetikë me qindra poezi. Është nga lirikët më të plleshëm të letërsisë shqipe, ndër poetët dhe shkrimtarët më popullorë dhe më të lexuar në kohën e regjimit komunist, status këtë që nuk e humbi as pasi ra regjimi. Në një hierarki që e kishte bërë opinioni letrar e ndoshta edhe ai regjimist, ai ishte në treshen e njohur Ismail Kadare – Dritëro Agoli – Fatos Arapi. Nëse Ismail Kadare ishte i pakontestueshëm në prozë, dy të tjerët ishin ata që “shtynin” njëri tjetrin në poezi, natyrisht, pa mos mohuar dhe kontestuar shumë poetë të tjerë, që për shkak të moshës më të re, do të sjellin impulse të reja letrare nga fundi i komunizmit dhe në kohën e pluralizmit.
1.
Për poezinë e Dritëro Agollit, kuptohet, kritika letrare ka shkruar mjaft dhe unë këtu s’kam shumë për të shtuar. Unë zgjodha të analizoj poezinë e tij “Poçari”, të cilën, përveç përmbajtjes së vet mbresëlënëse, më të famshme e kanë bërë dy këngëtarët e njohur shqiptarë, Ilir Shaqiri dhe Selami Kolonja. Nuk ka kurrfarë dyshimi se si një poezi që trajton motivin e mërgimit, do të përmbajë plot mall, mallëngjim për rrënjët e mërgimtarit dhe shumë dhembje për fatin që gjendet larg vendit të lindjes. Me dhembje gjer në klithmë për fatin larg në dhe të huaj, gjëja që e mban gjallë ende është gjuha, saqë për të mos u shkëputur nga ai tipar vetë-identifikimi, heroi i poezisë komunikon në mënyrën e vet: ”Vazove poçari shqip u fliste!”. Ose, ajo antologjikja në këtë poezi, është situata e përshkruar kur poçari dhe blerësi i vazove këmbejnë të sharat, njëri shqip, e tjetri turqisht, me ç’rast kupton se blerësi është një bashkëkombës i tij, klith nëpërmjet dy strofave:
“Pa më shau poçari keq turqisht,
Unë e shava shqip e mend i rashë;
Për çudi poçari nuk u ligsht,
Veç dy lot në sytë e kuq i pashë.
“Mos u çmend ky turk, ky qerata?
Unë e shaj, ai me duar në qafë!
Poçe tjetër mori në dyqan
Dhe më tha: ”Më shaj, për besë, prapë!”
Duke lënë anën dis-harmonike të vargjeve të mësipërme, duke ndryshuar nga strofa në strofë (diku rimohen të gjitha vargjet, diku vetëm dy nga katër, ose numri jo i harmonizuar i rrokjeve, jo konsistencë nga një autor që preferon këtë lloj thurjeje), vëmendjen e lexuesit më së shumti e tërheq klithma që i vjen spontanisht subjektit lirik, se sa ana estetike e vargut. Mirëpo, këtu është një grackë që pa vetëdije ka rënë autori dhe pahetueshëm e ka akceptuar edhe lexuesi, e këtu më shumë dëgjuesi i këngës në bazë të kësaj vjershe të Dritëro Agollit. Është fjala për një lajthitje të autorit lidhur me “këputjen” e gjatë të lidhjeve të subjektit (poçarit) me atdheun (që është fakt që mund të pranohet) , por jo dhe se “fjala shqipe s’blihet në pazar\në dyqan ka vjet që s’e kam ndjerë”. Ja strofa e tërë:
Psherëtiu si unë, tha: ”Jam shqiptar,
Shqip, vëlla, ti shamë dhe një herë,
Fjala shqipe s’blihet në pazar,
Në dyqan ka vjet që s’e kam ndjerë,
Pse mendoj se ka një keqkuptim midis autorit dhe personazhit të poezisë së tij, i mërguar me vite? Ka një boshllëk logjik që nuk ka mundur ta vërejë vetë autori duke e vendosur personazhin e tij në Stamboll. Ta kishte vendosur në Kajro ose Damask, ose në ndonjë qytet tjetër të botës këtë mërgimtar, gjërat do të funksiononin sipas vargjeve të poetit tonë të madh, por në Stamboll, hë, gjërat qëndrojnë ndryshe. Në Stamboll, Izmir, Bursë, e disa rajone të tjera të Turqisë, nuk se nuk është dëgjuar me vite gjuha shqipe…
2.
Nuk kam njohuri se në ç’kohë është shkruar kjo poezi, e aq më pak, se në ç’vite e ka vendosur ngjarjen autori. Të kishte qenë bashkëkohanik i Filip Shirokës ose Naimit do të kishim menduar për ato vite të Rilindjes Kombëtare, ku i këndohej tokës dhe mallit për atdheun, si një motiv shtesë për të punuar për të mirën e tij. Supozojmë se “personazhet” e poezisë nuk janë fiktivë, pasi njëri prej tyre duhet të jetë vetë autori, dhe i bie që ngjarja të ketë ndodhur në ndonjë nga vizitat që ka mundur Dritëro Agolli t’ia bëjë Stambollit. Më se e sigurt, është të ketë ndodhur pas hapjes së Shqipërisë me rënien e komunizmit (viteve 90-të ndoshta). Por, në korrelacion midis situatës letrare dhe asaj reale, te “Poçari” duket një situatë e sajuar për të përçuar një mesazh të fortë se si mund ta përjetojë një i mërguar një takim me një bashkëkombës pas shumë vitesh. Autori me imagjinatë të bujshme e krijon situatën edhe sikur ajo të mos kishte ndodhur, e krijon emocionin e situatës, edhe sikur të mos e kishte përjetuar. Letërsi! Por, meqë situata nuk është në mjedis abstrakt, po në Stamboll, dhe autori është nga Shqipëria e mbyllur nën regjimin komunist, përfundimi është se vetë autori është ai i cili më shumë e ka përjetuar magjinë e takimit me një shqiptar të mërguar, se sa që ka qenë e mundur anasjelltas.
Takimi me ndonjë mërgimtar shqiptar që flet shqip është befasia më e madhe e tij, por është dhe lajthitja më e madhe që del nga mbyllja në gëzhojën e hekurt të regjimit komunist, që nuk e ka lënë shqiptarin ta njohë mirë realitetin e përtejkufishëm. Prandaj dhe autori padashtas bie në këtë grackë. Nuk i shtrova kot dilemat për kohën dhe vendin e ngjarjes, sepse rrëfyesi(autori) mund ta ketë takuar një shqiptar, por ai nuk mund të jetë si një “specie” e rrallë në një Stamboll ku thuhet se ka miliona shqiptarë! Sëkëndejmi, gjithë ajo habi që e përjeton personazhi i dytë, pra poçari, është një habi e panatyrshme, sepse në Stamboll nuk ke shqiptar, sado që të ketë vite i mërguar, që do të thoshte për gjuhën e tij “ka vjet që s’e kam ndjerë”. Është e vërtetë që gjeneratat e reja të muhaxhirëve shqiptarë e flasin dobët ose s’e flasin fare shqipen, në Stamboll, Bursë, Izmir, e gjetkë nëpër Anadoll, por as ata, e jo më pak një poçar në moshë pjekurie, që e ka ruajtur gjuhën e tij dhe për ta ruajtur “flet” dhe me vazot shqip, të ketë vite që “s’e ka dëgjuar”. Mund t’i jetë dukur autorit një frymëzim çasti për një situatë të mundshme të një mërgimtari që me vite s’ka komunikuar me njerëz të gjakut të vet. Por kjo habi e shprehur aq në mënyrë ekspresive te poezia “Poçari”, është më tepër nga izolimi i autorit brenda Shqipërisë komuniste dhe i cili tek pas rënies së komunizmit viziton Turqinë dhe takohet për herë të parë me shqiptarë të mërguar, por është shumë larg së vërtetës që këta shqiptarë të jenë si Poçari i poezisë që me vite të mos kenë dëgjuar fjalë shqipe ose të mos jenë takuar fare me shqiptarë që të shpërthejë në lot dhe të “shkrihet” edhe nga të sharat që i dëgjon shqip. Madje një gjë e tillë mund të ishte larg realitetit për çdo kohë që do të mund artistikisht të vendosnim personazhe. Stambolli nuk ka qenë pa shqiptarë as në kohën e Perandorisë, e as tash. Është mbushur me shqiptarë edhe me shpërnguljet e dhunshme hove-hove, që pas Kongresit të Berlinit, luftërave ballkanike e gjer te shpërnguljet e dhunshme të regjimit të Titos e Rankoviqit. Por, ajo që vlen të thuhet për analizë të kontestit mjedisor, kohor e artistik të poezisë “Poçari”, është se shqiptarët e Stambollit gjithnjë kanë qenë në numër të madh dhe nëse nuk kanë pasur kontakt me dheun e lindjes, kanë pasur kontakt mes vete për ta dëgjuar shqipen nga njëri tjetri dhe kur kanë nisur t’u zbehet gjuha gjeneratave më të fundit, prapë farefisët e tyre nga ish- Jugosllavia i kanë vizituar shpesh, por kanë shkuar edhe si turistë.
3.
Prandaj, shpjegimi më i logjikshëm lidhur me boshllëkun që duket në këtë poezi është këndvështrim i një shqiptari nga Shqipëria, i cili duke qenë vetë i izoluar dhe duke mos pasur kontakt me shqiptarët më të afërt, e lëre më ata të Turqisë, të krijojë një situatë paksa surrealiste sikur vjen shqiptari nga matanë detit dhe ia shuan mallin poçarit të mërguar. Këtë lloj situate artistike, bie fjala, do të ishte më realiste ta kishte vendosur, siç e ceka më sipër, në Damask ose Kajro, te ata shqiptarë që kanë mbetur nga Perandoria Osmane dhe i kanë shkëputur të gjitha lidhjet me atdheun e tyre, dhe çfarëdo lidhjesh tjera dhe kontakte me shqiptarë të vërtetë, mund t’i kenë po si kjo e poezisë së Dritëro Agollit. Për më tepër, një situatë e tillë do të kishte qenë për ato vizitat e para që ua kemi bërë shqiptarëve të Priazovjes në Ukrainë, që janë të përshkruar edhe në librin që bashkë e kemi shkruar me gazetarin Sefer Musliu, që ishte një zbulim dhe kontakt i paharruar në vitin 1993. Ta kishim shkruar ne një poezi të tillë, do t’i shkonte situatës si peri gëzofit.
Nga ç’u tha nuk duhet të vëhet në dyshim vlera artistike e vargjeve të “Poçarit”, por vetëm konteksti i gabuar i një situate artistike, e cila do të duhej të ishte më afër realitetit. Sigurisht që do të duhej të mbetej malli i poçarit për atdheun, gjuhën, rrënjët e tij, por një shqiptar i Stambollit gjithsesi nuk ka jetuar në ishull të vetmuar që të habitej kur në dyqan të tij t’i vinte një shqiptar, përderisa dihet se mijëra shqiptarë mund të kenë hyrë e dalë në dyqanin e tij. Po të ishte gjallë Dritëroi, ndoshta do të ishte ndalur në ndonjë çast dhe të rishqyrtonte këtë shpërputhje të situatës artistike me atë reale. Një gjë të tillë, shumë vite më parë e kishte vërejtur Sabri Godo te romani i tij “Ali Pashë Tepelena”, ku kishte pasur ca përshkrime të Janinës pa qenë fare në Janinë, e që kur kishte pasur rast ta vizitojë, e kishte konstatuar vetë që kishte gabuar. (Nga libri “Ai çast frymëzimi…”, 2022)