Profile: Esat MEKULI
MISIONARI I LETËRSISË SË KOSOVËS
Në krye të revistës “Jeta e Re”, ai do jetë misionar i pasionuar i letërsisë shqipe në ish Jugosllavi: do t’i shndërrojë faqet e revistës në një shkollë të vërtetë letrare, do të kërkojë dhe zbulojë të rinj të talentuar, jo vetëm nëpër Prishtinë por edhe nëpër shkollat shqipe në mbarë Kosovë
Ali ALIU
Me rastin e 30 vjetorit të vdekjes Esad Mekuli u lind në Malit të Zi më 1916; shkollimin fillor e kreu në gjuhën serbe në vendlindje dhe gjimnazin në Pejë të Kosovës, e më pas u regjistrua dhe i përfundoi studimet në Fakultetin e Veterinarisë në Universitetin e Beogradit, ku specializoi dhe doktoroi pas lufte. Si student ra në kontakt me qarqe revolucionare dhe gjatë lufte u përfshi në aradhet partizane; për aktivitetin e tij politik ka qenë edhe i burgosur.
Edhe pse Mekuli është autor i tre librave shkencorë, emri i tij dhe kujtesa për të lidhet me poetin dhe poezinë, zhanër nga i cili ai botoi gjashtë libra, të cilat së bashku mund të përfshihen brenda një botimi të vëllimshëm. Si nxënës në gjimnazin e Pejës, ai ka shkruar edhe një roman, me titull “Vendetta” (Hakmarrje), për fatin e të cilit nuk dihet asgjë. Ishte njëri nga themeluesit dhe Kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi. Pas çlirimit, figura e Esad Mekulit shquhej dhe ishte më e pranishme sidomos në tre dekadat e para të gjysmëshekullit të dytë, si në Kosovë ashtu dhe në hapësirën e ish Jugosllavisë. Poezia e tij me kohë sikur u la në gjysmë harrese, pa të drejtë, dhe shikuar nga kjo perspektivë dhe nga kjo distancë kohore, në vazhdim, do të sjell në vëmendje një aspekt dhe një anë të pa vërejtur në poezinë dhe figurën e Esadit.
Përshtypjet e para për Kosovën, Esat Mekuli i kishte marrë si nxënës gjimnazi në Pejë dhe në Prizren; takimin e vërtetë do ta përjetonte gjatë viteve të studimeve në Beograd përmes sharrëxhinjve, njëri nga profesionet më të shpeshtë të shqiptarëve nga Kosova që kërkonin punë krahu në Beograd. Në Prishtinë, me bashkëluftëtarët partizanë, do të hynte si çlirimtar në fund të Luftës së Dytë Botërore. Si poet do të njihej përmes vargjeve poetike nga koha e gjimnazistit dhe nga koha studentore-revolucionare në Beograd, që do t’i botonte në librin emblematik “Për Ty”. Ishin vargjet e para të poetit, të ngjizura që në vitin 1932, të cilat, edhe për pak do të mbushin moshën 100 vjeçare, që është dëshmi talenti e autorit dhe qëndrueshmëri cilësie e poezisë.
Pa u terur mirë gjurmët e luftës, Esad Mekuli, në vitin 1949 themeloi revistën “Jeta e Re” që do ta udhëhiqte për afro 25 vite. Duke filluar që nga numrat e parë, faqet letrare të kësaj reviste, do të ngjallin, nxisin dhe krijojnë jetën krijuese letrare, për herë të parë në gjuhën shqipe për shqiptarët e Kosovës dhe mbarë ish Jugosllavisë, gjuhë e ndaluar dhe ndëshkuar nga pushtuesit. Prandaj, shikuar nga kjo distancë, qoftë edhe si vegim, Esad Mekuli shfaqet figurë e ngjashme me një rilindës të shekullit 19, i cili e kishte ëndërruar lirinë e popullit të vet vetëm para një dekade, si nxënës dhe student para lufte, e që tashti me besim të plotë besonte dhe shpresonte se edhe për shqiptarët kishte marrë fund robëria shekullore. Që nga ky moment Mekuli do t’i japë frymë dhe kuptim zhvillimit dhe rritës letrare në gjuhën shqipe në Prishtinë. Në krye të revistës “Jeta e Re”, ai do jetë misionar i pasionuar i letërsisë shqipe në ish Jugosllavi: do t’i shndërrojë faqet e revistës në një shkollë të vërtetë letrare, do të kërkojë dhe zbulojë të rinj të talentuar, jo vetëm nëpër Prishtinë por edhe nëpër shkollat shqipe në mbarë Kosovë. Duke iu kthyer më rrallë dhuntisë së vet krijuese, Esadi do ta kthejë atë në një misionarizëm, i cili i jepte frymë, hov dhe shëndet edhe nga zjarri i vet poetik, shkollës së vet letrare. Nga historia letrare botërore ka më shumë raste kur poetë të mëdhenj, shpesh fuqinë e vet krijuese e kanë konsumuar, qoftë në përkthim të kolegëve të vet, qoftë në synime të ngjashme letrare.
Faqet e revistës letrare “Jeta e Re” nëpër të cilën kalonte thuaja tërë zhvillimi e rrita letrare shqipe, kishin “ dy faza shkollore”, pjesën e talenteve të rinj dhe pjesën e talenteve të dëshmuar, të njohur tani përmes botimeve librash. Ata që e mbajnë mend këtë periudhë, nuk mund ta harrojnë një fakt: kur një poet a prozator, kalonte nga pjesë e talenteve të rinj në faqet e talenteve që tani e kishin kaluar atë rubikon, ishte çast i vërtetë gëzimi për të, ishte përjetim lumturie që e njohin krijuesit. Kështu radhiteshin shkrimtarë, brezash që do të përbënin një korpus letrar artistikisht të artikuluar, të njohur dhe vlerësuar në hapësirën jugosllave dhe përjashta saj. I tillë ishte brezi i tyre i fillimviteve të shtatëdhjeta, ai i Ali Podrimjes dhe Azem Shkrelit, përmasash që do të njihen dhe vlerësohen qendrave evropiane. Shumica, në mos të gjithë, e kanë ndjerë dorën e ngrohtë, frymën e misionarit të madh, e kanë ndjerë edhe mburojën e tij gjatë sfidave jetësore, prandaj edhe mirënjohjen deri në adhurim. Pikërisht për këtë raport të tij me shkrimtarët, Ali Podrimja me një rast, do të shkruante: unë kam patur fat në rebelimit tim, se kisha engjëllin tim shpëtues, Esat Mekulin (pasi e kishin përjashtuar nga gjimnazi në Gjakovë për rebelimin e vargjeve të tij, Ali Podrimjen e merr në mbrojtje Esat Mekuli). Me rastin e vdekjes së tij, poeti Azem Shkreli në poezinë kushtuar Esat Mekulit, do të thotë: “ai nuk vdiq, ai shkoi vetëm në përjetësi”.
Pas Mekulit, revista “Jeta e Re” e humbi atë fluid, atë magji tërheqëse, për krijuesit dhe lexuesit, atë enigmë poetike. Do të vijnë në krye të saj, deri në ditët tona, redaktorë me emër e grada të bujshme, por, por pa praninë e dorës, frymës, shpirtit të parë. Do të mbetet mbamendje e largët mirësia dhe dashuria që rrezatonte nga faqet e revistës, nga themeluesi i saj që vihej në kërkim të adresës së autorit të ri shënuar në zarfin me poezinë brenda, që lumturohej kur ata i shkelnin zyrën, që i priste si personalitete të vërtetë, si prind i lumturuar. Kjo pjesë e udhëtimit poetik të Esad Mekulit, e përforcon besimin se ai ishte poet i lindur, e dëshmi për këtë janë vargjet e para të tij, ato të gjimnazistit, dhe ato të zhgënjimit të madh, “Lirikat e Malit Sharr”, gjatë viteve 80, me të cilat e mbyll krijimtarinë. Për më shumë, Mekuli, dhuntinë e poetit të shquar, gjatë udhëtimit të tij, në pjesën më të përkushtuar të veprimtarisë së tij poetike e vuri në shërbim të misionarit, ngjashëm me rilindësit. Këto dy dimensione të artit të tij poetik, artikulohen e realizohen mes dy shtresave, sa të poetit, për ta shpaluar botën e vet, sa të misionarizmit iluminist. Edhe te vargjet e para rinore e revolucionare, edhe te ato të fundit, të zhgënjimit, ndihet një zjarr i brendshëm, i cili kërkon shtigje shpërthimi nga frymëzimi dehës dhe i mjegullt. Tek vargjet e viteve 80 “Lirikat e malit Sharr” që vijnë pas zhgënjimit të madh, ky zjarr ndihet përmes tisit melankolik, por edhe një pasioni adhurues ndaj fenomeneve të natyrës, të gjithësisë, e cila në gjirin e vet e mban universin njeri dhe e mbron atë nga stuhitë. Në shtëpinë e tij malore brenda pyllit të bujshëm të Sharrit, Mekuli ndjen nevojë të komunikojë me krejt atë natyrë me bimësi e lule, që përballë acarit të paskëshin nevojë për ngrohtësinë e poetit, njësoj si poetët e rinj dikur për t’i mbrojtur nga pushteti.
Në mes këtyre dy fazave poetike le të sjellim ndërmend besimin e poetit se Kosova më në fund, pas luftës, është e lirë. Portreti i plotë i Mekulit ngërthen vargjet e angazhuara të entuziazmit dhe misioniarizmin e tij, që shikuar nga të gjitha perspektivat, situatat e sprovat, vijnë së bashku për të imagjinuar tërësinë e tij. Dhe nga të gjitha këto perspektiva krijuese, Esat Mekuli gjatë gjithë jetës së vet rrezatonte një mirësi të lindur njerëzore. Ai dhe poezia e tij shpesh është vënë në përqasje me jetën dhe veprën e Migjenit, poetit shkodran, që ishte 5 vite më i madh se Mekuli, por që të përbashkët kishin hapësirën gjeografike të vendlindjeve të tyre. Për Migjenin Ismail Kadareja, në librin “Migjeni ose uragani i ndërprerë” do të thotë: “Kudo në veprën e tij ndihet ndalimi i parakohshëm, ndërprerja. Ai vetë mund të mendohet si i tillë: i ndërprerë. Por ndërprerja e tij nuk qe e zakonshme përderisa ajo është ndërprerja e një uragani”. Siç dihet, censura mbretërore e viteve tridhjetë dhe sëmundja e pashërueshme ia mbylli jetën poetit pa i mbushur 28 vite. Mund të gjejmë paralelizma edhe për poezinë e penguar të Esat Mekulit, kur kemi parasysh katër faza të jetës krijuese të tij dhe sfidat, ndalesat, ndërprerjet. Vargjet rebeluese nga brenda dhe të mjegullta nga jashtë të viteve 30, vargjet rebeluese për robërinë e popullit të vet, pjesëmarrja në luftën çlirimtare me besimin e plotë se robëria edhe për shqiptarët kishte marrë fund, zhgënjimi i tij i parë gjatë terrorit të quajtur mbledhja e armëve në Kosovë dhe shpërngulja me dhunë e qindra mijë shqiptarëve gjatë viteve 50 për në Turqi, luhatje jo definitive që u vërejt në vargjet e tij të rralla, si dhe zhgënjimi i madh pas demonstratave studentore të vitit 1981 dhe tërheqja në gjirin e Malit Sharr. Nga të gjitha këto sfida e thyerje së bashku mund të na lejohet të vëmë re një ndërprerje, mbase edhe të pranisë së një uragani poetik të Esad Mekulit. (Studime)