Dori CAMAJ

KISH DAL NJI HAN’ E BUKUR

Kish dal nji Han’ e bukur, 

drapën, 

e re, Mari….

M’i muer syt’

e natën, 

t’amël shtroi…

Ja nisa me i fol për ty, 

për dertin tand, 

që flen n’mue…

Lamsh u ba malli, 

e muer rrokullimë 

n’dy pika lot..

Hana, për çudi 

m’u qesh, 

e m’ktheu faqen tjetër..

E  diti,

se po i flet,

nji zemër 

e dashurueme….

***

Prej se ty

nuk t’pëlqen me m’pa mue

tuj qendis,

me gjilpan n’duer,

un’ krejt ojmet

i treta,

t’bardha,

pa shkue n’to

as nji fill boje t’jetës.

Prej se ty

nuk t’pëlqen me m’përqaf,

pa i pa t’derdhuna

flokt e mi n’supe,

un’ kurr nji fjango

mà n’krye

s’e kam vnue..

Prej se ty

t’treti nata e ngrat’

e pshtjellun n’gji t’saj je shkue,

kurr nji rreze s’mujti me e ça

nj’at terr t’nântoks

qi zemra shtroi n’mue…

E tash….

Tash qendis,

do fjango t’vjetra,

me nji diell midis,

qi kurr s’ka me ba drit…..

***

 Edhe Mjellmat qajnë…

Mendova se pika që ra

mbi fytyrën e ngrirë të liqenit, 

rrodhi prej faqes sime, 

por jo!

Ish Mjellma…

Nuk di a kish ndjerë ndonjëherë 

klithmë zemre njeriu, 

ajo flet veç me Hënën…

E kam kundruar gjatë, 

tek fshihet nën shelgje, 

e ndjek rrugën e qumshit të saj..

Madje kam menduar 

se ashtu dhe dashuron, 

me Hënën mbi krye..

Por sonte 

u ndal pranë meje, 

ashtu e bardhë, 

e paqtë, 

e brishtë, 

qafën gjysmëzemre harkuar..

Sy më sy’

buzëqeshje e mekur 

ndër lot, 

rrahu krahët, 

e mbi valë klithi…

:-Hej, dhe un’ kam dashuruar!..

***

Duhet të ikja…

Dhe hëna atë natë 

kish lindur së prapthi. 

Nën këmbë,

s’pluhroste udh’,

veç rridhnin djersë 

qiejsh febrilë, 

të pa zogj…

Këmishë e ngjyer, 

trupit lëpirë, 

si rëra, 

këmbëve zbathur brigjeve…

S’shoh udh’ sërisht, 

veç iki..

E kurmet e pemëve, 

lidhin lëkurët e shprishura 

mendimeve të mija 

flokëgjatë…

Pritmë botë, 

me një këpucë mbathur…

se tjetra 

fle tek ai prag…

***

Ç’muzg!…

Mekur mbi degë 

që zhveshin lëkurë 

e nginjen rrëkeve…

Një natë flokprishur,

molepsur supesh, 

si alga 

bregtërbuara…

Ç’njeri jam!

Me kryqe që kërcasin 

si monedha të harruara 

diku,

në ndonjë torbë kujtimesh…

Ç’njeri!…

I mbetur zbathur, 

me një grusht shpirt 

e dymbëdhjetë qindarka trishtim…

Duhet të ketë një gabim…

Diku mes numrash,

ku data e lindjes 

e zezë qëndron mbi të bardhë…

Jam krijesë e shiut 

se ndryshe 

nuk do vdisja në cdo pikë, 

në çdo gjethe që bie, 

në çdo simfoni, 

në çdo erë dheu 

që shiun përpin…

Ç’muzg!..

I pa veshur, 

cullak…

E un’,

mbulohem 

me lëkurën 

time…

***

Nji grrumbull gjethesh 

asht ky qytet…

Nji përqafim n’gji 

t’ndaluem..

Nji pëshprim e mekun 

n’vesh t’shurdhuem..

Nji marak i dergjun 

n’sy t’plakun..

Nji buzqeshje e dlirë 

n’erna tretun..

Nji rrug me emën 

njeriu t’panjohun..

Nji got pa fun’

e nji shishje t’thyeme..

Nji britëm vetmie 

me zá pa tingull…

Nji shpi e madhe 

me dyer sa nji bir…

Nji tryezë e mbushun 

pa mysafir…

Nji dashni lumejsh 

qi detin s’e njohin..

Nji virgjresh e motshme 

fmijësh prenin mblue…

Nji trotuar si duna 

hapash shtrue..

Nji dhimbje qi shekujsh 

s’tmyt, 

e errsinës,

t’len me lëngue…

Un’…

Nji gjethe ma shum’…

Nji gram frym…

Nji xham i thyem….

Nji dekik jet’

e viteve t’mia….

***

Ti njejt ke me fjet, 

midis stinësh 

mblue e shplue, 

e nân jestek 

dora i zen frymën andrrës ..

Dritaren pllamb hapun, 

sall për me ndie 

fletët që nisen n’shtegtim, 

nji gjinkall që këndon,

tokën, 

ka shuan etjen n’litar t’shiut, 

a borën, 

që hapat i qet 

sikur nuset fustanbardha…

Njejt ke me fjet, 

tuj randue mbi zemër, 

për mos me ja ndie britmën, 

prej se gjysmake asht mbet…

Njejt ka me fjet dhe ora, 

e sa her’ që syt’ ke me i çel,

gjith’ ka me qen’ aq’…

Aq sa për me t’kujtue, 

se duhet me u kthye n’krah tjetër, 

për me t’u ngroh ftyra 

n’frym tik -takesh, 

që zemra…

veç zemra,

din me e kurdis…

Leave a Reply

Your email address will not be published.