E. E. CUMMINGS
“MЁ PЁLQEN TRUPI IM KUR ЁSHTЁ ME TRUPIN”
mё pëlqen trupi im kur ёshtё me trupin
tёnd. Ёshtё krejt gjё e re.
Muskuj mё tё mirё dhe mё shumё nerva.
mё pёlqen trupi yt. mё pёlqen atё qё e bёnё,
mё pёlqejnё vakitё e tij. Mё pёlqen tё ndiej kurrizin
e trupit tёnd dhe eshtrat e tij, dhe qёndrueshmёrinё
e dridhjes sё butё dhe tё cilёn
vazhdimisht orё e çast do ta
puth, mё pёlqen tё ta puth kёtё dhe atё tёnden,
mё pёlqen, pёrkёdhelja avash-avash, qimet ngjethёse
tё lёkurёs sё elektrizuar, dhe ajo qё pason pas
ndarjes sё trupave….Dhe sytё trosha tё mёdha dashurie,
dhe ndoshta mё pёlqen ngazёllimi
pёrfundi meje ti krejt e re
Gary SNYDER
PËR/NGA LEW
Një ditë Lew Welch u shfaq papritur,
i gjallë si ti dhe unë. “Dreqi e marrtë, Lew” i thashë,
“megjithatë, ti nuk e ke vrarë veten.”
“Po, e kam vrarë” më tha,
dhe bile edhe atëherë ndjeva njëfarë therje teposhtë shpinës.
“Po, përnjëmend e ke bërë” i thashë – “Tash mund ta ndiej.”
“Po qe besa” ai më tha.
“Ekziston një frikë themelore midis botës tënde dhe
times. Nuk e di pse.
Ajo që unë erdha për të thënë është,
Mësoni fëmijët rreth cikleve.
Ciklet e jetës. Të gjitha ciklet tjera.
Kjo është e gjitha që ka rëndësi dhe kjo është harruar.”
Jim MORRISON
LEHJA E TMERRSHME
Çakall, po i nuhasim mbijetuesit e karavaneve.
Po i korrim të lashtat e përgjakshme në fushat e luftës.
Mishi i cilësdo kufomë i bën mirë barqeve tona bosh.
Uria na shtyn të ndjekim erën kundërmuese.
O i huaj, o udhëtar,
Vështroji sytë tanë dhe sqaroje
lehjen e tmerrshme të qenve të lashtë.
Charles BUKOWSKI
RRUGA E MOÇME
ishte flokëzezë
nga ato që të shkallojnë fare
e që s’pushtohej lehtë
dhe për besë mbase edhe pata luajtur mendsh
por për çudi disi më priu fati dhe ajo vetë më pushtoi
në shtrat ishte vërtet mbretëreshë kënaqësie
megjithëqë ato punë nuk i bënim sall në shtrat
dhe kur ikte edhe kësaj i thosha si të tjerave
qafën e thefsh e kurrë mos u kthefsh
por rodi i tyre zakonisht kthehet
qoftë te unë qoftë te ndonjë tjetër më i mbrapshtë se unë
bile më shpesh te çorodat se te unë
bukur moti s’e kisha parë
e kur isha në hall
dhe i kisha punët pisk
më binin ndërmend
fjalët e saja dhe qeshja vetmevete
…kur rehatohej thoshte
kurrë nuk do të zbrisja nga kjo maje…
(i pëlqenin do këngë të përçudëta: ‘sytë e kaltër në të zbehtë’
dhe në ‘shenjtëri’, i thosha si mund të durosh këtë hallakamë…
trus! ma kthente…)
i përshpërisja oj shtrigë flokëkuqe rri sa të rrihet
kënaqe shpirtin loçkë e shijoje kënaqësinë sa je aty…
sado që
edhe vetë e dinte se aty s’mund të rrinte
as tërë ditën as tërë natën
shkaku i motit të ligë
shkaku i motit të bukur
shkaku i shkollës
dhe pasi që shijonte kënaqësinë
zbriste nga maja
e më thoshte
o teveqel
kot e ke
kurrë s’ke për të shkuar në parajsë
pse moj shtrigë flokëkuqe (vërtet donte t’i ngjyroste flokët
në të kuqe ngase ishte flokëzezë)
ke bërë shumë mëkate
po çfarë mëkatesh o jogurti im
dëgjo këndej dhe mbaje mend mirë kurrë më
mos gabo të quash jogurt
unë jam ajkë more dështak ma kthente
derisa i binte
një hije trishtimi
e unë e quaja jogurt ngase njëherë ia pata lyer trupin
me jogurt në vend se me mjaltë dhe ia pata lëpirë
atë siç lëpin qeni mutin
…dhe tash së voni kur e takova
e pyeta për atë vakinë e moçme
pse më thoshe kurrë s’do të shkosh në parajsë…
ngase s’më ke martuar more dështak i përbetuar
por si të të martoj moj shtriga ime kur unë
i shkreti s’mund ta mbaj as veten gjallë e lëre më ty…
u ndamë
unë vazhdova rrugës sime të moçme
e ajo
ajo si gjithnjë ktheu diku
te ndonjë çorod.
Raymond CARVER
VDEKJA IME
Po qe se kam fat, do të jem i lidhur nga të gjitha anët
në krevatin e spitalit. Gypat do t’m’i fusin
në hundë. Por përpiquni të mos keni frikë nga unë, miq!
Po ua them bash tash se kjo është në rregull.
Tekembramja nuk po ju kërkoj edhe aq shumë.
Dikush, shpresoj, se do t’ju telefonojë të gjithëve
për t’ju thënë: “Ejani shpejt, ai po jep shpirt!”
Dhe të gjithë do të vijnë. Do të kem kohë
të hallallohem me të gjithë të dashurit e mi.
Po qe se kam fat, ata do të më afrohen
dhe unë do të jem në gjendje t’i shoh për herë të fundit
dhe ta marr me vete atë kujtim.
Sigurisht, do të më shikojnë dhe do të dëshirojnë të largohen me vrap
e të ulërijnë. Por pasi që më duan,
do të ma ngrenë dorën dhe do të thonë: “Mbahu trimërisht”
ose “Çdo gjë do të bëhet mirë.”
Dhe mirë e kanë. Çdo gjë është në rregull.
Bash mirë është. Sall po ta dinit se sa të lumtur më keni bërë!
Po shpresoj se fati s’do të më braktisë, dhe do të mund t’i bëj
do shenja të njohjes.
T’i hap dhe mbyll sytë sikur të thoja:
“Po, po ju dëgjoj. Po ju kuptoj.”
Bile do t’më shkoj ndoresh t’ju them diçka të këtillë:
“Edhe unë ju dua. Jini të lumtur”
Po shpresoj për një gjë të tillë! Ama nuk dua të kërkoj tepër shumë.
E po qe se nuk kam fat, njashtu siç e meritoj, animirë, vetë do të
bie, ashtu, pa kurrfarë gjase
për t’u përshëndetur ose për t’ia shtrënguar dorën ndokujt.
Ose të them se sa shumë ua kam mbajtur gajlen dhe jam kënaqur
në shoqërinë tuaj gjatë gjithë këtyre viteve. Sidoqoftë.
përpiquni të mos vajtoni shumë për mua. Dua që ta dini
se kam qenë i lumtur derisa isha me ju.
Dhe mbajeni mend, se këtë ua kam thënë para do kohe – në prill 1984.
Por jini të lumtur po qe se jap shpirt në praninë
e miqve dhe familjes. Nëse ndodhë kjo, besomëni,
Ia kam dal mbanë. Kësaj radhe nuk kam humbur.
Përktheu: Fadil Bajraj