Për kritikën letrare

SITUATA AKTUALE, E FRIKSHME DHE SKANDALOZE

Krijuesi i mirëfilltë e sheh me rezervë edhe atë që e krijon vet

Puntorie ZIBA

Hapësira që në rrjetet sociale i dha mundësi gjithsecilit të radhit vargje cilësore dhe mediokre, çorientoi edhe atë grusht lexuesish që e admirojnë letërsinë. Mungesa e politikave kulturore e solli në gjendje të rrëmujshme letërsinë, sidomos gjatë periudhës së tranzicionit. Këtë situatë e vuajnë krijuesit dhe lexuesit. Heshtja na përkujton kambanat mortore. Thuajse kjo periudhë kohore nuk ka shkrimtarë. Pajtohem me disa krijues që thonë se janë të domosdoshme kurset për përgatitjen e kritikëve të ri. Mbase, brezat e ardhshëm do ta filtrojnë letërsinë. Le të mbetet ajo e mira. Situata aktuale është e frikshme dhe skandaloze. Krijuesi i mirëfilltë e sheh me rezervë edhe atë që e krijon vet. Panagjerizmi dhe megalomania krijuese sjell vetëm dilema dhe frika se çka do të ndodh më tutje me letërsinë shqiptare. “U pështirosa në një orë letrare”, më pëshpëriti një poete. ” Edhe unë”- i thashë. U ndjeva keq, por si mund të ndihesh ndryshe kur një orë të tërë dëgjon poezi pa art, të pa stolisura figurativisht, pa fabulë, pa domethënie, pa kriteret që i kërkon arti sublim, pa kurrfarë porosie.

Krijuesin e stimulon kritika, ajo e përkrah moralisht. Për fat të keq në këtë periudhë mungon sita letrare. Vetëm kritika e mirëfilltë do të bënte herrjen. Edhe kur dikush shkruan dhe bën përpjekje ta vlerëson ndonjë vepër, atë e bën për interesa materiale, në baza miqësore e klanore. Kritiku i mirëfilltë duhet ta adhurojë artin letrar, duhet ta njeh, ta sintetizojë, duhet të mos i kursen fjalët, duhet të mos jetë cinik dhe shpirtngushtë, meqë gjithçka do të bënte vetëm për letërsinë.

Para shumë vitesh, kur unë i bëja hapat e para në letërsi, nuk ndihesha rehat me veten. Tek-tuk disa kritikë filluan ta vlerësojnë atë që e shkruaja, mirëpo ndodhte që smirakët të krijonin barriera, të më shqetësonin, kështu vendosa ta përkthej poezinë në gjuhë tjera. Edhe pse e dija që nga gjithë ajo qē e shkruajmë mund të mbetet më e mira, meqë koha do ta filtrojë krijimtarinë e gjithsecilit shkrimtarë, isha kurioze të marr mendim nga kritikët e huaj. “Po të mos shikoja cilësi në atë që e krijon, nuk do ta redaktoja kurrë këtë libër me poezi”. më tha kritiku i huaj. Në ata çaste fillova që udhën time letrare ta bëj me hapa më të sigurt. Pjekuria krijuese që erdhi tek unë me këmbë nazike, ma lehtësoi punën dhe ecjen.

Sidoqoftë, ata pak kritikë të talentuar nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut le të bëhen mësues letrar për kritikët e ri që mund ta kenë pasion zanatin e kritikës letrare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.