Botime

ESTETIKA E KARNAVALIT

(Rreth romanit “Bijtë e zotit tonë” të Ramiz Gjinit, Sh.B “M&B”, Tiranë, 2024)

Agron TUFA

Një ndër gjërat që më ka pëlqyer më shumë në botët e trilluara letrare të shkrimtarit Ramiz Gjini, është dhe metafora ku një shoqëri e tërë mund të përfaqësohet si një skenë e madhe, si një shfaqje, si një karnaval, si një cirk, ku personazhet e kalojnë kastin e aktoreve dhe aktorëve “zyrtarë”. Dhe vërtet, një komb, qytet, vend, komunitet, sido që të doni ta konceptoni grupin shoqëror të cilit i përket, është një karnaval, një cirk i madh. Edhe në tregimet e tij të mrekullueshme, por sidomos në romanet e tij të shkruara në zhanrin homogjen të satirës, që shkon pashmangshëm në grotesk, Ramiz Gjini na ofron personazhe të vëzhguar dhe vëzhguesit; ata që veprojnë dhe ata që dëshmojnë shfaqjen. Kështu hapet kjo klounadë karnavaleskë, shpesh e ngjashme me variacionet surreale të pikturave të Hieronymus Bosch, në romanet “Rrëketë”, “Bibollasit”, “Pëllumbat e rrugës”. Shqipëria është një cirk i madh politik, që përcakton dhe modelet e tjera të cirqeve, por të një cirku në krizë, siç paraqitet në romanin e fundit të Ramiz Gjinit “Bijtë e Zotit tonë” dhe që plotëson një kuartet, një tetralogji romanore të një tipologjie zhanri të satirës e groteskut, sikundërse e tillë është bota e Bibollit, fshat dhe njëherësh krejt Shqipëria. Në romanin e fundit përthyhet e rrëshket nëpër rrëfim me kursiv figura e shkrimtarit të torturuar, përndjekur dhe të varur rrezikshëm nga personazhet e vet. Duket se në fund të romanit, “shkrimtari” ia qëllon disi se “çfarë e mban gjallë” botën e personazheve të tij, çka është edhe njëfarë aludimi arratisjeje nga burgu i tyre që e ka mbajtur peng: ata janë bijtë e Zotit tonë. Kush qenka ky Zot?

“Që nga Sheshi i lavdive vinin aty, duke u dëgjuar gjithë e më fort goditjet festive të tupanëve që lajmëronin fitoren në zgjedhje për të katërtën herë rresht të partisë në pushtet. Ai mbajti vesh një copë herë si i përhumbur, pa kuptuar çfarë po ndodhte. Tek e mbramja u kthye nga Amla dhe i nguli një vështrim të frikësuar e pyetës njëherësh,

– Janë bijtë e Zotit tonë, – i tha ajo.”

Ekzistojnë, sipas filozofit Gallego Silva, tre modele të të parit të botës, artistikisht ose estetikisht: gjunjëzimi, qëndrimi në këmbë ose i ngritur në ajër. Kur e shikon nga gjunjët – dhe ky është pozicioni më i vjetër në letërsi – u jep personazheve, heronjve, një gjendje më të lartë se gjendja njerëzore, të paktën nga gjendja e rrëfimtarit apo poetit. Kështu, Homeri u atribuon heronjve të tij kushte që njerëzit në asnjë mënyrë nuk i kanë. Qeniet superiore ndaj natyrës njerëzore janë krijuar, si të thuash: perëndi, gjysmëperëndi dhe heronj. Ekziston një mënyrë e dytë, e cila është t’i shikojmë protagonistët e trilluar si të natyrës sonë, sikur të ishin vëllezërit tanë, sikur të ishin ne vetë, sikur personazhi të ishte një ndarje e vetes sonë, me të njëjtat virtyte dhe virtyte tona dhe të njëjtat defekte tona. Kjo është, pa dyshim, mënyra më e suksesshme. Ky është Shekspiri, i gjithë Shekspiri. Xhelozia e Otello-s është xhelozia që mund të ketë ndjerë autori dhe dyshimet e Hamletit janë dyshimet që autori mund të ketë ndjerë. Personazhet, në këtë rast, janë të së njëjtës natyrë njerëzore, as më shumë e as më pak se ai që i krijon: janë një realitet, e vërteta maksimale.

Dhe ka një mënyrë të tretë, që është të shikosh botën nga një plan më i lartë dhe t’i konsiderosh personazhet e komplotit si qenie inferiore ndaj autorit, me një prekje ironie.

Personazhet e romaneve të Ramiz Gjinit përshkruhen sipas mënyrës së dytë, pra sikur të ishin “vëllezërit tanë”, por shihen me distancim, me ironi, satirë e grotesk, sipas mënyrës së tretë. Botët e tyre janë peng i së shkuarës, që përcakton të tashmen dhe të ardhmen. Dyshja çiçikoviane e kumbarëve Sulë Koçobashi dhe Lec Çikriku në romanin e ri “Bijtë e Zotit tonë”, janë kontradiktat e përjetshme të njeriut politik të turmës injorante të provincës, që kujdesen si e si t’ia bëjnë jetën ferr njëri-tjetrit. Aventurat e tyre minimaliste e patetike duket sikur kundrohen në një epruvetë; lexuesit i ofrohet një lente për t’i dalluar të zmadhuara kuvendimet, gjestet dhe bëmat e tyre, si nga pikëvështrimi i një Guliveri. Përfundimisht ata janë qenie plot vese e babëzi, nivel i ulët i kërkesave mishtore, që mëtojnë ta gjejnë idealin tek kënaqësitë e tabuizuara të mishit. Jo më kot ata përfundojnë, si të gjithë burrat e ngjashëm me ta, tek shtëpia e vejushës së bukur Hanza Blumi, e rrethuar me trëndafila. Dhe është ajo, një Circe bashkëkohore e provincës, që i trallis me aroma trëndafilash dhe i kthen në gjithfarë kafshësh të përgjumura, me të cilën mbush dhomën e saj të errët. Pra, të gjitha huqet dhe egot e burrave, ajo i redukton në shqisa, në hundë, nga nis dhe metamorfoza e secilit. Circja e Homerit i rikthen shokët e Odiseut sërish në njerëz, por Circja e Ramiz Gjinit i lë të lirë të bredhin sipas asaj metamorfoze që kanë pësuar, në breshka, qenushë, shqartha etj., të tillë që nuk i njohin në atë farë shndërrimi as njerëzit e tyre të familjes. Romani nis si parodi, si satirë, por përfundon në grotesk, në një grotesk të hidhur fantazmagorik gogolian, në një makth absurd me një sfond mallkimi në horizont, – histerizmin frenetik të turmave që festojnë fitoren e katërt radhas në zgjedhje të partisë në pushtet: kaq mjafton për të kuptuar kyçin metaforik se për cilin zot bëhet fjalë, kur Alma thotë për turmat që festojnë, në frazën përmbyllëse të romanit: “Janë bijtë e Zotit tonë”. Romani është një festë leximi, falë stilit suptil të rrëfimit, planeve e nënteksteve të ngjeshura me asociacione e lodërzime komike, gjithë në estetikën e karnavalit, cirkut dhe mistifikimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.