Letër nga diaspora

LIBRI SI ZGJATIM I IMAGJINATËS

Duhet të jetë e qartë, përderisa ne shikojmë programe të ndryshme televizive, nuk mund t’u themi fëmijëve tanë të lexojnë libra. Ata duhet të shohin se ne po lexojmë

Neviana SHEHI/Itali

Mendjet e ndritura kanë konstatuar se të lexuarit vë në lëvizje gjithçka brenda nesh: fantazinë, emocionet, ndjenjat. Pra, bëhet një hapje e shqisave ndaj botës, që na mundëson të gjejmë shpirtin e gjërave.

Nuk duhet të lejojmë që dinamika e përditshmërisë të na hedhë sa në njërin breg, sa në tjetrin. Nuk është dhe nuk duhet të jetë çështje kryesore ana materiale, e cila na ka tjetërsuar aq shumë, sa që më sikur nuk e njohim as veten. Duhet ta ruajmë ekuilibrin e anës shpirtërore, e cila rrezaton dashuri e dhimbje, që na mundëson ta bëjmë dallimin mes të mirës e të keqes.

Pikërisht kjo mungesë e ekuilibrit të anës shpirtërore, ka bërë që gjithnjë e më shumë të përballemi me të keqen që herë – herë kalon në përmasa tragjike. Ditë më parë, gjithandej u përhap lajmi i vrasjes së një nxënësi 14 vjeçar në një shkollë të Tiranës. U vra nga një moshatar i tij. Në çast u vra shpresa, ardhmëria, dashuria. Por, ndoshta kurrë nuk do ta dimë sa a u vra edhe ndërgjegjja e dikujt.

Po pse kaq dhunë midis nesh? Pse rrugët po na i marrin fëmijët?

Është një konstatim fatkeq, por i realët: celularët dhe rrjetet e ndryshme sociale kanë pushtuar shpirtin e fëmijëve tanë! Tashmë po bindemi se shpesh reagimet tona janë shumë të vonshme. Reagojmë pasi të ulet perdja.

Duhet besuar thellësisht se edhe libri mund të kontribuojë që fëmijët tanë ta perceptojnë më ndryshe përditshmërinë dhe sfidat e jetës. Sepse, Horhe Luis Borhes, do të thotë se ndër instrumentet e shumta të njeriut, pa dyshim libri është më i mahnitshmi. Instrumentet e tjera janë thjesht zgjatim i trupit të tij. Mikroskopi dhe teleskopi janë zgjatim i shikimit; telefoni është zgjatim i zërit, parmenda dhe shpata zgjatime të krahut. Por libri është diçka tjetër: libri është zgjatim i kujtesës dhe i imagjinatës. Një thënie brilante dhe kuptimplotë që na bën të reflektojmë për ta pasur në kontroll përditshmërinë tonë me shumë të panjohura.

Duhet të jetë e qartë, përderisa ne shikojmë programe të ndryshme televizive, nuk mund t’u themi fëmijëve tanë të lexojnë libra. Ata duhet të shohin se ne po lexojmë. Pra, duhet të krijojmë kushte që fëmijët tanë të kuptojnë se leximi është një aktivitet i jashtëzakonshëm që jo vetëm ndihmon në zhvillimin e aftësive intelektuale, por gjithashtu ka një ndikim të thellë në formimin e karakterit dhe shpirtit të tyre.

Në një botë ku teknologjia dhe mediat sociale po bëhen pjesë e jetës së fëmijëve, libri ndoshta është një shpëtim, një mundësi për t’i ndihmuar ata të zhvillojnë aftësi të nevojshme, si dhe për të zhvilluar një dëshirë për dijen. Mbase, librat i ofrojnë fëmijëve mundësinë për të eksploruar botë të ndryshme, për të njohur figura të ndryshme. Kjo gjithsesi do të ndihmojë në zhvillimin e imagjinatës dhe kreativitetit të tyre, dy aftësi këto jetike në procesin e të mësuarit dhe në përballjen me ato që ofron jeta.

Në një mjedis të mbushur me pajisje digjitale dhe rrjete sociale, leximi ofron një mundësi për t’i shpëtuar mbingarkesës teknologjike. Ai mund t’u ofrojë fëmijëve një pushim nga ekranet dhe mundësinë për t’u fokusuar në një aktivitet që ndihmon zhvillimin e tyre mendor dhe emocional, pa ndërprerje. Sepse, është e njohur se kur fëmijët lexojnë dhe përvetësojnë njohuri të reja, ata ndihen më të sigurt për veten dhe më të aftë për të përballuar me të nesërmen. Ky proces i fitimit të njohurive nga leximi mund të stimulojë dëshirën për të mësuar më shumë.

E gjithë kjo mund të jetë më e lehtë nëse funksionin bashkëpunimi i përhershëm në trekëndëshin prind – fëmijë – mësues, i cili bashkëpunim do t’i eliminonte dukurit e shumta negative, shpesh edhe me përmasa tragjike. Ta marrim fatin në duart tona dhe shtratin e rrjedhës së tij ta rregullojmë vetë. Në këtë drejtim do të na ndihmonte shumë edhe libri. Por, së pari do të duhet të vetëdijesohemi dhe të kuptojmë se kjo kohë kërkon më shumë vëmendje, sidomos ndaj fëmijëve tanë…

Leave a Reply

Your email address will not be published.