Moderniteti i vonë
TË KUPTUARIT E ARTIT
Kjo epokë drejtohet plotësisht nga nxitimi: duhet të jesh sa më i shpejt që të jetë e mundur për të mbijetuar
Sead ZIMERI
Cilat janë kuptimet e mundshme të artit në modernitetin e vonë që askush nuk duket se i kupton, për shembull, performanca e Sislej Xhafës duke thyer vezë mbi një televizor të vjetër? Për shumë prej nesh, arti bashkëkohor duket nihilist dhe i pakuptimtë. Megjithatë, artistët që bëjnë artin duken të pakënaqur nga një kritikë e tillë. Disa artistë që janë pak më të prirë filozofikisht angazhohen në interpretim ku ata vetë duan t’i japin kuptim punës së tyre, por përpjekjet e tyre nuk janë më të suksesshme se përpjekjet e të tjerëve, madje edhe interpretime të tilla shpesh përcjellin interpretime bullshit në kuptimin që Harry Frankfurt i jep kësaj fjale: një interpretim që synon të bindë pavarësisht nga e vërteta dhe disa interpretimet janë po aq të pakuptueshme sa edhe vetë vepra.
Ky është sugjerimi im se si duhet ta kuptojmë artin bashkëkohor. Arti ka marrë këtë formë pasi është pjesë dhe zhvillohet në kontekstin e modernitetit të vonë. Me fjalë të tjera, ne jetojmë në një epokë që nuk ka domosdoshmërisht kuptim: Mund të duket sikur gjërat kanë kuptim, por nuk kanë; ne thjesht jemi mësuar t’i shohim ato vazhdimisht. Merrni për shembull diskursin politik të rritjes së vazhdueshme (constant growth). E gjithë epoka dhe sistemi ynë politik bazohet në këtë nocion të rritjes së vazhdueshme, i cili, duke pasur parasysh shkatërrimin që na ka shkaktuar neve dhe planetit, është krejtësisht irracional. Ndoshta nuk është i pakuptimtë në të njëjtin kuptim që arti është i pakuptimtë, por është irracional në një shkallë që vetëm njerëzit që kanë humbur kuptimin mund ta ruajnë. Për më tepër, kjo epokë drejtohet plotësisht nga nxitimi: duhet të jesh sa më i shpejt që të jetë e mundur për të mbijetuar.
Ligji i konkurrencës është ligji i qytetërimit të modernitetit të vonë: Nëse nuk jeni duke prodhuar vazhdimisht dhe pandërprerë gjëra dhe duke ecur më shpejt se konkurrentët tuaj, do të mbeteni jashtë tregut; peshku më i madh do t’ju gëlltisë. Kjo ndodh kudo, prandaj e shohim tregun të përmbytur me gjëra krejtësisht të padobishme. Plehrat dhe ndotja janë kudo, gjë që shpjegon edhe arsyet e fenomenit të quajtur burn out. Nuk mund të bëjmë asgjë për ta ndryshuar sistemin, ndaj vrapojmë dhe duhet të vrapojmë nëse duam të jemi në skenë ose përndryshe nuk do të llogaritemi asgjë dhe nuk do të na njohin fare. Është një ligj i pamëshirshëm, por vlen për të gjithë njëlloj. Askush nuk është i përjashtuar prej tij.
Kjo na sjell në arsyen pse ky art është i pakuptueshëm: Arti, ashtu si filozofia, është kundër përshpejtimit, konkurrencës dhe fitimit nga vetë natyra e tij. Por për të mbijetuar, ai duhet të konkurrojë dhe duke qenë se nuk ka kohë në dispozicion, duhet të prodhojë shpejt. Ajo që ne shohim si art është, pra, art në steroid, art që është detyruar t’i nënshtrohet ligjit të konkurrencës, art që dëshiron të mbijetojë.
Megjithatë, nuk mund të mos shohim një avantazh kritik të këtij arti dhe rolin e tij në shfaqjen e karakterit të pakuptimësisë së epokës sonë. Përmes këtyre shfaqjeve artistike të vështira për t’u kuptuar, arti na tregon se sa e cekët dhe patetike është bërë epoka dhe ekzistenca jonë, dhe se si asgjë me vlerë të përhershme nuk ka mbetur. Pra, arti, megjithatë, është krijues në mënyrën e vet dhe ende arrin të krijojë hapësirë nga e cila të pasqyrojë absurditetin e ekzistencës sonë. Nuk ka vend më të mirë për të mësuar për modernitetin e vonë sesa në këto krijime artistike të pakuptimta.
Pra, do të thosha se arti si gjithmonë ruan vlerën e tij kritike dhe ndoshta arti performativ është arti më i nevojshëm sot: thyerja e vezëve mbi një televizor të vjetër në një ekspozitë arti është kritika më e thellë që mund t’i bëhet epokës sonë, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të parë realitetin tonë absurd. Jetojmë në një epokë ku gjërat nuk kanë më një vend të caktuar, ku kuptimi nuk përcaktohet më nga asnjë rend kozmik apo shoqëror, ku vetë kërkesa për kuptim është e pakuptimtë. Rolin e artit në modernitetin e vonë e shoh si kritik ndaj gjithçkaje që ekziston, e shoh si të vërtetën e epokës sonë. Kjo është ndoshta e vetmja shprehje kritike e epokës sonë, që arti është aq i përfshirë në të, saqë, si të thuash, nga brenda ekspozon realitetin e tij më të brendshëm, që është ai i rastësisë dhe i pakuptimësisë totale. Pra, mendoni për këtë herën tjetër kur të vizitoni një muze ose shfaqje arti.
(Marrë nga profili i autorit)