Rita Filipi
MOS E VRIT VETEN AS KËTË NATË!
Mos e vrit veten as këtë natë, Ti
Që çdo mesnatë e gjen shtëpinë
Zhytur në errësirë…
Ku e zeza dhe drita pikturojnë
Imazhet e tua surreale,
Lindur prej një truri të eksituar
Nikotine-alkoole-drogash…
Mos e vrit veten as këtë natë
Duaje vetminë tënde
Madhështore, të shurdhët,
Zhurmë-tingujsh
Dhe aromë-masturbimesh delirante.
Mos
Mos e vrit veten as këtë natë!
Vetmia jote boheme është më e mirë
Se gënjeshtra që mban në një krevat
burrin dhe gruan,
Se pagjumësia e “liderit” pervers
Që ëndërron të shembë çdo ditë
nga një ëndërr tonën,
Se makthi i atij që fle
Mbi dyshek parash erëndyrë,
Spërkatur me Pure White Cologne.
Prit!
Para se ta pish dhe pikën e fundit të helmit,
Dëgjoje qarjen e saksit që vjen nga lokali poshtë
Klithmën e mbytur të seksit
Pas murit në të majtë,
Drithmën e celularit dritëmekur,
Kur vizatohet një zemër në ekran.
Asnjëherë s’je vetëm o Ti mik,
Që kërkon të shpëtosh veten nga errësira!
Jam dhe Unë këtu.
Jemi të Tjerë aty-këtu
Që vrasim natën me një gotë kokteji,
Ku pikëllimi përzihet
Me pak ëndërr
Pak shpresë
Dhe pak gjak cherry.
ATY POSHTË
Të ndiej çmendurisht
Aty poshtë
Poshtë meje
Ku pulson
Aty
Është rrokullisur
Ajo masë mishi e rrumbullakët
Si koka e bebes
Kur i vjen koha të dalë
Prej vrime
Së bashku me gjakun
E ujërat
Që jetë i dhanë…
Nga dhimbja e dëshirimi
Për ty
Hapem dhjetë centimetra
Marr e jap frymë
Rënkoj zëmbytur
Shpirtin shkul
Për poshtë shtyj
E kur e ndiej
Se mirë se vjen
Mbi çarçaf
E derdh.
Oh i dashur
Truri im është ky
Në duart e mia
Larë në gjak?
………………………………………
E mundur qenka të mendoj
Me trurin jashtë?!
LITARI I MISHIT
Kush je ti që po ma pret
Këtë litar mishi
Që më mban lidhur me Zotin tim?
Tani je në dorën time!
Unë jam MJEKU.
Po unë isha shpirt
Jetoja i pastër
Pa ngjyrë
Ujë i kristalizuar
Ngrirë qiejve të Atit…
Ishe por tani s’je më
Je shpirt e trup bashkë
Nuk e ndien këtë?
Trupin po
Shpirtin jo
Mos u trishto
Aty e ke shpirtin
Të ngulur e të fshehur në mish
Më beso
Unë kam aparate të sakta
Dhe e di ç’ndodh në trupin tënd.
Po Zoti ama
E dinte shumë mirë ç’i ndodhte shpirtit
Unë jetoja në ndërgjegjen e tij
Hesht dhe pi!
MËKATARËT E ASAJ BOTE
Duhet ta pranojmë
Jemi mëkatarët e asaj bote
Tradhtuam vullnetin e prindërve
Dhe ecëm në rrugën e kundërt
Tradhtuam idealin e njerëzisë
Dhe jetuam pa ideal
Tradhtuam besën e dashurisë
Dhe gëzuam çastin e pabesë
Jemi mëkatarët e asaj bote
Që na shau me fjalë të fëlliqura
Na goditi me gurë të mprehtë
Na trodhi organet… ty në fakt jo mua
Mua më ngulën nga poshtë një hu
E na degdisën këtu.
Në Ferr…
Asgjë këtu nuk lind
Këtu ka jetë të përtejme të përjetshme
Lundrohet në një det të zi
Ku derdhen lumenj nafte e rumi
E çmendesh nga era e hashashit
Dhe tingujt e skeleteve
Të divave të Rock-ut
(Që tunden në erë)
Vëllai im
Këtu është jeta e vërtetë
Që në jetën e andejme
Kurrë nuk e provove…
ARDHJA E TIJ
Askush nuk beson më
Te rikthimi i Krishtit të Parë
Sidomos ata të vetëquajturit shenjtorë,
Njerëzit kanë dymijë vjet
Që e përdhosin Krishtin
Dhe festojnë madhërisht
Datëlindjen dhe Datëvdekjen e tij.
Po unë që jam femër
Po aq shenjtore sa «virgjëresha» Mari,
E ndiej Frymën e Shenjtë
Që ma gërryen përbrenda trupin
Dhe ma përgatit mitrën
Për riprodhimin e ri.
E nëse askush nuk beson më
Në virgjëri,
Fara e Tij me siguri
Një ditë do të zërë
Nga seksi i një myslimani
Me një të krishterë.