Individualiteti letrar i Martin Camajt
FIGURA E GJARPRIT
Krahas madrigalit Gjarpijtë, që është një mitemë e pastër dhe që në titull vjen e shprehur me kuptimin e plotë, janë dhjetëra poezi e madrigale të M. Camajt, në të cilat lexuesi ndesh minisubjektet e plota rrëfimesh me gjarprin si temë qendrore
Nehas SOPAJ
Sistemi figurativ i autorit është një. Rrugëtimi i tij nga koncepti tradicional kah ai modern, në përshndërrimin e formës së shprehjes, ka baticat e ndryshimit të koncepteve, futjen e elementeve të reja, të natyrshme, që këtu edhe ndryshimin e mitit në mitemë. Në vjershën e parë me derivat të figurës së gjarprit, me titull Gjarpni, autori rrëfen një ngjarje dhe vetëm pastaj krijon vakumin logjik, mbi bazë të të cilit krijohet imazhi i nënkuptuar i figurës, pa fjalë. Figura e gjarprit te vjersha Gjarpni pa fjalë fare e nxjerr autorin në dritë me mesazhin e tij, duke e bërë këtë vetëm përmes vakumit logjik dhe paralogjik, që lexuesin e bën ta përftojë idenë se për çka është fjala. Rrëfimi është ky: Luli me Zanën, bashkë me Baco Plakun, kullosin delet në malësi. Zana e lut Baco Plakun të tregojë ndonjë ngjarje dhe Baca e rrëfen ngjarjen vijues. Dikur moti kishte pas qenë një babë, që e kishte fejuar të bijën për një vezir të pasur. Kur e kupton këtë gjë, të bijës i këputet haja, sepse ajo fshehurazi nga familja ishte besatuar me një djalë tjetër. Me të kuptuar, të rinjtë e dashuruar vendosin të takohen për herë të fundit, atë natë kur vajza do të shkonte nuse. Supozohet se djali s’e dinte se po takoheshin për herë të fundit, andaj ai i thotë vashës se kishte parandjenjë të çuditshme të ndarjes dhe klith: “Si s’delka dheut një gjarpën me na plasë”. Si e dëgjon këtë toka, nga dhembja e tyre, prej gjirit të vet e nxjerr një gjarpër dhe ua lëshon në ballë të dyve dhe i helmon. Pastaj i varrosin të dy nën një çarr. I varrosin, por ndaras, sepse “të dy prej bote ishin”. Ç’është bota? Në gegnisht bota është lloj dheu i ngjyrosur, një lloj toke e tëholluar e lëmuesht dhe e lagësht. (A mund të nxjerrim ndonjë kuptim tjetër, të fshehtë të autorit, në këtë drejtim? Nëse ka, çfarë mund të jetë ai?) Ky është rrëfimi i Bacës, të cilin ai e rrëfen duke e mbushur kamishin, ndërkohë që dy të rinjtë, Luli dhe Zana, i vështrojnë pikat e ujit që pikojnë. Ky është fundi i poezisë. Figura e gjarprit është mitema. Lexuesit i mbetet të nxjerrë mesazhin dhe taperceptojë figurën e gjarprit. Vakumi poetik flet për një dashuri tragjike. Mitema na shpie te balada popullore Djali gjarpër, edhe pse poezia e Camajt nuk flet për të.
Poezia tjetër, me titull Ledja, është mbase krijimi më tipik i figurës së gjarprit në poezinë e M. Camajt, që në epiqendër ka këtë figurë. Poezia është shkruar në kohën kur autori qëndronte në Itali, ndërsa në të për shumëçka sheshit shihet elementi i De Radës. Edhe pse poezi origjinale me përbërës të tjerë artistikë, ambient e artefakte personazhesh reale e imagjinare, kjo poezi me 104 vargje ika tiparet e vargënimit tipik të poetit të madh shqiptar nga Maki i Kalabrisë: vargjet e shkurtra, që rrëfejnë dhe rrëfehen, dialogët lirikë dhe fjala në vetë të parë, po ashtu të heroit lirik, dhe sidomos subjekti i shtjelluar me një mënyrë pakëz më ndryshe nga standardi i autorit, e bëjnë këtë poezi fare të veçantë në poezinë e përgjithshme të M. Camajt. Vjersha, në strukturën e saj, ka një rrëfim me disa referenca epizmi, sado që ajo s’është sall një vjershë lirike. Subjekti i saj shkurtimisht është ky: letrarët tanë (shqiptarë dhe arbëreshë) u flasin të huajve (supozohet italianëve) për natyrën shqiptare. “Ju s’e dini si vuajnë dherat tona nga vapa e cila hedh zjarr poshtë, zjarr lart.”– sikur flet zëri, i cili s’dihet prej nga vjen. Don qiella frymën tonë/ që ta bajë avull me te/ për të ra shi për vise tjera! – kjo është hyrja e poezisë që e hap diagramin e rrëfimit të nënkuptuar… Fillon ngjarja, nisin të flasin në stil të personazheve të De Radës, personazhet e paemërtuara lirike; që supozohet të jenë gratë (shqiptare? arbëreshe?), gjersa papritur brafullon tema e rrëfimit: A e dini punën e Ledies?/ I pyeti letrarët dikush. Ledja, vasha shqiptare, heroina e subjektit, këndon gjersa poeti: rrin krye-peshë mbas gurit/ e veshë e ngjeshë në lëkurë gjarpni… Këtë e rrëfen dikush, këtë e dëgjojnë letrarët, kurse subjekti lirik zhvillohet rreth Mbigjarpnit, i cili: ujë kurr nuk pin/ sall tambël gjiu grueje n’gjumë, sepse: Ora – gjarpën s’pin kurr ujë! Ndërkaq, kur një letrar pyet shokët “pa rregull”, pason përgjigja se si një herë Ledja, nis me nga dy xunktha në punë, ecte rrugës shpatit për në shtëpi dhe gjersa ecte i dukeshin molla gjijt, kurse Tokësi-gjarpën mori një lëpushtër gjethi e iu lëpe asaj, ndërkaq: guri n’diell nuk vezullonte dhe askush nga bujqit s’e panë. E pa shqipja si hyri në shtëpi, e pa gjarpëri si hyri në plëng dhe e priti terrin e natës. E pastaj si u fik drita e fundit e kandilit, doli Ora mbi muranë dhe iu var vashës në kraharor. Tregojnë të vjetrit se si dëgjohej një gurgullimë uji lart mbi shkëmb, ndërsa kur burrat ia nxorën gurit zemrën, ushtima u ndal. Kështu gjarpri shëtiti pas gjinjve të grave, që këtu edhe pas Ledies, gjersa ajo e pa: derisa helmi idhshëm/ i kulloi nëpër dhëmbë. I ngrihet gjaku Ledies dhe e sheh: si nji mbret kunorën/ e hoq Ora gurin e kresë/ e para çikës e uli/ për t’i pague nji gjak! Tremben letrarët e në agim bie një rrufe. Vijnë pastaj tre bujq e njëri rrëfen sesi kish vdekur një vashë edhe një gjarpër në lis: zbritni poshtë e shikonie/ të shkrumuem nën diell.
Ky është subjekti, ngjarja ose rrëfimi. Analogjitë me poezinë Gjarpni janë të tepërta, sepse vdekja që i bashkon, sikur i përflet katarset identike. Por, ajo që do ta nënkuptojë lexuesi i kultivuar dhe me kulturë dokumentare menjëherë do ta kujtojë baladën shqiptare Djali gjarpër. Të gjitha artefaktet – Ora e dhenave, Mbigjarpni, Ora-gjarpën, Tokësi-gjarpën, Ora prej Murane ose edhe Ora pa asnjë epitet a shenjë tjetër identifikimi, flasin për figurën mitike shqiptare të metamorfozës, në të cilën ky është një gjarpër që natën kthehet në djalë të pashëm. Por, në fillim rrëfimi e kishte qëllimin gjetiu: njerëzit u tregojnë të huajve hallin se: don qiella frymën tonë/ të të bajë avull me te/ për të ra shi në viset tjera!, sepse kështu do fryma, perëndia, ndaj pason rrëfimi për Ledien dhe balada e gjarprit, që në kulturën tonë morale është e njohur në trajta të ndryshme letrare: si legjendë në vargje, si përrallë popullore, si hartim letrar për fëmijë e të rritur, vepra të ndryshme letrare gjinish dhe zhanresh nga më të ndryshmit me autorë me emër e mbiemër, prandaj edhe si kjo vjershë lirike e poetit tonë.
Si edhe vjersha e parë, edhe vjersha e dyta e poetit për strukturë artistike ka zgjedhur rrëfimin me personazhe lirike. Pastaj mësojmë se poeti, në mitemat e tij, është konstant në obsesionin e quajtur gjarpër dhe prej tij do të na rrëfejë më shumë se një artefakt letrar. Lexuesi sheh tani, në këtë vjershë, një mënyrë tjetër të të kënduarit lirik. Elementi i De Radës, i shquar dukshëm në këtë tekst, nuk na lejon të mendojmë se poeti është nën ndikim pa vlerë. Çdo lexues i kultivuar, që ia di natyrën e vërtetë poezisë së M. Camajt, mund ta dallojë dukshëm vokacionin e tjetërsuar të autorit nga rilindësi ynë, por ja që poeti, për ta begatuar sfondin e tij poetik, në stërvitjet e tij stilistike, nganjëherë bie në këto sprova, që gjithsesi nuk ia ulin vlerën dhe imazhin e artistit autonom, por përkundrazi, vetëm ia shtojnë repertorin e shkrimit që di ndryshe. Virtuoz si përherë, në sprova të këtilla, M. Camaj gjithnjë do të jetë në të tijën: brenda motivit folklorik di të këndojë si do vetë. Në vitet e mëvonshme, kur poeti do të piqet dhe do të fillojë t’i njohë ligjet dhe kodet e modernitetit, duke bërë sprovat e para drejt abstraksionit poetik, figura e gjarprit do të jetë artefakti i parë dhe i gjallë me të cilin ai do ta thellojë dhe zhvillojë edhe më shumë kulturën e tij letrare dhe ai s’do ta braktisë asnjëherë atë kulturë deri në fund të jetës, gjersa edhe libri i tij i fundit do ta mbajë titullin Nën hijen e gjarprit.
Janë disa poezitë autorit tonë, të cilat shprehin stadin e veçantë të poezisë së tij me figurën e gjarprit në epiqendër. Poezitë e tjera, që nxirren nga titujt e poezive, në fakt nuk janë të gjitha me temë qendrore me figurën e gjarprit, por janë elementi përbërës i tyre, hija e tyre. Shumica e këtyre poezive, që në titull e kanë elementin e gjarprit, në fakt s’kanë të bëjnë me të, pos si dekor (shih për këtë Si gjarpni nën gur, Në vend të gjarpnit), kurse disa të tjera, siç është Si i gjarpnit, Gjarpijt e zez, Gjarpni e fëmija, mitemën e ngjeshin në strukturën e këndimit lirik, herë si minirrëfim (e para), herë si këngë ritmike (e dyta) dhe si mesazh moralizimi (e treta). Krahas madrigalit Gjarpijtë, që është një mitemë e pastër dhe që në titull vjen e shprehur me kuptimin e plotë, janë dhjetëra poezi e madrigale të M. Camajt, në të cilat lexuesi ndesh minisubjektet e plota rrëfimesh me gjarprin si temë qendrore, në të cilën, ashtu si poezia e vëllimit të parë poetik të autorit, që quhet Gjarpni, figura e gjarprit është motiv dhe temë kryesore e tekstit letrar.
Më shumë sesa figura e gjarprit, M. Camaj në mënyrën më origjinale dhe më abstrakte do të rreket ta krijojë figurën e breshkës. Diçka të ngjashme si edhe Pasqyrat e Narçisit të E. Koliqit, M. Camaj te Dranja arrin ta bëjë kolizionin e një gjallese të veçantë, siç është breshka, te e cila autori arrin ta derdhë tërë talentin e tij të skalitësit gdhendës mjeshtëror, duke krijuar disa minisubjekte herë reale e herë imagjinative. Në raste të veçanta ai bën konstruktime përzierjesh në dukje artificiale, reale dhe imagjinare, me konstruksione dokumentariteti, që lexuesin e lënë pa gojë. Kjo ia hap mundësinë e pakufishme interpretimit të lirë të këtyre krijimeve, e nganjëherë e lënë pa gojë lexuesin nga pamundësia e interpretimit, për shkak të fluiditetit dhe abstraksionit që kanë me vete ato. Një varg mitemash, që e ndërlidhin fenomenin e qepjes së gjarprit për kafkullën e breshkës, e bëjnë lexuesin të parashtrojë pyetje të ndryshme nga sfera e fenomenologjisë ose edhe të zoologjisë të transponuar çuditërisht në literaritet.
(Nga libri më i ri i autorit, TRINOMI POSTMODERN LETRAR SHQIPTAR, botoi Drini, Ferizaj)