Tregim

NUDOJA E KRYQËZUAR NË TELAJO

Mirela Leka XHAVA


Prej vitesh punonim në atë institucion dhe gati çdo mëngjes e pinim bashkë kafenë. Unë në detyrën e gazetarit në redaksi dhe ai piktor grafist. Kuptohet që arti ishte strumbullari i bisedave tona të zakonshme. E ftova për kafe e m’u duk sikur s’ishte aq në qejf.

-Kafeja dhe dashuria pihen të nxehta!,- citova dikë që s’mbaja mend ku e pata lexuar.

-Vërtet ashtu, miku im!,- tha piktori, duke tundur kokën paksa të thinjur në tëmtha. Po i afrohej të dyzet e pesave megjithëse nuk dukej.

Sytë e tij ishin fiksuar në dritare e ndofta fantazia e tij ndiqte lojën e pikave të shiut mbi qelq. Ishte ditë e zymtë dimri dhe të punoje në kompjuter atë ditë, do të ishte njëlloj si të pije valium.

Mendova se ajo kafe do më rifreskonte e të vazhdoja ca punë të lëna përgjysmë.

– Aman, o Ladi!,- gati s’thirra si për ta shkundur nga ajo gjendje që më injektoi padashur.

-Se ç’ke sot, s’të shoh në rregull. Ndonjë frymëzim kështu a çfarë?

– Ah po, ke bërë fjalë me Zanën më duket. Mos të mban mëri për Tiranën, që s’u ktheve atë natë ? S’ka faj, – i thashë dhe rrufita kafenë e mbetur në filxhan.

– Takova një shok të vjetër, – filloi të shfajësohej ai.

– Mos m’i trego mua këto ti, djalosh – i thashë jo pa djallëzi.

-E mirë, një zonjë po të them,- e shove kureshtjen tani!,- ma ktheu si me inat dhe mendova se do të ngrihej të ikte.

– Takova “çudon”,- filloi të fliste më shtruar. Menjëherë e kuptova për kë ishte fjala dhe e dija që kishte dobësi për të.

Kështu i pat mbetur emri asaj që kur ma pati treguar herën e parë historinë me të. Në fakt, i pëlqente ta hapte zemrën me mua dhe unë nuk e ngacmova më.

– Kaq vite pa u takuar,- vazhdoi qetë ai, – ishte martuar dhe kishte një djalë dhjetë vjeçar. Nuk të besohet, por u takuam sërish në autobus. Kishte mbetur po ajo, o zot, më e bukur, flokët biondë të gjatë mbi supe, sytë blu oqean, vetëm qe shëndoshur ca.

-Eh mor Goni, vetëm mali me malin nuk takohen, – tha dhe trokiti lehtas mbi tavolinë me gishtat e zverdhur nga cigarja.

-Sigurisht!,- ia ktheva mendueshëm. E dija që kishin qenë në prag të fejesës, pas një viti të zjarrtë dashurie, por ajo ishte vajzë e vetme dhe prindërit e donin dhëndër brenda. Ai dhe njerëzit e tij nuk pranuan. Kështu u ndanë pa fjalë, si të ishte një ëndërr, një mirazh. Ndoshta dashuria e tyre nuk qe aq e konsoliduar, apo mbeti thjesht një ndjenjë e zgjatur kalimtare, apo vetëm dëshira pa dashuri…, – mendoja dhe hetoja sytë e tij, të cilët m’u dukën pak më të vegjël e të skuqur nën vetullat e trasha.

-U përmallua kur u takuam ashtu papritur dhe më ftoi në shtëpinë e saj atë natë. I shoqi ishte me audit në një qytet të largët jugor. Andej kishte njerëzit e tij dhe kishte marrë dhe të birin me vete. Punonte si ekonomist në Insig. Në shtëpi ishte e ëma. Ajo e kuptoi nostalgjinë tonë dhe bëri atë që bëjnë vetëm nënat e moderuara. Iku. Ne mbetëm vetëm të dy. Zjarri dhe kashta pranë. Ajo vuri në tryezë ca prodhime të shijshme deti dhe ndezi qirinjtë e kuq në një shandan të madh. Po rijetoja ëndrrën pas kaq vitesh. Ndjehesha mirë atë ditë se pata mbyllur dhe marrëveshjen për pjesëmarrjen time në  ekspozitën e Galerisë së Arteve në Tiranë. Ajo kishte etje…dhe unë gjithashtu. Vera beri efektin e saj. Nuk di sa vite të tjera mund të kalonim pa u takuar ose ndoshta kurrë. Nuk doja të kisha probleme tradhtie me gruan, por kjo rastësi paralidhej me fatin tim. Ishte e dashura dhe nudoja ime e parë pas studimeve. Shishja e verës së boshatisur u rrokullis mbi moket pa zhurmë. Ne rrinim të përqafuar mbi divan dhe buzët tona të nxehta shkisnin ngado mbi trupat tanë që avullonin, megjithëse jashtë bënte një i ftohtë qeni. Brenda ishte saharaja dhe unë ecja e ecja mbi të e nuk lodhesha kurrë. Ishte mesnatë kur hodha diçka mbi supe dhe iu luta asaj të pozonte nudo, siç ishte nën rrezet e zbehta të abazhurit. Vetëm hodha tej mbulesën e kaltër për të krijuar hapësirë rreth saj. Ajo rrinte shtrirë dhe nuk mërzitej me mua, ashtu si dikur. Kur po mbaroja skicimin, në sfond pashë varur te koka e shtratit një tablo nudoje. Ishte ajo që kisha pikturuar dikur për të si dedikim. E putha me dhembshuri dhe ndjeva se u laga në sup. Ajo po qante.

– Nuk je e kënaqur,- e pyeta kureshtar për të ditur  diçka mbi jetën e saj bashkëshortore.

– Jo, si do të isha me ty, – më tha dhe më ledhatoi lehtë mbi buzë me gishtat e saj të hollë si të një pianisteje.

– Megjithatë, mirëkuptohemi, fundja është babai i djalit tim që e dua shumë, i mirë në përgjithësi, i kulturuar, i respektuar, por një çikë racional dhe i ftohtë. Në çast m’u duk sikur i bëri karakteristikën e atij që kishte pranuar si burrin e saj në vendin tim.

-Më do në mënyrën e tij,- vazhdoi ajo. – E dua, jo se nuk e dua, por unë jam ndryshe…

Ajo fliste dhe mua më vinte keq për të, ajo ishte jeta dhe vdekja ime.

– Kam djalin – tha tha pas pak, – dhe me një lëvizje energjike të dorës fshiu lotët poshtë syve dhe hodhi flokët e dendur pas.

Po agonte mëngjesi dhe mendoja se nata e gjatë me “nudon” e dashur po mbaronte. Në qytetin tim më priste gruaja me vajzën dhe diçka e mprehtë m’u duk se më ndau përgjysmë trupin. Nuk e lashë të më përcillte, por dukej se dhe ajo nuk donte të ekspozohej. Priste me gëzim djalin të kthehej dhe në sytë e saj pashë gëzim e pafajësi. Djali ishte bota e saj dhe atë ia kishte dhuruar vetëm ai.

-Hej dreq, kurrë më! – thashë me vete dhe papritur më kaploi një mall për gruan time që më priste e merakosur në shtëpinë tonë të ngrohtë. Kishim mbetur vetëm, se fëmijët kishin ikur për studime jashtë vendit.

…Piktori la filxhanin e kafesë dhe befas u ngrit. Pasi bëri dy – tre hapa, më thirri ta ndjek pas në studion e tij. Drejtoi nga unë kavaletën dhe para meje u shfaq ajo ”çudoja” e tij .Aq engjëllore dukej mbi shtrat sa çdo burrë do të thyhej para saj si përpara Helenës së Trojës.

-Paske qenë me fat, – i thashë, – pa i hequr sytë prej saj, që të tërhiqte si me magji.

Befas mendova se sa herë  do ta riprodhojë atë deri në fund të jetës së tij. Sikur të ma kish kuptuar mendimin tha: Kurrë më!,- dhe me penelin të ngjyer me bojë të kuqe bëri një kryq të madh mbi të. Më erdhi keq dhe desha ta ndaloja, por ajo që u bë, nuk zhbëhej më. Nudoja u kryqëzua sakaq.

Më mirë kështu, as ritakime, as riprodhime nudoje, secili në jetën e vet, – shtoi ai dhe çuditërisht m’u duk më i qetësuar si mbas një uragani.

Sigurisht, ai do ta hidhte më pas në kosh nudon, që s’u bë për fat gruaja e tij, por ngeli numri një në serinë e gjatë të nudove që kishte pikturuar gjatë jetës së tij profesionale si artist.

-Ndoshta, më mirë kështu! – tha dhe ndezi sërish cigaren që nuk kishte guximin ta linte asnjëherë…

Leave a Reply

Your email address will not be published.