KULTURA THEMEL I ÇDO SHOQËRIE

Ndërsa prioritetet e qeverisë favorizojnë projekte infrastrukturore si interes i përgjithshëm, shqiptarët duhet të luftojnë për të siguruar që kultura e tyre të ketë vendin e merituar

Nga Avni HALIMI

Pushteti aktual në RMV (VMRO-VLEN-ZNAM) do të mbahet mend si ndër pushtetet e pakta në botë që “fitoren politike” do ta festojë me kredi (hungareze, prej 500 milionë euro). Qeveria ka vendosur që gjysma e kësaj kredie të shpenzohen për 274 projekte nga komunat e vendit. Tashmë dihen edhe fituesit si dhe projekteve të cilat, që të gjitha i përkasin zhvillimit komunal infrastrukturor. Kjo nismë, e cila për herë të parë përfshin edhe komunat e drejtuara nga shqiptarët, është një hap i rëndësishëm në drejtim të barazisë rajonale. Megjithatë, një vërejtje e dukshme është se asnjë projekt i propozuar nga këto komuna nuk përfshin asnjë iniciativë për zhvillimin e kulturës. Ky anashkalim i qartë i nevojave kulturore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ngre disa pyetje të rëndësishme mbi vetëdijen kulturore dhe prioritizimin e vlerave në shoqëri. Natyrisht, kjo është hileja e dytë shtetërore që u bëhet shqiptarëve.

Fekalet që “vërshojnë” identitetin kulturor

Hileja e parë konsiston në vendimin e decentralizimit të kulturës, që do të thotë se me të gjitha qendrat dhe institucionet kulturore do të menaxhojnë vetë komunat ku shtrihen këto qendra! E sa qendra të tilla kulturore shtrihen në komunat që menaxhohen nga shqiptarët e RMV-së? Mbi 70 për qind e komunave shqiptare nuk kanë asnjë institucion kulturor në territorin e vet, ndërsa në komunat maqedonase ka edhe fshatra që kanë shtëpi të kulturës e muze të ndryshëm! Hileja e dytë konsiston në ndihmën qeveritare për rrugë e kanalizime komunale! Standardi jetësor është çështje e pushtetit qendror dhe jo e komunave, aq më pak e komunave rurale! Komunat shqiptare ekzistojnë tash e dy dekada, ndërsa vendbanimet shqiptare ekzistojnë edhe para se të krijohet shtet Maqedonia e Veriut. Se pse janë në kushte primitive edhe më tej komunat shqiptare, kjo e metë nuk mund t’i përshkruhet pushtetit lokal dhe tejkalimi i këtyre kushteve nuk duhet të lihet në duar të pushtetit lokal. Në tërë botën, segmente të caktuara jetësore lihen në kompetenca komunale, komunat i mirëmbajnë dhe ngrenë iniciativa e projekte për përmirësim të jetës, ndërsa shtrimi dhe zhvillimi i tyre mbetet barrë e buxhetit shtetëror. Historikisht, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë përballur me sfida të vazhdueshme në ruajtjen e identitetit të tyre kulturor. Edhe pse përfaqësimi i shqiptarëve është rritur në institucione, sfidat e vjetra si, margjinalizimi dhe anashkalimi, vazhdojnë të ndikojnë në jetën e përditshme. Komunat që drejtohen nga shqiptarët, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për të përmirësuar infrastrukturën, shpesh kanë lënë pas nevojat për zhvillimin e qendrave kulturore. Ndërsa komuna maqedonase shpesh kanë ndërtuar qendra kulturore, institucione dhe aktivitete që promovojnë trashëgiminë e tyre, shqiptarët ende nuk kanë një strukturë të tillë, përveç disa përjashtimeve. Kjo është një pasqyrë e qartë e një problemi më të thellë: mungesa e investimeve dhe prioritetit për kulturën shqiptare.

Komuna e Çairit, dikur mushkëria e qytetit të Shkupit, që shtrihet në zemër të këtij qyteti, ndeshet me probleme të atilla të cilat në komunat maqedonase janë tejkaluar më se gjysmë shekulli më parë. Sipas kryetarit të kësaj komune, Çairi do të marrë rreth 2.8 milion euro, të cilat do të shpenzohen për rikonstruimin e ujësjellësit dhe kanalizimit fekal në lagjen e Dizhonit, po ashtu për rikonstruimin e sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimit fekal dhe atmosferik në rrugën Kovaçka në lagjen e Sauk Çeshmës, etj. Nuk ka projektet që do ta shpluhurosnin identitetin kulturor të shqiptarëve të kësaj Komune!

Shqiptarët që drejtojnë komunat e tyre ndodhen në një situatë delikate, ku shpesh ndihen të detyruar të prioritizojnë projekte që sjellin përfitime të menjëhershme ekonomike. Kjo, natyrisht, është e kuptueshme në një kontekst ku shumë komuna përballen me nevoja themelore si rrugë, ujë dhe energji. Megjithatë, ky fokus i ngushtë në infrastrukturë po lë pas një aspekt thelbësor të identitetit dhe zhvillimit: kulturën. Te pushteti qendror ka një frikë të brendshme për të kërkuar dhe investuar në kulturë, te pala maqedonase ndoshta për shkak të besimit se kjo do të përshpejtonte ngritjen kulturore të shqiptarëve, ndërsa te shqiptarët se do të përjashtohen nga mundësitë për financim dhe mbështetje. Ndërsa prioritetet e qeverisë favorizojnë projekte infrastrukturore si interes i përgjithshëm, shqiptarët duhet të luftojnë për të siguruar që kultura e tyre të ketë vendin e merituar.

Anashkalimi i kulturës është një temë që kërkon reflektim të thellë. Kultura është themeli i çdo shoqërie; ajo është ajo që formon identitetin dhe bashkëpunimin e një populli. Nëse shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dëshirojnë të ruajnë identitetin e tyre dhe të zhvillojnë një shoqëri të qëndrueshme, ata duhet të kërkojnë me ngulm investime në kulturë, art dhe tradita. Është e domosdoshme që përfaqësuesit e komunitetit shqiptar të krijojnë një platformë ku kultura të jetë në qendër të vëmendjes. Kjo do të thotë të promovohen projekte që mbështesin artistët lokalë, të krijohen qendra kulturore dhe të organizohen aktivitete që nxisin ndërveprimin kulturor.

Strategji për përkrahje ndërkombëtare në diskriminim kulturor

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e mbështetur nga UNDP-ja dhe gjithë agjencitë e OKB-së, nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe Ministrisë së Financave në Republikën e Sllovakisë, paska hartuar Strategjinë Nacionale për Zhvillim për periudhën 2024-2044, e cila, me 70 vota “për” u miratua edhe nga Kuvendi Republikan. Ky dokument i rëndësishëm, i aprovuar me konsensus politik, përcakton vizionin për zhvillimin nacional të vendit për dy dekadat e ardhshme. Strategjia në fjalë fokusohet në tre objektiva të mëdha: forcimin e konkurrencës ekonomike, transparencën e qeverisjes dhe përmirësimin e shërbimeve sociale, shëndetësore dhe arsimore për gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Natyrisht, as ky dokument shumë i rëndësishëm nuk parasheh në asnjë paragraf zhvillimin institucional kulturor të shqitarëve të Maqedonisë së Veriut. Sepse, në këtë fushë subjektet politike shqiptare janë pa vizion, janë të pafuqishëm për ta konceptuar identitetin kulturor dhe pa kurrfarë tagri për avancimin institucional të kulturës kombëtare të shqiptarëve të këtij shteti. Asnjë shqetësim partiak, asnjë iniciativë partiake, asnjë reagim dhe ankesë nga asnjë parti shqiptare nuk pati deri më sot në drejtim të institucionalizimit kulturor të shqiptarëve të këtushëm!

Asnjë aktivitet politik për t’ua bërë me dije edhe ndërkombëtarëve se, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, aspak nuk janë të kënaqu me statusin kulturor diskriminues i cili as për së afërmi nuk korrespondon me identitetin e vërtetë kulturor të shqiptarëve bazuar në trashëgiminë kulturore e shpirtërore mijëra vjeçare.

Si rezultat i kësaj injorance, apo, thënë më butë, i qëndrimit nonshalant të të gjitha partive shqiptare për sa i përket jetës kulturore institucionale, është edhe kjo Strategjia Nacionale Zhvillimore, e cila, qëllimisht anashkalon shtyllën e civilizimit nacional, kulturën, sepse, kësisoj, nuk do të motivohen shqiptarët për të kërkuar pjesën e tyre për sa i përket zhvillimit kulturor. Pra, nuk ka as për kulturën maqedonase, sepse, ndryshe, do të kishte edhe për kulturën shqiptare! Kësisoj, me strategji dhe me përkrahje ndërkombëtare arrihet në heshtje deri te diskriminimi dhe mohimi i identitetit kulturor shqiptar. Kur një dokument kaq i rëndësishëm nuk adreson nevojat e një pjese të konsiderueshme të popullsisë, kjo nënkupton se ato janë përjashtuar nga proceset vendimmarrëse. Natyrisht kjo mundësohet edhe me pasivitetin absolut të subjekteve tona partiake si dhe me heshtjen e pakuptimtë të “elitës” shqiptare. Kjo pastaj shtron pyetje mbi efektivitetin dhe angazhimin e tyre në mbrojtjen e interesave të komunitetit që përfaqësojnë. A është ky një reflektim i dobësive brenda strukturave politike shqiptare, apo është një çështje e negociatave më të gjera ku kërkesat kulturore zëvendësohen me interesa të tjera? A mjafton të ngremë pluhur vetëm për zyrtarizimin e gjuhën shqipe dhe, nëse arrihet kjo, kemi kapur majat e kulturës kombëtare?

Zhvillimi kulturor çelës i sukseseve të një shoqërie

Pa dyshim, një strategji zhvillimi duhet të jetë inkluzive, e cila merr parasysh diversitetin kulturor dhe etnik të vendit. Pa një qasje të tillë, zhvillimi ekonomik dhe social mund të arrijë rezultate të kufizuara, pasi do të përjashtojë një pjesë të popullsisë nga përfitimet e tij. Një zhvillim i qëndrueshëm kërkon harmonizimin e të gjitha kulturave dhe integrimin e tyre në narrativën nacionale. Është nevojë imediate dhe e patejkalueshme një reformë gjithëpërfshirëse që do të çojë në një njohje më të madhe të diversitetit kulturor, duke përfshirë një angazhim më të madh nga qeveria për të mbështetur institucionet kulturore shqiptare. Një qasje kritike duhet të nxjerrë në pah nevojën për një dialog të hapur dhe të vazhdueshëm mes grupeve etnike, duke përmirësuar kështu marrëdhëniet dhe besimin ndërmjet tyre.

Me qëllim që mos të na ndodhin strategji të tilla nacionale për hartimin e të cilave shqiptarët as që përfillen, duhet patjetër që të shprehim pakënaqësitë dhe shqetësimet tona përmes kanaleve të duhura dhe të angazhohemi për një të ardhme më të barabartë dhe përfshirëse për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Kjo do të ndihmojë në krijimin e një shoqërie më të bashkuar, ku çdo kulturë është e njohur dhe e respektuar. Duke e kalitur respektin e ndërsjellë pa dyshim që edhe mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, social e arsimor do të jenë më lehtë të arritshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.