/

Reflekse

DIÇKA PËR AGIM SPAHIUN…

Agimi ia doli t’i mbijetojë shkretëtirës së realizmit socialist. Duke e mbrujtur poezinë me gjakun dhe mishin e vet, bëri që ajo të rritet e shëndetshme, e ndjeshme e mbi të gjitha, siç do të vërejnë dhe studiuesit e tij, me një origjinalitet dhe bukuri të rrallë, mahnitëse

Izet DURAKU

Raportet mes krijuesit dhe njeriut jo gjithnjë krijojnë marrëdhënie harmonike. Në letërsinë shqipe pranohet gjerësisht një shkrirje ideale ndoshta në pak emra si bie fjala te De Rada, Naimi, Petro Marko, etj, ku njeriu i mrekullueshëm përputhet me gjenialitetin krijues të tij. Edhe në rastin e Agim Spahiut, për fat, kemi të njëjtën pamje të pazakontë ku krijuesi dhe njeriu nderojnë njeri-tjetrin. Ndoshta ndikimi mesianik i rilindësve dhe drita sublime e qiririt naimjan ishin bërë pjesë e shpirtit të Agim Spahiut, zemra e të cilit rrihte sipas ritmit të përpjekjeve, synimeve dhe ëndrrave të njerëzve të tij. Sipas kësaj optike, arti shndërrohej në mision dhe shkrimtari hynte në shtegun e rrëpirtë të misionarit. Atje, krateret përvëluese e humnerat e akullta këmbehen vazhdimisht me njëra-tjetrën.

Për Agimin rilindësit nuk ishin vetëm në libra shkolle. Shpirti i tyre qe murosur në themelet e kullave të familjes së tij, të ngritura nga luftëtarë të mëdhenj që shkruan epopenë e qëndresës kombëtare në qafën e Kolesianit, e cilësuar si “Termopilet shqiptare”. Gjaku i këtyre luftëtarëve që prehen në panteonin e lavdisë trashëgohej drejtpërdrejt nga Agim Spahiu. Zhguni i rëndë i misionarit mund të përballohej si luftëtar me një vullnet të hekurt. Vetëm kështu mund të kuptohet se si Agim Spahiu përballoi peshën e makinerisë shtetërore që automatikisht prodhonte për poetin rraskapitje fizike e shpirtërore, vetmi vrastare, përbuzje, përqeshje të hidhëta, kanosje e kërcëllima dhëmbësh… Hekurat e ndryshkur të burokracisë komuniste fërkoheshin me zhurmë. Ashtu me kuisje e skithje rrëqethëse vazhdonin lëvizjen torturuese. Një dhimbje pa fund e mundimshme.

Makina kafkiane e regjimit ushqehej me mishin e ëndrrave dhe shpresave. Në ingranazhet e saj synohej të jepnin shpirt metaforat, të përpëlitej e të vdiste arti i vërtetë. Herë-herë shtrëngimet e saj bëheshin ulëritëse. Përveç poezisë donin të mbysnin vetë poetin. Për të mbijetuar ai i hidhte ndonjë varg, flijonte ndonjë figurë. Kur përbindëshi bëhej gati ta gllabëronte me gjithë rroba, heshtej duke mallkuar me vete.

-Hangsh kryet tënd, u ngopsh në ferr, o zot!

Agimi ia doli t’i mbijetojë shkretëtirës së realizmit socialist.

Duke e mbrujtur poezinë me gjakun dhe mishin e vet, bëri që ajo të rritet e shëndetshme, e ndjeshme e mbi të gjitha, siç do të vërejnë dhe studiuesit e tij, me një origjinalitet dhe bukuri të rrallë, mahnitëse. Në thelb të saj qëndronin brengat e mëdha ekzistenciale të mbijetesës kombëtare në rrjedhë të kohës. Mbi gjithçka therte brenga e gjithkohshme e copëtimit, veçimit dhe izolimit të vendit. Dhimbja që buroi prej ndjenjës së sinqertë dhe flaka hyjnore e frymëzimit që ushqehej me trupin e paktë të poetit, e shpëtuan poezinë. Ndonëse ishte ende herët për tu marrë me brenga të holla vetjake, Agimi ia doli të krijojë tablonë dramatike të dashurisë, plot ngjyra e dritëhije. Vibrimet e përjetshme të saj, ashtu në zgrip midis jetës dhe vdekjes na lenë pa frymë. Një dashuri e pastër, kristalore, një lirizëm i hollë elegjiak e vetëflijues…

Siç i jepej me trup e shpirt krijimit të poezisë, ashtu i ndërtonte Agimi marrëdhëniet me njerëzit që donte. Pa kërkuar asgjë prej tjetrit, jepte gjithçka që kishte. Komunikonte lirshëm, pa paragjykime. Ishte i drejtpërdrejtë. Qeshte me lot ose idhnohej, zemërohej. Veçanërisht me ata që donte më shumë, me të cilët pastaj pajtohej shpejt. Kishte një rreth të gjerë të njohurish nga të gjitha profesionet dhe shtresat shoqërore. Me secilin fliste në gjuhën e tij. Respektonte të moshuarit, sidomos ata që përcillnin zgjuarsi e kurajo. Adhuronte trimat…

(Fragmente nga libri “Agim Spahiu, metafora e lirisë së munguar”)

Leave a Reply

Your email address will not be published.