Arjana Fetahu GABA
KA CA ÇASTE QË DALË NGA VETJA
Gjithmonë të menduarit më njeh me veten,
Dhe çuditërisht paskam dy,
Njëra që skuqet si vjeshta gjethet,
Tjetra me tërbim në sy.
Kur mendimet më çojnë në tempuj engjëjsh,
Ku s’do doja të kthehesha kurrsesi,
Vetja tjetër si për dreq,
Më thotë zgjohu e më mos ” fli”.
Unë kujtohem që ka të drejtë,
Dhe ajri I thatë disi më mbyt,
Nuk jetoj në kopshtin e Edenit,
Këtu erërat janë me grykë.
Po ka ca çaste që dalë nga vetja,
O Zot më shumë do të ishte tmerr,
Me gllabërojnë më prishin mendjen,
Ca mendjelojtur që vjellin vrer.
Por shpejt kuptoj që s’jam kërkund,
Dhe sërish kthehem në “orbitë”,
Me veten flas dhe kundërshtoj,
Mendimet që më ngjallin frikë.
Gjithmonë të menduarit më njeh me veten,
Çdo ditë që zbardh lind dhe unë,
Ndaj bëj kujdes nga e panjohura,
Dhe nga e nesërmja ca më shumë.
SA SHPEJT U PRISH KJO TRILLË VJESHTE
Tashmë nëntori ka hyrë në mes,
Kërkon dhjetorit t’i rrëfejë,
Që është njësoj sikur vera,
Por, gjethet s’dinë të gënjejnë.
Ato po zhveshin të gjithë vjeshtën,
Të verdhë tokën e kanë shtruar,
Tek-tuk ca zogj mbetur mbi degë,
Të zbuluar e të hutuar.
U prish shpejt kjo trillë vjeshte,
Se, shiu zu të bjerë litar,
Po shtyhen retë nga bërrylat,
A thua vallë të jetë janar?!
Se, dimri ka hiletë e veta,
Siç bëri kur shkurtit i mori hua’
Tri ditë thotë legjenda i duheshin në mal,
Të ngrinte plakën me gjithçka.
Dhe nëpër qiell zu të qeshë,
E ngriu motin pak nga pak,
Mësoi vjeshta si të heshtë,
E të kujtojë ç’është dimri plak.
AH MOJ MOLLA E PANGRËNË
E por kur më ngjitesh,
N’ato kalldrëme zalli,
Gusha trëndelinë të vjen,
Oh ç’më mori malli.
Dal të bëj përpara,
E të të zë pritë,
Kur më sheh me sytë e zinj,
Ç’më verbon një dritë.
Kur kthen kokën më buzëqesh,
E harroj fare burrërinë,
Ah moj molla e pangrënê,
Seç ta kam zilinë.
Pjergulla në fik të bardhë,
Mos shko me ngadalë,
Se t’gjithë zogjtë e sokakut,
Të këndojnë me fjalë.
Se unë jam djalë i ri,
S’dua kush të t’marrë erë,
T’kam në zemër hajmali,
Syri për të nxjerrë.
SA JAM PENDUAR
Më mori malli dhe për çudi,
Nisa fytyrën të të formoj,
Të ndjeja sërish buzën e kuqe,
Po kurrsesi nuk qe njësoj.
Diç më shtrëngoi në zemër keq,
Emrin ta thashë pak belbëzuar,
Si paska qenë kjo jetë për dreq,
Dhe veten time, paskam harruar.
Një erë e lehtë, gënjeshtër dimri,
Pak shi I hollë, sa për bezdi,
Jo s’është kurrë ai shi prilli,
Kur dashuronim unë dhe ti.
Me shall mbështjellë, ashtu I fikur,
Në trotuar më kot nxitoja,
S’hodha dot sytë rreth e përqark,
E dinin sytë seç unë kërkoja..
Trokitje takash mbi trotuar,
Dhe një e qeshur pak e lazdruar,
Ish thjesht e gjitha një ngacmim,
Për t’më kujtuar, sa jam penduar.
Nuk ishte e jotja padyshim,
Të qeshurën kishe, plotë me jetë,
Tani marr frymë, pa ditë me diell,
Pa dashuri, poshtë e përpjetë.
MË DUHET TË JETO
Një qiell gri si hir cigare,
Shpirti im trazuar sot,
Stuhi që deteve më hedh pa anë,
E s’po shpëtoj, që s’shpëtoj dot.
E di,
që vjeshta e sivjetshme,
Do rrokulliset e do të shkojë,
E njoh dhe dimrin, pa ardhur akoma,
Do të jetë, po njësoj,
Dhe nuk kam shpresë, as nga pranvera,
Që mund të më gëzojë.
Se e di, pa ty vështirë,
Këtij qielli drita ti kaloj.
Dhe sot,
se ç’kam një mall me valë,
Në brigje shpirti të drobitur,
S’po di të gjej më asnjë fjalë,
Nën k’të qiell të përzhitur.
Dhe paq ky mall m’ka ligështuar ,
Më ka drobitur fill,
Në kraharor më ka ngushtuar
S’më pyet e më shpërfill.
Një asfiksi më duket jeta,
Dhe vetja po ashtu,
Jam zënë sikur në rrjeta peshqish,
E s’po bëj tëhu.
Ndaj,
Më duhet të të le të lirë,
Sepse më duhet të jetoj,
Pa ty, shpirtin tim ta dua,
Dhe kur gjërat s’janë njësoj.