Recension

TJETËRSIMI ETIK SI ALTERNATIVË EKZISTENCIALE

(“Bonjakët e shekullit”, roman, botoi “Inter Graf“,  2017, Ferizaj)

Kemajl ALIU

Libri“Bonjakët e shekullit” i shkrimtarit Ramadan Haziri, shënon para se gjithash zgjerimin motivor romanesk të prozës së tij, por kësaj radhe me një segment dhe dimension tjetër të rrëfimit, ku përmes personazhit kryesor- një mësimdhënësi të emërtuar: Pusht, i cili është edhe epiqendra e këtij procedeu romanesk, transmetohet te recipienti mesazhi mbi tjetërsimin etik (ç’moralizimin) të një mësimdhënësi, si një mundësi alternative mbijetese në shoqërinë totalitare.

Duhet vënë në pah që në fillim se autori edhe pse e ka në epiqendër të narracionit fund e kryerrëfimin e biografisë individuale të krye personazhit – Pushtit, në pjesën dërrmuese të tij arrin t’i shmanget linearitetit të këtij narracioni duke e segmentuar dhe e degëzuar atë, në ngjarje dhe situata, me personazhet nga aktualiteti dhe historia, me ngjarje sa të vjetra po aq edhe aktuale, e të cilat si bërthama narratologjike e ndërtojnë një narracion të sintetizuar, që për objekt ka rrugëtimin dhe qëndresën  etnikumit tonë në sistemin robërues dhe totalitar një shekullor. Autori nuk merret në mënyrë eksplicite me përshkrimin e aventurave të dashurisë, përkatësisht të veprimeve të PUSHTIT, pasojave të tyre në familjen e tij dhe me gjerë, por përmes tij shpërfaqë raportet e mësimdhënësve tanë me sistemin totalitar (se sa e vështirë ishte të jesh mësimdhënës). Prandaj, Pushti, çmoralizimin deri në tjetërsim e unit të tij, e ka si të vetmen mundësi ekzistenciale, gjegjësisht shenjë identifikuese dhe legjitimuese, për kalimin “tejkalimin” e rrathëve të ferrit të ngritura na OZN-a dhe të UDB-ja.

Pushti devijon për t’u tjetërsuar deri në fund, në kohën kur shkollat shqipe qenë të “lejuara”, mirëpo përcjellja, provokimet, intrigat me një fjalë përndjekja ndaj mësimdhënësve shqiptarë ishte shndërruar në një lloj hije dhe mundësia e arrestimit dhe dënimit me burg e mësuesit si armik, ishte në çdo çast e pritshme. Prandaj, mësimdhënësit do të mbajnë orët mësimore vetëm duke dhënë shënime, në mënyrë që të kishin një alibi të plotë për veprat akuzuese që mund të sajoheshin dhe t’u ngarkoheshin orë e çast.

Pikë iniciale e narratorit ( në vetën e parë) është PUSHTI, kronologjinë për të cilin  e fillon me botën e fëmijës së rrethuar me skamje, e mjerim, të fëmijës bonjak të lënë e të harruar në një vend të mbytur në skamje, mjerim…përbuzje. Pushti i takon etnikumit fati i të cilit është shtypja deri në dëbimin dhe shfarosjen e tij. Romani jo vetëm që është karakteristik për shtrirjen kohore, por edhe për faktin se sinorët kohorë shkrimtari ka arritur t’i dokumentoj me turbulencat, lëvizjet, tronditjet ngjarjet e para luftës së Il-të botërore, dhe pas saj, me gjithë periodizimet, ku aktoret e kësaj shoqërie totalitare do të sillnin disa ndryshime, por siç do të shohim  ato do të jenë vetëm kozmetike, sepse gjatë gjithë kohës Pushti do të mbetet po ai, sepse totaliteti në gjithë-kohësinë e vet ia kërkon atij të qenët Pusht, si konditë ekzistenciale pa rrathët e ferrit…?

Prandaj edhe PUSHTI zgjedh të lejueshmen, atë e cila për pushtetin është e tolerueshme, dhënien pas jetës së shfrenuar morale, kur në fakt si mësimdhënës ai zhveshët plotësisht nga ideali i mësuesisë. Pushti është dhe mbetet Pusht, ai është një nga pushtët të cilët janë fare pak, karshi personazheve të tjerë të cilët e bëjnë jetën e tyre. Pa marr parasysh gjendjen e rëndë robëruese. Autori i shmanget narracionit linear duke vënë narracionet në dualitet komparativ, të cilin e transmeton nëpërmjet personazheve si Adem Selimi, Gjon Serreçi, fshatarëve e qytetarëve të thjeshtë, atyre të arsimuar, të cilët janë në përballje të vazhdueshme me okupatorin qindvjeçar dhe e bëjnë jetën e tyre… Thjesht janë të papërkulshëm. Fshatarë të thjeshtë do ta rrahin keqas milicin Tasiq, për shkak të sjelljeve poshtëruese që ai u bën dy fshatarëve, babë e birë. Apo kur një komunist serb (M. Sheshlia) nuk ishte përmbajtur dhe qëllon me shpullë një kuadër shqiptar, (Abazin), ai do t’i njoftojë vëllezërit e tij të cilët do ta rrahin pastaj mirë e mirë atë, e që pastaj ai duke mos mundur të vazhdojë përballjen me diçka të tillë, do të kërkojë pajtimin.

Personazhet e Hazirit shpërfaqen me veprimet e tyre ashtu siç janë krijuar në rrethanat socio-historike, andaj në kontekstin e rrëfimit për të bëmat e tyre, duhet kuptuar si paralele konkurruese e pushtetit ku këta njerëz e kanë ndërtuar legjitimitetin, mbase të vetmin legjitim dhe sado të robëruar të jenë ata kanë disa kërkesa imperative, prandaj pa marr parasysh fuqinë e tij, pushteti në raport me disa nga kategoritë tij që i konstituojnë ata si qenie dhe komb (nderi, krenaria etj), duhej të sillej me respekt, gjegjësisht të ishte i ekuilibruar, i baraspeshuar në këto raporte.

Ajo çka bie në sy dhe është për t’u veçuar, është se shkrimtari i kushton një rëndësi evidente femrës, gruas shqiptare. Kjo i ndodhë pothuaj në pjesën më të madhe të romaneve të tij (romani “Pushka e Hasimes”), gjithashtu edhe në këtë roman me personifikimin e ZYLFISË, gruaja shqiptare është grua e mirë, nënë ideale, e ndershme, e fisme dhe trimëreshë, por mjaft tragjike.  Një grua e tillë duhet të çojë jetë me PUSHTIN, i cili në fundin e tij, kur nxënësit e tij kishin dalë në mal në luftën e fundit për Liri, ai do deklaroj; “Jam gati të iki. Më varrosni në heshtje pa ceremoni” (fq. 187),  “U kam ngelur borxh brezave. Nuk kisha guxim t’u flisja për robërinë e për lirinë. Mbase kurrë nuk kanë me marr vesh në cilën barrikadë të isha unë”. (fq.188).

Situatat e personazheve tjera paraqiten si embrione të veçanta të narracionit, të cilat edhe pse duken mjaft të mëvetësishme ndërtojnë në mënyrë përplotësuese kontekstin e mesazhit romanor të shkrimtarit Haziri.

Autori është mjeshtër i madh i narracionit në retrospektivë. Kështu, ai sjellë edhe tablonë e marrjes së gjysmës së oborrit të xhamisë të Ferizajt për ndërtimin e kishës ortodokse, ku pushteti e detyron hoxhën me litar në fyt të paraqitet para masës për të deklaruar se kinse këtë e bën me vullnet plotësisht të lirë, prandaj edhe për shkak të kësaj situate, ai do të përfundoj tragjikisht.

Autori përdor një gjuhë të drejtpërdrejtë, të pasuruar me filozofi dhe anekdota popullore, të cilat e begatojnë shprehjen artistike narrative. Personazhet e tij mbahen jashtëzakonisht shumë në shprehje proverbiale, të cilat mbase si të tilla të përkujtojnë (jo për ndikim, sepse filozofia
popullore shqiptare është tejet e pasur), romanet “Me valëte jetës” së V. Kokonës, apo “ Fshati midis ujërave” të K. Jakovës, e të ndonjë tjetri.

Ky roman është i rëndësishëm edhe për faktin se në prozën shqipe, deri vonë këto tema kanë qenë të trajtuara fare pak, ku tjetërsimi etik si një nga mundësitë ekzistenciale paraqitet si një alternativë e legjitimuar nga shoqëria totalitare. Për nga tematika ky roman është i ngjashëm me romanin e R. Kelmendit, “Ahmet Koshutani”.

Ajo çka shquhet në këtë roman, është se kompozicioni nuk hetohet fare fragmentarizmi, e bie në sy sidomos ndërthurja e dialogëve, e cila mendoj se është pjesa më konsistente e romansierit Haziri, jo vetëm në këtë roman. Ai arrin të shpalosë dhe kultivojë një karakterologji tipike të personazheve fare shkurt dhe qartë, të cilët edhe përfaqësojnë identitete historike, fetare, nacionale si dhe dimensione temporiale. Është për t’u veçuar se shkrimtari nuk ka ndjekur vetëm fatin e personazhit kryesor, madje as që e ravijëzon atë në rrethanat e dhëna konkrete, por ngritë perspektiva narrative përmes bërthamave tjera të narracionit, duke shpërfaqur karaktere tjera morale, historike, me të cilat e përthyen historinë e kryepersonazhit, madje pa moralizime prej artisti.

Në fund mund të konstatojmë se romani “ Bonjakët e shekullit” pa dyshim shënon një arritje në krijimtarinë letrare jo vetëm në prozën e R. Hazirit. Kemi të bëjmë me një roman të narracionit tradicional, që shquhet për shtrirje kohore, diskursin e rrëfimit të pasuruar me tipizime dhe ngjarje të bazuara në faktografi dhe dokumentaritet, të cilat shkrimtari arrin t’i transmetojë përmes gjuhës së veçantë krijuese, duke i dhënë bindshëm edhe vlerën e një dokumenti të mirëfilltë artistik.

Leave a Reply

Your email address will not be published.