Puntorie Muça Ziba, shkrimtare

VLERAT E MIRËFILLTA GJYKOHEN NGA INJORANCA DHE MEDIOKRITETI

Sa ata të kolltukëve të institucioneve kulturore e pyesin veten se çka ndodh me krijuesit shqiptarë në RMV, sa është avancuar dhe sa është zhvilluar kultura shqiptare, si trajtohen krijuesit e mirëfilltë, sa botohen, sa përkthehen në gjuhë të huaja, sa ju botohet e ribotohen veprat e plota me vlera të larta artistike

Shkëlzen HALIMI

Puntorie Muça Ziba është shkrimtare strugane, me një opus të madh veprash të gjinive të ndryshme. Ajo deri më tani ka botuar- poezi për të rritur: “Rruga e mjellmës” – 1987, “Sodisin yjet” – 1990, “Kuku”  – 1977, “Rapsodi udhëtarësh” – 1995, “Suita e lënduar” – 2002,  “Vega”  – 2006, „Edhe qielli mbetet I kaltër“ – 2011, „Lulesyri“- (anglisht-shqip-maqedonisht) 2013, “Koha e qershive”- 2018, “Vjersha të zgjedhura” – 2021, poezi për fëmijë: “Yllkat bisedojnë me meteorë” – 1994, “Xixëllonjat luajnë valle natën” – 2007, pjesë dramatike për fëmijë: “Aventurat e princit Ujkan” – 1999, tregime për të rritur: “Shtatë vjet pritje” – 1974 “Te logu I cucës” – 1998, “Mjedra e egër në malin e thatë” – 2003, “ Shtatë male një rrëfim”- 2023, pjesë dramatike për të rritur: “Motrat me shirit të kuq”, e inskenuar në Shkup dhe në Teatrin Kombëtar të Tiranës 1993 -1994. “Dorotea” e botuar më 1998 në revistën “Stili”, “Udha e ikjes” (fitoi çmimin e tretë në konkursin “Buzuku”, Prishtinë, botuar më 2007), “Nuk martohem kësaj vere” – 1999, “Zonja me celular”- monodrama – e botuar në revistën «Jehona» , “Ahengu i  grave të qytetëruara”- e botuar në revistën “Jehona”, “Djajtë e netëve të fundit”- e botuar në revistën „Jehona“, “Harta sekrete”- komedi e publikuar në portalin Zemra shqiptare,  “Pesë drama bashkëkohore” – 2020, romanet: “Vjeshtë totemësh” – 2007, “Emma Jazzi” – 2009, “Unë, dhuna dhe Emma Jazzi” – 2009, „Gjurmë dhe ishuj“ – 2012, “Ndërgjegjja e pleshtit” – 2017, “EMMA”- ribotim, 2019, „Astriti”- botohet më 2022, “ Shtëpia që nuk blihet”-2024.

Puntoria është fituese e shumë çmimeve. Disa nga veprat e shkrimtares janë përkthyer në gjuhë të huaja dhe është përfshirë në antologji të botuara në anglisht, maqedonisht, turqisht, frëngjisht etj. Me Puntorien bisedojmë për disa çështje aktuale që kanë të bëjnë me shoqërinë dhe letërsinë shqiptare.

HEJZA: E nderuara Puntorie, ambienti ynë letrar fatkeqësisht ka kohë që është kontaminuar me lloj – lloj mbeturina që dukshëm ia kanë zënë frymën letërsisë së mirëfilltë. Sot kemi më shumë botues se lexues, qarqe të ndryshme “letrare”, kemi mafi letrare, kemi epigonizëm, diletantizëm dhe çka jo tjetër? Vlerat e vërteta u përmbysën për shkak se demokracia vazhdon të trajtohet me mjete të anarkisë. Pse ndodhi kjo dhe si ta dekontaminojmë këtë ambient letrar?

MUÇA ZIBA: Koha rrëqethëse e letërsisë shqiptare filloi prej periudhës së tranzicionit. Sistemi demokratik me mjetet e tij të anarkisë barti me vete llumin dhe diletantizmin, i cili përpiqet t’i vë nën hije vlerat letrare të mirëfillta. Teknika gjigante, domethënë interneti hapi fusha të gjëra depërtimi ku secili që e di alfabetin, e quajti veten poet. Aq të frikshme u krijuan situatat, saqë injoranca dhe mediokriteti filloi t’i gjykojë vlerat e mirëfillta. Bile t’i lë nën hije, meqë papërgjegjshmëria, mungesa e shkollimit, mungesa e dëshirës për të njohur letërsinë e mirëfilltë, mungesa  e kulturës së leximit, e krijimit të kritereve për të kuptuar çka është letërsi e mirëfilltë dhe çka nuk është, nuk ekziston aspak te shumica e akëcilit që merr guximin dhe e quan veten poet. Krijuesi mediokër e vuri nën hije pakicën e vlerave. Gjithçka botohet pa kaluar në sitën e vlerave, vetëm nëse ka pak para në xhep. Kjo nuk do të thotë se shkrimtarët e talentuar janë parazit, konformist që shohin sehir me atë që po ndodh, meqë për këtë gjë problemi bie mbi politikën kulturore, mbi segmentin qeveritar i cili deri më tani është treguar mospërfillës ndaj problematikave letrare.

HEJZA: Sot, si kurrë më parë, shkruhet poezia shqipe, ndërsa shumë pak flitet për poezinë shqipe. Edhe ata që marrin mundin të flasin për poezinë më tepër i përkasin kategorisë së “kritikëve letrar” që ose kurrë nuk e kanë shkruar poezinë ose kurrë nuk janë përpjekur të mësojnë si shkruhet poezia!

MUÇA ZIBA: Është e vërtetë se sot si asnjëherë më parë shkruhet poezia. Është e trishtueshme  t’i hapësh faqet e internetit, meqë sapo t’i hedhish shikimet, të dalin para vargje të njëfarë lloji të çuditshëm të radhitjes së fjalive me një sintaksë të çoroditur: “ Hyri treni në tunel, pritni se tash do të del”.

Kritikët e mirëfilltë (të rrallë dhe të paktë) në të gjitha trojet shqiptare, herë-herë shkruajnë nga këndvështrimi i tyre dhe përpiqen t’i nxjerrin vlerat në sipërfaqe, por ata nuk mjaftojnë. Disa që marrin guximin ta quajnë veten kritik, nuk kanë lidhje si shkruhet poezia. Ata kurrë në jetën e tyre nuk e kanë lexuar poezinë me pasionin e një lexuesi të mirëfilltë. Kuptohet se kritika e vërtetë hesht dhe mbase ka arsyet që hesht. Disa prej tyre shkelin mbi kritere për interesa të vogla materiale, ose kritik bishtë-shitur qysh në kohën e monizmit që shkruajnë në baza miqësore dhe marrin guximin të thonë se krijues do të mbeten ata të cilët i kanë futur në antologjitë ku janë autor.

HEJZA: Në këtë ambient të çoroditur ndodhin edhe disa absurde për të cilat duhet ngritur zërin. Para se gjithash, sipas një ligji të pashkruar, këtë duhet ta bëjnë edhe shkrimtarët. Përjashto dy – tre individë, të cilët ndonëse ngrenë zërin për devijimet e shumta, sidomos në kulturë, ata fatkeqësisht më shumë i ngjajnë Don Kishotit në luftën e tij me mullinjtë e erës, të tjerët kanë zgjedhur opsionin e heshtjes. Shtrohet pyetja: pse “shkrimtarët” tanë heshtin kur e keqja rëndon edhe mbi kurrizin e tyre?

MUÇA ZIBA: Shkrimtarët me vlera të padiskutueshme heshtin. Shtrohet pyetja përse heshtin? Mendoj se shkrimtarët që kanë qenë produktiv gjatë kësaj periudhe letrare dhe kanë vlera të mirëfillta, hezitojnë të japin mendim rreth poezive mediokre, sepse ekziston mundësia të hapet një arenë lufte gladiatorësh që nuk do të merrte fund kurrë. Është absurde të luftosh me këtë grup diletantësh të vetëshpallur poet, sepse do të vërsuleshin dhe do të ngrehnin botën në këmbë duke thënë se gjoja poezitë e disa shkrimtarëve nuk kuptohen nga figurat e tyre letrare. Ata harrojnë shpirtëroren, bukurinë e fabulës, mesazhin e saj, metaforat e madhërishme që i kërkon vargu, simbolin dhe shumë figura tjera që e stolisin dhe e fisnikërojnë vargun. Ata kurrë nuk e kanë lexuar Lasgushin, Migjenin, Azem Shkrelin, Podrimen, Visarin Zhitin, Din Mehmetin, ose nga letërsia sublime botërore, Hajnen, Bodlerin, Lorkën, Pushkinin etj. Krijuesi i vërtetë mbanë përgjegjësi edhe për lexuesin e mirëfilltë, ai gjithçka ndanë me atë. Vetëm poeti i ndërgjegjshëm futet në qerthullin poetik gjithmonë duke pasur dilema mbase edhe të tepruara se, a vlen për ta bërë publike akëcilën poezi ose jo. Mendoj se pseudovlerat mund të luftohen me shumë kujdes dhe me shumë mund po të ekzistojnë politikat kulturore, pastaj bashkëpunimi me kritik të mirëfilltë, me shkrimtarë që kanë dëshmuar vlera dhe identitet letrar. Vargu e kërkon jetën dhe shpirtin nga dora e krijuesit. Vargjet frymojnë dhe krijojnë dridhje emocionale te dashamirët e artit.

HEJZA: Në Maqedoninë e Veriut funksionojnë disa klube e shoqata letrare shqiptare. Mbahen shumë orë letrare, ndahen disa të ashtuquajtura “mirënjohje” (gjithnjë në baza interesi). Por, fatkeqësisht, nuk kemi një çmim letrar vjetor, siç ndahen në Prishtinë e Tiranë, një çmim që sado pak do të ishte unifikues dhe nuk do të kishim ambient letrar të përçarë, çfarë aktualisht kemi. Pse nuk kemi forcë për diçka të tillë?

MUÇA ZIBA: Kam dëgjuar se në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë disa klube dhe shoqata shkrimtarësh. Nuk kam marrë pjesë asnjëherë në ndonjë shoqatë apo klub letrar këtu në Shkup. As nuk i njoh, as nuk i kam lexuar ata që kanë themeluar klube dhe shoqata. Në Tetovë ekziston një shoqatë serioze dhe më pëlqen puna e krijuesve që e përfaqësojnë atë shoqatë. Më vjen keq për SHSHSHM-në që e themeluam, e regjistruam dhe dy vitet e para punët i kryenim sipas statutit dhe programit të asaj shoqate, e cila u uzurpua para njëzet vitesh nga një individ. Ajo sot është shndërruar në një shoqatë që e përfaqëson një njeri pa anëtarë. Degët e pemës me fruta të bollshme u thyen qëllimisht. Lart e poshtë personi në fjalë prezantohet akoma si kryetar i asaj shoqate që ia ndërroi edhe emrin. Grazhdi i shoqatës gllabërohet nga individi i papërgjegjshëm karshi vetvetes dhe karshi kulturës shqiptare. Gllabëruesi i asaj shoqate serioze dhe me shumë kritere, mbase iu pëlqeu atyre që ishin dhe janë kundër letërsisë shqipe, kundër prioriteteve dhe kulturës tonë. Shoqata e shkrimtarëve maqedonas (për ta marr lakmi) këto njëzet vite ka ndërruar pesë kryetarë. Puna e tyre ec sipas rregullave ligjore. Ne na sillet në vend rrota e punëve të liga, mbasi nuk pyesim për ligje dhe rregulla. Vallë sa e pyesin veten ata të kolltukëve të institucioneve kulturore se çka ndodh me krijuesit shqiptarë në RMV, sa është avancuar dhe sa është zhvilluar kultura shqiptare, si trajtohen krijuesit e mirëfilltë, sa botohen, sa përkthehen në gjuhë të huaja, sa ju botohet e ribotohen veprat e plota me vlera të larta artistike. Pikërisht për t’u krijuar kjo neglizhencë letrare, qëllimisht është bërë fshirja e gjurmëve të asaj shoqate. Këtë punë të mbrapshtë e harruan edhe të shpërblyerit partiak që duhet të angazhohen ekskluzivisht për kulturën nacionale pa u frikuar nga askush.

Disa punë serioze vërtet nisin nga njerëzit e vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm. Anëtarët e kësaj shoqate ishin shkrimtarë seriozë dhe me vlera. Këtë e nuhati xhelati me xhelatët dhe i përdori të gjitha mundësitë që ta shndërroj shoqatën në një tufë njerëzish për ahengje dasmash. Si rrjedhojë e degradimeve, xhelozive dhe mungesës së shoqatës, në kryeqendër kemi një ambient mjaft të përçarë. Individ të ndryshëm mundohen ta prishin imazhin e vlerave jashtë kufirit gjeografik të RMV-së. Tani për tani nuk besoj se mund të  gjendet vullnet për çmim unifikues në RMV, prandaj shkrimtarët dhe kritikët heshtin.

HEJZA: Ju shpesh merrni pjesë nëpër ngjarje poetike që organizohen në Shqipëri e Kosovë. Por, është një e vërtetë se sa i përket bashkimit shpirtëror, kemi edhe shumë barriera në kokat tona, çka do të thotë se akoma nuk njihemi mes veti ose edhe nuk duam, siç dëshmoi publikisht Rudolf Marku me “antologjinë” e tij, i cili vlerëson se poezia bashkëkohore shqipe shkruhet vetëm brenda territorit të Shqipërisë. Pse ky refuzim i bashkimit shpirtëror?

MUÇA ZIBA: Mendoj se bashkëpunimi Shqipëri, Kosovë, Maqedoni ekziston mes shkrimtarëve në mënyrë individuale, jo në mënyrë institucionale, ose përmes shoqatash apo klubesh të ndryshme. Barierat, paragjykimet ose gjykimet mund të ekzistojnë në kokat e disa krijuesve, por shumica prej tyre kanë vullnet të plotë bashkëpunimi. Ata nuk na kanë harruar kurrë. Njëfarë veprimi të këndshëm dhe shumë diplomatik ka realizuar edhe interneti. Përmes fb-së dhe “fan page” na kanë lexuar krijues të ndryshëm, të cilët nuk e kanë kursyer kohën dhe i kanë vlerësuar librat tona dhe na kanë përkthyer në gjuhë të huaja për të na përfshirë në ndonjë antologji. Shkrimtarët që i kanë vlerësuar librat e mi janë më shumë nga Shqipëria. Mund ta përmendi sarandiotin Timo Mërkurin, Fatmir Terziun, Violeta Allmuçan, Luljeta Lleshanakun, Tatjana Kurtiqin, Iliriana Sulkuqin e disa të tjerë, kurse nga Kosova qysh në fillimet e krijimtarisë time kritik serioz ka qenë i ndjeri Ramadan Musliu.

Nuk mund të them që nuk kemi qenë të ftuar në manifestime të ndryshme në disa qytete të Shqipërisë dhe Kosovës. Disa herë kam qenë pjesëmarrëse në Netët Poetike Korçare, në Elbasan, në Sarandë, në Lushnjë dhe në disa qytete tjera. Në Kosovë kam qenë pjesëmarrëse në Takimet e Poeteshave në Vushtrri, në Manifestimin Internacional “ Poeti dhe aktori” në Prishtinë etj.

Një refuzim bashkëpunimi shihet në antologjitë e ndryshme që botohen individualisht në Kosovë dhe në Shqipëri. Autorët e antologjive i përfshijnë miqtë dhe i refuzojnë disa me të cilët kanë inate personale. Bëhen punë pa kritere serioze. Ka ndodh që në disa antologji të mos përfshihen shkrimtarët me vlera artistike.

HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron problemi: te shkëputja e kontaktit krijues-lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare?

MUÇA ZIBA: Pasi demokracia krijoi edhe anarkinë letrare, nga shkaqe të mungesës së kritikës së mirëfilltë edhe nga shumë shkaqe tjera, ende nuk është krijuar epoka letrare e letërsisë që duhej të ekzistonte gjatë periudhës së demokracisë. Epoka letrare e kësaj periudhe duhet të krijohet me hapa gjigante, me shumë durim, dhe kuptohet duke i hequr kufijtë letrar Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, diasporë etj. Verbëria e kritikëve të paktë, përtacia, ikja e tyre nga përgjegjësia për krijimin e njëfarë lloj “armiqësie” mes krijuesish, i vë gardh epokës letrare që mund të krijohej gjatë këtyre viteve të tranzicionit. Unë si shkrimtare jam shumë skeptike për ujdisjen e vlerave dhe  radhitjen e një hierarkie letrare, për arsye se duhet shumë punë dhe rregulla që i kërkon letërsia sublime në këtë “grumbullim” llumi letrar. Shtrohet pyetja sesi mund t’i dalim në mbrojtje letërsisë, a duhet t’i rikthejmë rregullat kriteret e mëhershme për me e treguar rrugën e drejt se në ç’mënyrë shkohet deri te botimi i një libri. Nuk duhet të harrojmë për cenzurën që duhet ta vëmë në mënyrë institucionale. Mirëpo, një mal vështirësi na dalin në pah, sapo i kujtojmë botuesit që botojnë libra pa kurrfarë kriteresh vetëm e vetëm për interesa materiale. Kujdesi për të pasur letërsi të mirëfilltë nuk e kziston fare. Pasi të vëndohen punët në binarët e duhur, atëherë mund të realizojmë një epokë letrare që do të jetonte në historinë e letërsisë shqiptare.

HEJZA: Në ç’situata të sikletshme e në ç’nivele të delirit kalon shpirti kur krijuesi e nis dhe e përfundon një poezi. Apo poezia vjen vetvetiu, ngjarje pas ngjarje, pas dashurisë, tradhtisë, vdekjes…

MUÇA ZIBA: Poezia shkruhet më lehtë se proza. Është një produkt çasti kur poetit i vjen frymëzimi qoftë i ngacmuar nga mungesa e dashurisë njerëzore, nga luftërat nëpër botë dhe nga shumë fenomene tjera që na rrethojnë. Situatat kur krijohet poezia mund të jenë shumë të këndshme ose shumë të sikletshme, kështuqë poeti i futur në delir nga koshienca e tij e ndanë me lexuesin atë që e mendon. Është metafizikë dhe nuk mund të shpjegohet dëshira e madhe e poetit që përmes armës së tij të vetme ta gjuan atë që i pëlqen ose atë që nuk i pëlqen fare.

HEJZA: Raportet ndërnjerëzore në mesin e krijuesve tanë të traditës, jo se ishin të mira, madje, të tilla raporte kemi edhe sot ne mesin e shkrimtarëve, të cilët më tepër parapëlqejnë të barrikadohen nëpër “ishuj krijues” pa kurrfarë ura ndërlidhëse. Cili është konfiguracioni i terrenit krijues. A e kemi seriozisht të bëjmë letërsi, apo “krijimtarinë letrare” po e përdorim si hobi? 

MUÇA ZIBA: Shpesh herë kam lakmi kur te krijuesit e mëdhenj botëror, por edhe te ata shqiptarë, hasi miqësi mes krijuesish. Flitet se krijuesit e ndjejnë veten rival me njëri – tjetrin. Ata harrojnë se po të fluturonte vetëm një zog në qiell, do të na bëhej monoton. Gjithashtu edhe në një kopsht po të çelte vetëm një lloj luleje, do të krijonte monotoni e vetmja ngjyrë e saj te syri i njeriut. Letërsia quhet letërsi për arsye se në atë sofër të madhe ka krijues të ndryshëm që trajtojnë tema dhe motive të ndryshme. Poezia është si figurat njerëzore. Njerëzit janë të ndryshëm në pamje dhe në çdo aspekt tjetër. Edhe poezia nuk mund të jetë unikale. Poet të ndryshëm, poezi dhe stile të ndryshme. Mbase këtu qëndron mrekullia. Me rëndësi janë vlerat artistike dhe sublimja.

HEJZA: E bukura dhe madhështia e tradicionales, e së vjetrës? Sa jemi si popull që e çmojmë tradicionalen? Faktet në terren sikur e flasin të kundërtën! Nuk e pëlqejmë të kaluarën tonë, të vjetrën, nuk e konservojmë atë për ta ruajtur brez pas brezave por, e rrënojmë, mbi të e ndërtojmë të renë!

MUÇA ZIBA: Pikërisht e bukura në krijimtari vjen nga tradicionalja. Varet nga kultura e leximit, arsimimi që ka shkrimtari etj. Poezia lind unike në llojin e vet edhe kur frymëzimin e merr nga kohët e lavdishme, nga traditat tona. Vargjet bashkëkohore të shkruara me stil sjellin frymën e tradicionales. Përmes tradicionales poetët e talentuar flasin poetikisht, këndojnë poetikisht, rizgjojnë poetikisht. Tradicionalja ka qenë gurrë frymëzimesh në poezinë time, kuptohet me ndryshimet që i kërkon bashkëkohorja.

Leave a Reply

Your email address will not be published.